Kërko

  Trojet e persekutimit Trojet e persekutimit 

Imzot Camilleri: persekutimet fetare, realitet alarmant

Fjala e zëvendës-sekretarit vatikanas për marrëdhëniet me Shtetet, kushtuar lirisë fetare dhe diskriminimeve, në dëm të të krishterëve. Nacionalizmat e fundamentalizmat janë rrezik për dinjitetin e njeriut!

R. SH. - Vatikan

“Të ruash praninë e bashkësive të krishtera, posaçërisht në ato zona, ku nuk janë pjesë e grupeve, që përbëjnë shumicën, nuk është thjesht çështje simbolike. Është dëshmi e fuqishme e fesë, që tregon se bashkëjetesa paqësore ndërmjet feve të ndryshme është plotësisht e mundur, kur respektohet dinjiteti i çdo njeriu”. Kështu u shpreh imzot Antoine Camilleri, zëvendës-sekretar për marrëdhëniet me shtetet, duke folur dje, në Bazilikën romake të Shën Bartolomeut në Ishull, për rifillimin e botimit të revistës, kushtuar persekutimit të të krishterëve.

Genocid i shkaktuar nga indiferenca

“Një realitet alarmant”, që Papa e quan “lloj genocidi”, shkaktuar nga indiferenca e përgjithshme dhe kolektive, në atmosferën e të cilës - pohoi imzot Camilleri - “të krishterët përjashtohen gjithnjë më shumë nga shoqëria  e nga kulturat, deri në zonat ku kanë zanafillën”.

Nuk tregohet kurrfarë respekti për kë beson

Diskriminimi i padrejtë, dhuna, persekutimi i çdo njeriu, posaçërisht mbi bazën e fesë e të besojmës, është moralisht i papranueshëm e edhe i dënueshëm - nënvizoi zevendës-sekretari për marrëdhëniet me shtetet. “Vitet e fundit - kujtoi - kemi pasur dëshmi të sulmeve kundër grupeve e individëve, në kontekste të ndryshme fetare, nga ana e terroristëve,  grupeve ekstremiste e fanatike fetare, që nuk kanë kurrfarë respekti për jetën e të tjerëve, me besojmë të ndryshme! Fenomen ky, që ka të bëjë me shumë bashkësi fetare, në mbarë botën.

Më shumë angazhim nga ana e qeverive

Siç nënvizon Papa Françesku në Deklaratën e Abu Dabit, më 4 shkurtin e kaluar, ekziston rreziku i manipulimit të feve, që nuk ka të bëjë vetëm me autorë jo shtetërorë, si terroristët fetarë. Edhe “qeveritë - shpjegon imzot Camilleri - “duhet të pyesin deri në ç’pikë angazhohen për të mbrojtur lirinë fetare e për t’iu kundërvënë persekutimeve”. Shpesh nga njëra anë nuk i justifikojnë ose i dënojnë këto gjeste, ndërsa nga ana tjetër, ‘bashkëpunojnë’ politikisht, ekonomikisht, komercialisht, ushtarakisht ose në ndonjë mënyrë tjetër! E mbyllin njërin sy, kur duhet t’i kishin të hapur mirë të dy, për ta parë, e natyrisht, edhe për ta dënuar, atë që e dhunon këtë liri themelore.

Në situata të tilla çdo fe është në rrezik

Çka të trishton më shumë, është se një pjesë e mirë e këtyre krimeve kryehen pa asnjë ndëshkim. Madje gjithnjë më shpesh bashkësia ndërkombëtare i kushton fare pak vëmendje këtij fenomeni. Në këtë  kuptim, për Selinë e Shenjtë, “realiteti i hidhur i persekutimeve fetare është shqetësim i rëndë jo vetëm për të krishterët, që vuajnë, por edhe për besimtarët e të gjitha feve. Ky persekutim është sulm kundër lirisë më themelore  të njeriut. “Posaçërisht, situata e të krishterëve,  që vuajnë, që i nënshtrohen torturës e që humbasin edhe jetën, është posaçërisht e dhimbshme për ne të gjithë, që kemi me ta një lidhje të ngushtë shpirtërore”.

Kriminalizimi i liderëve fetarë

Nganjëherë, pastaj, formë diskriminimi fetar është edhe ajo e prirjes në rritje, edhe në demokracitë e mirënjohura, “për t’i kriminalizuar ose për t’i dënuar liderët fetarë, kur kumtojnë parimet themelore të fesë së tyre, posaçërisht përsa i përket  mbrojtjes së jetës, të martesës e të familjes”.

Faktor i uniteit e i paqes

Liria fetare nuk është vetëm çështje kulturore ose juridike. Ajo i ka rrënjët në vetë dinjitetin e njeriut dhe është kusht për të dëshmuar të vërtetën, gjë që nuk mund të imponohet me forcë”. Në këtë kuptim, feja mund të shërbejë si faktor i rëndësishëm për unitetin e paqen në gjirin e familjes njerëzore, përmes kërkimit të arsyetuar të së mirës së përgjithshme, që duhet ushqyer nga dialogu.

Barazi për të gjithë qytetarët

Nevoja e dialogut ndërfetar e ndërkulturor, të hapur e të ndershëm, është një nga mjetet për t’i kapërcyer persekutimet si dhe aspekt themelor për njohjen e pashmangshme të çdo njeriu si “bashkëqytetar” i tjetrit. Shumica e kushtetutave pohojnë se të gjithë nënshtetasit janë të barabartë, edhe pse në disa vende lindja e nacionalizmit, të kombinuar me pohimin agresiv të identitetit të fesë, mund të çojë lehtësisht në fundamentalizmin fetar”. Në këto kushte, njerëzit ose grupet, që nuk i përkasin shumicës etnike ose fetare, mund të pësojnë diskriminime, mënjanime e persekutime, sepse shumica mund ta ndjejë veten si pronare të shtetit, në dëm të pakicës, që nuk beson në fenë, në pushtet.

17 korrik 2019, 14:58