E Diela e Detit E Diela e Detit 

E Diela e Detit. Papa: të mbrohen të drejtat njerëzore të detarëve!

Françesku lutet për detarët dhe peshkatarët, ndërsa kardinali Turkson u bën thirrje qeverive dhe institucioneve për ligje e kontrata më të drejta. Më 29 shtator 2010, në Glasgow, do të mblidhet Kongresi XXV Botëror i Stella Maris e do të kremtohet edhe njëqindvjetori i Apostullimit të Detit.

R. SH. - Vatikan

Sot, kur në të katër anët e botës kremtohet e kujtohet Deti, ari i pafundmë blu, tepër shpesh i shfrytëzuar e i trazuar nga pirateria, ndotja, abuzimet e të gjitha llojeve, posaçërisht në dëm të atyre, që e kalojnë jetën valë mbi valë, lexojmë një tweet të ri të Papës, në faqen e tij të internetit @Pontifex, në nëntë gjuhë:

“Sot kremtohet#EDielaeDetit, kushtuar detarëve e peshkatarëve. Lutem për ta e për familjet e tyre dhe inkurajoj të bëhen të gjitha përpjekjet për t’i mbrojtur të drejtat e tyre njerëzore” - shkruan Françesku që, përballë padrejtësive, shpesh i ka nxitur detarët të mos kenë frikë të denoncojnë e të angazhohen për të punuar së bashku në të mirën e njerëzimit e për një humanizëm të ri të punës, duke promovuar punën, që e respekton punëtorin e nuk shikon vetëm përfitimin ose kërkesat prodhuese, por ndërton një jetë të denjë, e duke e ditur se e mira e njeriut dhe e mira e sipërmarrjes ecin me të njëjtin hap”.

Punë themelore, për të mirën e të gjithëve

Në mesazhin  e tij për Ditën, që u prit me një mori nismash, mbrëmësoresh, çastesh lutjeje e takimesh në shumë nga kishat e krishtera, edhe kardinali Peter Turkson, prefekt i Dikasterit për shërbimin e zhvillimit të gjithanshëm njerëzor, vuri theksin mbi rolin e detarëve e të peshkatarëve, duke e quajtur punën e tyre themelore për jetën e të gjithëve:

“Në këtë ditë - lexohet në tekst - besimtarët janë të thirrur të kujtojnë e të luten për një milion e gjysëm detarë, që çajnë valët e oqeaneve e të deteve, duke transportuar 90% të mallrave nga një vend në tjetrin”.

Disa njerëzve jeta e detit mund t’u duket tërheqëse e interesante, sepse gjatë lundrimeve njihen një mori vendesh, por në të vërtetë, jeta  detarit dhe e peshkatarit është plot me sfida e vështirësi. Kardinali Turkson, duke kujtuar arritjet, falë ratifikimit të disa konventave kombëtare, denoncon edhe parregullsitë në kontratat e punës, vonesën e pagesës së rrogave, jetën për muaj e muaj larg familjeve, por edhe izolimin, depresionin dhe gjithçka ndikon keq mbi shëndetin e tyre, duke nënvizuar edhe mungesën e mbrojtjes ligjore sepse - shkruan - në rast aksidentesh në det, detarët dënohen e burgosen, pa  mundur të shpresojnë në mbrojtjen e ligjit a të një trajtimi  më të drejtë”.

Dita e Detit, prandaj është  ditë për t’u lutur për detarët e  familjet e tyre.

100 vjet Apostullim i Detit

Duke i nxitur, së fundi, kryetarët e Konferencave ipeshkvnore, ipeshkvijtë, koordinatorët rajonalë, kapelanët dhe vullnetarët e mbarë botës të organizojnë kremtime për këtë ditë, prefekti i Dikasterit dha edhe njoftimin për organizimin e Kongresit XXV Botëror si dhe të kremtimit të Njëqindvjetorit të Stella Maris (Apostullimi i Detit) që do të mbahet në Glasgow të Skocisë, më 29 shtator deri më 4 tetor 2020”.

Deti  në letërsi

Mijëra poezi, tregime, romane i kushtohen detit e detarëve. Zgjodhëm e përkthyem lirisht vetëm dy strofa kuptimplote, nga lirika “Mesdheu” i Eugenio Montales:

…prej teje e mësova

unë ligjin e rrezikshëm:

të gjerë e ndryshe!

më bëre edhe mua!

 

Ta zbraz nga shpirti

mësova  çdo flliqësi:

ashtu si ti, që i flak

algat në brigjet tua!

14 korrik 2019, 18:41