Shtatorja e Shën Benediktit nga  Norçia, Pajtor i  Evropës Shtatorja e Shën Benediktit nga Norçia, Pajtor i Evropës  

Kard. Parolin: në kohë të shqeta, për njerëz që kërkojnë qetësinë e humbur, shën Benedikti është fanar ndriçues

Sipas kardinalit Parolin, Shën Benedikti është fanar ndriçues edhe për ditët tona. Na la trashëgim “një pasuri të madhe”, “që i bën ballë kohës, nuk plaket, por mbetet udhë e ndritshme përsosurie e model për breznitë e kohës sonë”. Busola gjindet! Na e la trashëgim Shën Benedikti, në Rregullën e tij: “Nuk duhet t’i kundërvësh asgjë dashurisë së Krishtit!”.

R. SH. - Vatikan

Shën Benedikti jetoi në një epokë, në të cilën po shkërmoqej stabiliteti i civitas! Institucionet e perandorisë romake po shndërroheshin me shpejtësi rrufeje, nën ndikimin e një mori faktorësh. “Merita e tij ishte se pati një ide  tejet  të fortë e tërheqëse, pas së cilës mund të kapeshe (e të kapesh) për t’i bërë ballë stuhisë së botës së vjetër, që perëndonte e klithmave të botës së re, që dilte në dritë, me një lindje të vështirë”. Këtë kujtoi kardinali Pietro Parolin, sekretar  i Shtetit të Vatikanit, gjatë Meshës, kremtuar në abacinë e Monte Oliveto Maggiore (në provincën e Sienës) më 11 korrik 2019, në festën liturgjike të Pajtorit të Evropës.

Kardinali Parolin nënvizoi se Shenjti i Norcias na la trashëgim “një pasuri të madhe”, “që i bën ballë kohës, nuk plaket, por mbetet udhë e ndritshme përsosurie e model për breznitë e kohës sonë”. Në përngjasim të kohës së Shën Benediktit, edhe koha e sotme është plot me shpërthime e përmbysje. Kohë, në të cilën të duket se e lashta brehet, lodhet, këputet, ronitet e vdes, ndërsa e reja vjen në botë me një lindje të vështirë. E, ndoshta, pikërisht për këtë,  njeriu ka etje për pika të forta, ku mund të mbështetet, e edhe për pakëz ‘stabilitas’”. A, ndoshta, ka nevojë për një çelës, që i krijon mundësinë t’i shpjegojë e t’i jetojë ndryshimet me ndjete të mira e me angazhim  serioz, pa u përzhitur nga zjarri i dëshirave të rreme, ose nga arratisja prej realitetit.

Busola gjindet! Na e la trashëgim Shën Benedikti, në Rregullën e tij: “Nuk duhet t’i kundërvësh asgjë dashurisë së Krishtit!”. Ky - nënvizoi kardinali Parolin – “është kushti i nevojshëm dhe i mjaftueshëm për t’u bërë ballë ndryshimeve, shndërrimeve të kohës e të kohëve, duke mbetur  i patundur në shpresë, i fortë në tundim, fitimtar përballë forcave, që dëshirojnë  ta shpërbëjnë e ta zhdukin gjithçka të mirë”.

12 korrik 2019, 18:07