Do të hapet në shtator, në Makao, Kolegji për ungjillëzimin e Azisë
R. SH. - Vatikan
Kongregata vatikanase për Ungjillëzimin e Popujve themeloi zyrtarisht Kolegjin Redemptoris Mater, për ungjllëzimin e Azisë, me seli në Makao, rajon autonom i Kinës kontinentale, duke ia besuar drejtimin Ecjes Neokatekumenale. Lajmin e jep agjencia vatikanase Fides.
Hap i rëndësishëm për ungjillëzimin
Edhe pse ish-kolonia portugeze Makao është rajon administrativ i posaçëm, si Hong-Kongu, akti i ish-Propaganda Fides përfaqëson një hap të rëndësishëm përsa i përket veprimtarisë së Kishës në Kinë.
Kolegji u themelua me dekretin e nënshkruar nga kardinali Fernando Filoni, prefekt i Kongregatës Propaganda Fide, më 29 qershorin e kaluar, pas audiencës me Papën Françesku. Do ta nisë veprimtarinë në shtator, me grupin e parë të studentëve, ardhur nga kombe të ndryshme të botës.
Organizmi i seminarit të ri
Siç e sqaron statuti, seminari i ri varet drejtpërdrejt nga Kongregata për Ungjillëzimin e Popujve, duke mbajtur lidhje me ipeshkvin vendas. Mund të ketë seksione edhe në vende të tjera, sepse është Seminar i madh i Kishës, që ka si synim të përgatisë meshtarët e ardhshën për ungjillëzimin në Azi.
Për kardinalin Filoni, Kolegji i ri i Nënës së Shëlbuesit, “fryt i frymës krijuese apostolike, që kujdeset për ungjillëzimin në Azi”, shpreh dëshirën për decentrimin e Kongregatës Propaganda Fide. Filoni kujton se në historinë e Misionit të Kishës “ka një mori formash të zgjedhura për kumtimin e Ungjillit në Azi. Mjafton të kujtosh angazhimin e madh të Urdhërave fetare si Jezuitët, Domenikanët e Françeskanët; veprimtarinë e një mori institutesh të veçanta misionare, dërgimin e meshtarëve “fidei donum”, bashkëpunimin misionar ndërdioqezan, format e bashkëpunimit misionar ndërmjet Kishave të disa kombeve ose ndërmjet metropoleve. “Tani Shpirti Shenjt këshillon një formë të re, që do ta eksperimentojmë”.
Azia, kontinenti i pafundmë për t’u ungjillëzuar
Me këtë seminar - vijon kardinali Filoni - deshëm t’i përgjigjemi ftesës së Gjon Palit II që, në fillim të mijëvjeçarit të ri, pati theksuar se “Azia do të ishte kontinenti i pafundmë për t’u ungjillëzuar”
Kongregata “Propaganda Fide’, me nxitjen e Ecjes Neokatekumenale, reflektoi gjatë, që ta bënte të vetën këtë thirrje për ungjillëzim në Azi.
E sot, sipas porosive të Papës Françesku, që vijon të ecë mbi gjurmët e Gjon Palit II e na kujton se Kisha duhet të dalë, të hapet e jo të mbyllet në vetvete, menduam se shumë institucione katolike, edhe ata që merren me formimin e me shkollimin, mund ta kenë selinë në kontinente të ndryshme, duke punuar kështu, në drejtim të decentralizmit.
Me këtë frymë – përfundon – “deshëm ta krijojmë në Makao këtë Kolegj për formimin e meshtarëve, që përgatiten për Azinë”.