Kërko

Të varfër në Afrikë Të varfër në Afrikë 

Kard. Parolin në “Avvenire”: politika të mos e harrojë solidaritetin

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në festën e gazetës kishtare italiane “Avvenire” në Matera: e jona, është diplomaci e Ungjillit. Takimi i Papës me Putin? Do të flitet edhe për Sirinë e Ukrainën.

R.SH. - Vatikan

         “Diplomacia e Selisë së Shenjtë me Papën Françesku”. Kjo ishte tema e bisedës me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, që karakterizoi mbrëmjen përfundimtare të Festës së gazetës italiane kishtare “Avvenire”, organizuar në Matera, nga Konferenca Ipeshkvnore e Rajonit të Bazilikatës dhe nga Shoqata “Evropa e Re”. Veprimtaria u zhvillua të shtunën në mbrëmje në “Teatro F. Stabile” të Potencës. Po ju propozojmë temat kryesore të reflektimit të bashkëpunëtorit më të afërt të Papës Françesku, në intervistën e gazetarit Gianni Cardinale për gazetën “Avvenire”.

Hirësi, cilat janë përparësitë e diplomacisë vatikanase, gjatë papnisë së Françeskut?

Qëllimet e diplomacisë së Selisë së Shenjtë përmblidhen në kërkimin dhe në promovimin e paqes. Papa Françesku ka hyrë në hullinë e diplomacisë së Kishës me tri karakteristika dalluese. Para së gjithash, na fton të mos i shqyrtojmë problemet në mënyrë abstrakte, por konkrete, duke pasur gjithmonë parasysh fytyrat e njerëzve: fëmijët, të moshuarit, të mënjanuarit, viktimat e dhunës. Pastaj, kemi periferitë. Më parë, kishim një këndvështrim kryesisht eurocentrik, ndërsa Papa përpiqet të kalojë në një perspektivë të ndryshme. Janë periferitë që e ndihmojnë qendrën të kuptojë realitetin e botës së sotme. Karakteristika e tretë është ajo e pro-aktivitetit: jo vetëm të reagojmë ndaj krizave, por të përpiqemi t’i parandalojmë e të jemi të pranishëm, pavarësisht nga mjetet modeste në dispozicion.

Cilat janë marrëdhëniet e Papës me nuncët apostolikë, pra, me ambasadorët e Vatikanit nëpër botë? Dekalogu, që u dorëzoi në takimin e fundit kishte një ton mjaft qortues…

Diplomacia e Vatikanit përpiqet të jetë “diplomaci e Ungjillit”. Papa beson se ajo është mjet i dobishëm për misionin e Kishës. Prandaj, ka respekt dhe vlerësim të madh për nuncët. I pret rregullisht dhe ka ndërmarrë këtë nismë për t’i takuar çdo tre vite. Papa dëshiron që ata ta bëjnë punën sa më mirë. Në fjalimin që përmendët, Papa, me përzemërsi, deshi t’i paralajmëronte nuncët ndaj dobësive, që mund ta bëjnë misionin e tyre më pak të frytshëm.

Gjatë këtyre viteve si Sekretar i Shtetit të Vatikanit, cilat kanë qenë çastet më të bukura e ato më kritike, që keni kaluar përkrah Papës?

Nuk kanë qenë vite të qeta. Mendoj, për shembull, për tensionet që lidhen me shtytjen reformiste të dhënë nga Papa, ose me kritikat për marrëveshjen me Kinën. Në këtë kuadër, ç’më ka bërë gjithmonë përshtypje është qetësia e Papës Françesku. Ati i Shenjtë mund të jetë i shqetësuar për problemet, por pastaj, i përballon gjithnjë me një paqe të madhe të brendshme. Më bën përshtypje këmbëngulja e tij për të qenë i gëzuar, gjë që do të guxoja ta përkufizoja si karakteristikë të papnisë së tij, e cila mund të zbatohet edhe në fushën e diplomacisë: askush nuk mund të na e heqë gëzimin e thellë për faktin se Zoti na do. Ai i Lumi e bën historinë, duke qëndruar mbi shqetësimet e shumta të njerëzve.

Presidenti rus Vladimir Putin do të jetë në Vatikan brenda pak ditësh. Është audienca e tretë e tij me Papën Françesku. Si e shpjegoni këtë interes të kreut rus ortodoks, tepër i kritikuar në Evropë për konfliktin ukrainas?

Presidenti i Rusisë e konsideron veten fetar, prandaj mendoj se ai sheh tek Papa mishërimin e vlerave, që i konsideron të rëndësishme në jetën e tij. Pastaj, hyn këtu edhe vëmendja e Rusisë ndaj çështjeve si mbrojtja e të krishterëve në Lindjen e Mesme dhe kriza e vlerave të krishtera në shoqëritë perëndimore. Takimi do të jetë rast për të trajtuar çështjet, që e shqetësojnë Selinë e Shenjtë, si gjendja në Siri dhe konflikti në rajonin lindor të Ukrainës.

