Cerca

Vatican News

Sinodi i Amazonës. Instrumentum laboris: me Kishën, të dëgjojmë britmën e popullit

Bota e Amazonës i kërkon Kishës të jetë aleatja e saj, që jeta e plotë, të cilën Jezusi erdhi ta sjellë në tokë, të mbërrijë tek të gjithë, sidomos tek të varfërit. Ky është thelbi i “Instrumentum laboris” për Sinodin e ardhshëm të ipeshkvijve kushtuar Amazonës, me temë: “Amazona, udhë të reja për Kishën e për një ekologji të gjithanshme”.

R.SH. - Vatikan

Sot paradite u bë i njohur në Vatikan “Instrumentum laboris”, pra, Dokumenti i Punës për Sinodin e ipeshkvijve kushtuar Amazonës, që do të mbahet tetorin e ardhshëm. Tema e Sinodit, përgatitja e të cilit ka filluar me kohë, është: “Amazona, udhë të reja për Kishën e për një ekologji të gjithanshme”. Procesi filloi që me vizitën e Papës Françesku në Puerto Maldonado të Perusë, në janar 2018 e, vazhdoi me konsultimin e Popullit të Zotit në krejt rajonin amazonik, për të përfunduar në majin e këtij viti, me mbledhjen e dytë të Këshillit Parasinodal.

Të dëgjojmë britmën e popullit, derisa ta kuptojmë vullnetin e Hyjit

         Territori i Amazonës përfshin Brazilin, Bolivinë, Perunë, Ekuadorin, Kolombinë, Venezuelën, Guajanën, Surinamen dhe Guajanën franceze, në një sipërfaqe të përgjithshme prej 7,8 milionë kilometra katrorë, në zemër të Amerikës së Jugut. Pyjet amazonike mbulojnë 5,3 milionë kilometra katorë, që përfaqësojnë 40% të sipërfaqes globale të pyjeve tropikale.

         Pjesa e parë e Dokumentit, “Zëri i Amazonës”, paraqet realitetin e territorit dhe të popujve të tij. Fillon nga jeta dhe lidhja e tij me ujin dhe lumenjtë e mëdhenj, që rrjedhin si venat e florës dhe të faunës së zonës, si burim jetësor për popujt e saj, për kulturat dhe shprehjet e tyre shpirtërore, duke ushqyer edhe natyrën, jetën dhe kulturat e mijëra bashkësive indigjene, të fshatarëve, të pasardhësve të popujve afrikanë e të popujve të tjerë, që banojnë në brigjet e tyre.

Jeta e kërcënuar nga të gjitha anët

Jeta në Amazonë kërcënohet vazhdimisht nga shkatërrimi dhe shfrytëzimi pa kriter i ambientit, nga shkelja sistematike e të drejtave themelore të popullsisë amazonike: në veçanti, nga shkelja e të drejtave të popujve indios, si e drejta për tokën, për vetëvendosje, për caktimin e kufijve, për t’u pyetur e për t’u kërkuar paraprakisht pëlqimin për çdo vendim. Interesat më të mëdha, që luhen në pyjet e Amazonës, janë sidomos ato të kompanive mineralnxjerrëse, por kërcënime vijnë edhe nga ndryshimet e klimës, nga çpyllëzimi, nga zhvendosja e detyruar e popullsisë e nga ndotja, që vë në rrezik serioz ekosistemin e zonës dhe ushtron presion mbi kulturat vendase.

Britma e tokës dhe të varfërve

         Në pjesën e dytë, Dokumenti merr në shqyrtim dhe ofron sugjerime për çështje, që kanë të bëjnë me ekologjinë e gjithanshme. Raportet që kanë mbërritur në Sekretarinë e Përgjithshme të Sinodit nga Kishat lokale flasin për një gjendje shumë të vështirë, ku mbretëron dhuna, kaosi dhe korrupsioni. Territori i Amazonës është shndërruar në një hapësirë ndeshjesh e zhdukjesh të popujve, të kulturave e të brezave, shpesh në dorë të mafies, të trafikut të drogës e të atij të qenieve njerëzore. Nga ana tjetër, popujt amazonikë kanë shumë për t’i mësuar botës, pasi janë kujdesur për tokën, ujin dhe pyjet, që prej mijëra vjetësh. Prandaj, Sinodi kërkon që udhët e reja të ungjillëzimit të caktohen, duke marrë parasysh këtë urti të lashtë, në të cilën shihen farat e Fjalës së Zotit.

Popuj në periferi

         Dokumenti i Punës për Sinodin e ardhshëm analizon gjendjen e të ashtuquajturve “Popuj Indigjenë në Izolim Vullnetar” (PIAV). Sipas statistikave janë rreth 110-130 popuj të lirë, që jetojnë në periferi të shoqërisë, nën kërcënimin e vazhdueshëm të trafikut të drogës e të veprimtarive të ndryshme të paligjshme. Popullsia lëviz vazhdimisht. Tashmë 70-80% e popujve amazonikë jeton në qytet, për ku vijon të shpërngulet, së bashku me Kishën, që e shoqëron këtë fluks, fatkeqësisht, duke lënë bosh zonat e brendshme të Amazonës.

