Vendvarrosja e Franco-s Vendvarrosja e Franco-s 

Gisotti, mbi zhvarrosjen e Frankos, deklarata e imzot Fratinit është me karakter personal

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, drejtori i përkohshëm i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Alessandro Gisotti, sqaron se deklaratat e kohëve të fundit të imzot Fratinit mbi zhvarrosjen e Franco-s, janë shprehje me karakter personal dhe pohon se qëndrimi i Selisë së Shenjtë është shprehur nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin.

R. SH. - Vatikan

“Me rastin e largimit përfundimtar nga Spanja të imzot Renzo Fratinit, pasi përfundoi mandatin, nënvizojmë se deklaratat e tij të fundit mbi çështjen e zhvarrosjes së eshtrave të Francisco Franco-s, janë krejtësisht personale. Kujtojmë edhe se ish-Nunci Apostolik në Spanjë i përgenjështroi, përmes shtypit, duke theksuar se “nuk e ka aspak në mend të shprehë ndonjë gjykim mbi çështje politike të brendshme”. Kështu iu përgjigj drejtori i përkohshëm i Sallës vatikanase të Shtypit disa gaztarëve, të cilët e pyetën për këtë ngjarje.

Franco, që e udhëhoqi për 36 vjet me radhë Spanjën, aktualisht është i varrosur në Valle de los Caidos, monument kombëtar kushtuar të rënëve gjatë Luftës civile spanjolle (1936-1939). Më 4 qershorin e kaluar, Gjykata e Lartë spanjolle vendosi ta ndërpresë vendimin për zhvarrimin  e eshtrave të Francisco Franco-s, në pritje që të vlerësohet kërkesa e familjes së tij, e cila ka shprehur dëshirën për t’i mbartur eshtrat në një hapësirë, pronë e  familjes, në kriptën e katedrales së Almudenës, në Madrid. Sipas qeverisë spanjolle, varreza e El Pardo, në periferi të Madridit, ku është varrosur bashkëshortja e Franco-s, garantonte dinjitetin dhe respektin e duhur. Gushtin e kaluar, qeveria socialiste spanjolle pati miratuar një dekret, që i hapte udhën zhvarrosjes së Francisco Franco-s.

“Pohojmë edhe një herë - vijon Gisotti në deklaratën e tij - se qëndrimi i Selisë së Shenjtë lidhur me zhvarrosjen e Frankos, është i qartë e, për më tepër, është shprehur edhe në letrën që Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, i dërgoi, shkurtin e kaluar, zëvendës-kryetares së qeverisë spanjolle, Carmen Calvo, pohuar kohët e fundit edhe nga Sekretari i përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore Spanjolle. Ky qëndrim bazohet mbi respektin e plotë të sovranitetit të Shtetit spanjoll e të rendit të tij juridik”.

Në tetorin e kaluar, pastaj, Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë pati bërë të ditur, pas takimit të sekretarit të Shtetit të Vatikanit me zëvendës-presidenten e qeverisë spanjolle, se kardinali Pietro Parolin  nuk  ka asnjë kundërshtim lidhur me zhvarrosjen e Francisco Franco-s, nëse kjo është vendosur nga autoritetet kompetente; por në asnjë rast nuk u përmend vendi i rivarrosjes!

18 korrik 2019, 17:05