Kërko

 Hapja e varreve në Varrezën Teutonike, Qyteti i Vatikanit Hapja e varreve në Varrezën Teutonike, Qyteti i Vatikanit 

Emanuela dhe varret e zbrazura të Teutonikut: Selia e Shenjtë dëshiron ta sqarojë me fund ngjarjen

Gërmimet në Varrezën Teutonike brenda mureve vatikanase, vërtetojnë afërsinë me familjen Orlandi.

R. SH. - Vatikan

Andrea Tornielli

Të enjten, më 11 korrik, të gjithë ata, që ishin të pranishëm në hapjen e dy varreve, në Varrezën Teutonike, mbetën thellësisht të habitur. Varret ishin bosh! Asnjë skelet, asnjë eshtër, asnjë shenjë arkivoli a urne.

Siç dihet nga të gjithë, magjistratura vatikanase lejoi të bëhej ky veprim, për t’iu përgjigjur dëshirës së familjes të Emanuela Orlandit, vajzës pesëmbëdhjetë vjeçare të një punonjësi papnor, zhdukur misteriozisht në qendër të Romës, në qershor të vitit 1983: sipas një sinjalizimi anonim,  trupi i saj duhet të ishte kallur në njërin nga varret e vjetra të varrezës. Nuk u hap një varr, por dy. Promotori i Drejtësisë vatikanase, Gian Piero Milano, deshi ta kontrollonte edhe varrin pranë, me që ishte shumë i ngjashëm e kishte përsipër, edhe ai, një figurë engjëllore.

Vendimi për t’i hapur të dy varret, në praninë  e një specialisti, emëruar nga familja e Emanuelës e me standartet teknike më moderne, ishte shenjë e qartë e vëmendjes dhe afërsisë së krishterë, treguar ndaj familjes Orlandi.  E jo, siç u shpreh ndokush, shenjë që hamendësonte se pala vatikanase mund të kishte gisht në fshehjen e kufomës.

Nga kërkimet, doli se eshtrat e Emanuelës nuk ishin as në varrín e sinjalizuar, as në atë pranë. Hetimi pati rezultat negativ. Siç dihet, mbi rrasat e të dy varreve  shkruhen emrat e dy princeshave, vdekur të dyja në tetëqinden. Po nën rrasa nuk u gjet asnjë skelet njerëzor. Vetëm një gropë, bosh, pa kurrnjë shkrim, që hamendësohet të jetë mbyllur në vitet ’70 të shekullit të kaluar. Nga fakti që gropa e sarkofagu ishin bosh, lindën pyetje të reja rreth fatit të eshtrave të dy zonjave fisnike, vdekur shekuj më parë. Por të zhvendoset vëmendja, për të tërhequr në valle Selinë e Shenjtë edhe për fatin e këtyre dy skeleteve, është fare jashtë mendsh. Nuk po kërkoheshin skeletet e dy princeshave. Kërkoheshin eshtrat e një vajze 15 vjeçare, zhdukur më 1983. Ia vlen, prandaj, të ripohohet sidomos se  gjykatësi e mori parasysh kërkesën për gjetjen e mundshme të eshtrave të Emanuelës. Nga të cilat nuk u gjet as gjurma.

Pasi e thamë këtë, po kujtojmë edhe se Magjistratura vatikanase vendosi   të vijojë studimin e dokumenteve, që lidhen me punimet arkitektonike në zonën e varrezës, realizuar në dy faza, e fundmja e të cilave, në gjysmën e viteve ’60, me ndërtimin e Pallatit të ri të Kolegjit teutonik. Varret e dy priceshave janë pikërisht rrëzë murit të ndërtesës e ka shumë mundësi që,  duke hapur themelet, të jenë nxjerrë eshtrat, për t’i rivarrosur gjetiu. Edhe  kjo do të sqarohet në vijim të studimit. Kujdesi për vazhdimin e kërkimeve, vendimi për realizimin e testit të ADN-së së eshtrave, që mund të gjinden, profesionaliteti i dokumentuar me të cilin u zhvilluan kërkimet,  kryesuar nga Promotori i drejtësisë në kordinim me Xhandarmërinë vatikanase, me në krye Domenico Giani-n, dëshmojnë plotësisht vullnetin e Selisë së Shenjtë për ta marrë seriozisht kërkesën e familjes. Vullnet, që u duk qartë në qendrimin e mbajtur ndaj një sinjalizmi, që mbeti  anonim e që Magjistratura vatikanase nuk mund ta vërtetonte paraprakisht, sa mund të ishte i besueshëm.  

12 korrik 2019, 12:22