A ka lidhje ndërmjet vizitës së presidentit Putin dhe takimit të Kishës greko-katolike të Ukrainës këtë javë?

Jo. Është një rastësi e thjeshtë kohore.

Ipeshkvijtë katolikë të Tokës Shenjte kanë deklaruar kohët e fundit se e konsiderojnë formulën “dy popuj - dy shtete”, “retorikë boshe”. A mendon kështu edhe Selia e Shenjtë?

Në parim, ne e konsiderojmë ende të vlefshme formulën e dy shteteve, me kufij të përcaktuar së bashku dhe të njohura ndërkombëtarisht, sipas rezolutave të OKB-së. Por, është e vërtetë që kjo formulë po përballet gjithnjë e më shumë me skepticizmin e opinionit publik. Prandaj, ka shumë dyshime rreth zbatueshmërisë së saj. “New deal”(marrëveshja e re) për Lindjen e Mesme, propozuar nga SHBA-të, e cila thekson sidomos aspektet ekonomike, ka hasur shumë rezistencë. Ne besojmë se rruga e vetme është ajo e dialogut të drejtpërdrejtë ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve. Por ai mund të rifillohet vetëm në kushtet e një minimumi besimi të ndërsjellë, që sot mungon.

Udhëtimi i Papës Françeskut në Abu Dabi solli nënshkrimin e Dokumentit të Vëllazërimit me Imamin e madh të Al-Azharit. A ka ndonjë shenjë pozitive për zbatimin e këtij dokumenti në jetën e të krishterëve në vendet me shumicë myslimane?

Ky dokument ishte një hap shumë i rëndësishëm në dialogun me Islamin. Një koncept i rëndësishëm në tekst është ai i nënshtetësisë: të gjithë banorët e një vendi janë qytetarë me të njëjtat të drejta dhe detyra, pavarësisht nga dallimet fetare. Është interesante se ky dokument ka hyrë në kurrikulumin e shkollave dhe të universiteve në disa vende islame. Shenjë e mirë kjo. Për ndryshime të tjera, duhet të presim maturimin e nevojshëm e të ngadaltë.

Cilat kritere ndjek Papa për të zgjedhur vendet, që viziton?

Për ta kuptuar këtë, mjafton të shikoni listën e vendeve të vizitave apostolike të këtij viti. Gjeni aty kriterin e dialogut ndërfetar, dëshmuar nga udhëtimet në vendet islamike, si Maroku dhe Emiratet. Pastaj atë ekumenik, me vizitat në vende ortodokse si Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Rumania. Udhëtimi i ardhshëm në Afrikë nënvizon një kriter të tretë: vëmendjen ndaj bashkësive të krishtera më periferike dhe më të vuajtura, për t’i ngushëlluar e inkurajuar. Në këtë perspektivë, mund të shihen edhe vizitat, që Papa dëshiron të bëjë në Sudanin e Jugut dhe në Irak. Vizita, që tregojnë një kriter tjetër - shqetësimin për paqen – dëshmuar edhe nga studimi i udhëtimit të mundshëm në Japoni, me vëmendje të veçantë për çarmatimin bërthamor.

Një çështje epokale, me të cilën ballafaqohet Evropa, është emigrimi. Si të përballohet? Si ta pajtojmë detyrën morale të mikpritjes me virtytin politik të kujdesit?

Nuk është e lehtë. Kisha duhet të kujtojë kërkesat e Ungjillit, laikët duhet të kenë autonomi për vendimet, që në të vërtetë, i përkasin politikës. Por këto vendime duhet ta respektojnë njeriun, dinjitetin dhe të drejtat e tij. Për fat të keq, këto çështje përçajnë e ndarjet nuk çojnë në zgjidhjet më të mira. Më lejoni t’i ftoj të gjithë të përballemi me këto fenomene së bashku, të jemi konstruktivë, duke shmangur ngritjen pa fre të toneve, që s’i shërben askujt. Bashkësia botërore është përpjekur të japë përgjigje konkrete me Global Compact-in. Bashkëpunimi ndërkombëtar është metodë e domosdoshme.

Kjo është arsyeja pse Kisha beson fuqimisht në diplomacinë shumëpalëshe...

Pikërisht. Dhe për ta dëshmuar këtë, dua të theksoj se në reformën e Kuries Romake parashikohet prania e një zv.sekretari të seksionit aktual për Marrëdhëniet me Shtetet, me kompetenca për problemet shumëpalëshe. Problemet globale duhet të përballohen në mënyrë globale. Për këtë arsye, ne ngulim këmbë në aspektin shumëpalësh. E, më vjen keq ta them, por s’jemi shumë, që e bëjmë këtë.

02 korrik 2019, 17:22