Kishë profetike në Amazonë: sfidat dhe shpresat

         Së fundi, pjesa e tretë e Dokumentit të Punës i fton etërit sinodalë të Amazonës të diskutojnë mbi udhët e reja, që duhet të ndjekë Kisha në zonë. Realiteti kishtar ka nevojë për një Kishë të pranishme në jetën shoqërore, politike, ekonomike, kulturore dhe ekologjike të banorëve; për një Kishë që i mirëpret realitetet e ndryshme kulturore e shoqërore, për t’u shërbyer njerëzve pa diskriminime; për një Kishë krijuese, që ta ndihmojë popullin të gjejë përgjigje të reja për nevojat më urgjente; për një Kishë të harmonishme, që promovon vlerat e paqes, të mëshirës e të bashkimit.

Sakramentet dhe përshpirtëria popullore

         Vihet në dukje vështirësia e bashkësive për të kremtuar Eukaristinë, aty ku nuk ka meshtarë. Propozohet rishikimi i disa kritereve të përzgjedhjes dhe të përgatitjes së ministrave të autorizuar për ta kremtuar. Kërkohet vlerësimi i përshpirtërisë popullore, me të cilën njerëzit e thjeshtë shprehin fenë e tyre përmes fugureve, simboleve, traditave e riteve. Do të ishte e këshillueshme të rishqyrtohet ideja se ushtrimi i juridiksionit (pushteti qeverisës) duhet pa tjetër të lidhet në të gjitha fushat (sakramentore, gjyqësore, administrative) dhe përherë me Sakramentin e Urdhërit Shenjt. Duhen promovuar thirrje autoktone, nënvizon “Instrumentum Laboris”, në mënyrë që Kisha të mos shkojë “për vizitë” në Amazonë, por të bëhet vendase. Duke pohuar se celibati është dhuratë për Kishën, kërkohet që, për zonat më të largëta të rajonit, të studiohet mundësia e shugurimit meshtarak të të moshuarve, mundësisht indigjenë, që respektohen dhe pranohen nga bashkësia e tyre, edhe pse mund të kenë familje, për të siguruar kështu, dhënien e Sakramenteve.

Roli i grave dhe ekumenizmi

         Kërkohet të identifikohet një lloj shërbimi zyrtar, që mund t’u jepet grave, duke pasur parasysh rolin qendror që kanë ato në Kishën amazonike, në formimin teologjik, katekizëm, liturgji, në shkollat e fesë dhe të politikës. Propozohet promovimi i një jete rregulltare alternative e profetike, ndër-kongregacionale, ndër-institucionale, me gatishmërinë për të shkuar aty ku askush nuk dëshiron të shkojë. Formimi duhet të jetë ndërkulturor e të përfshijë botëkuptimin amazonik. Dokumenti vë në dukje rritjen e shpejtë të kishave ungjillore me origjinë pentekostale, të cilat, sipas “Instrumentum Laboris”, dëshmojnë një mënyrë tjetër për të qenë Kishë, ku populli ndihet protagonist, duke u shprehur lirisht, pa censurë e pa dogmatizma.

Kisha e pushteti: udhë kryqi e martirizimi

         Të jesh Kishë në Amazonë do të thotë të marrësh parasysh profetikisht problemin e pushtetit, sepse në këtë rajon njerëzit nuk kanë mundësi të mbrojnë të drejtat e tyre kundër ndërmarrjeve të mëdha ekonomike dhe institucioneve politike. Sot, të vësh në diskutim pushtetin do të thotë të vësh në rrezik jetën, duke u nisur për në udhën e kryqit dhe të martirizmit. Numri i martirëve në Amazonë është alarmues (p.sh. vetëm në Brazil, në periudhën 2003-2017, u vranë duke mbrojtur territoret e tyre 1.119 vendas). Kisha nuk mund të qëndrojë indiferente, por duhet të mbrojë të drejtat e njeriut dhe të kujtojë martirët e saj, ndër të cilët gra si motër Dorothy Stang.

         Gjatë periudhës së hartimit të “Instrumentum Laboris”, zëri i Amazonës u dëgjua në dritën e fesë, u bënë përpjekje për t’iu përgjigjur britmës së popullit amazonik për një ekologji të gjithanshme dhe për udhë të reja profetike në Amazonë. Këto zëra, përfundon “Instrumentum Laboris”, e sfidojnë Sinodin e Ipeshkvijve për të gjetur përgjigje dhe rrugë të reja për Kishën dhe për krejt Amazonën, territor i rëndësishëm për gjithë botën.

17 qershor 2019, 14:39