Kërko

Thatësirë në SHBA-të Thatësirë në SHBA-të 

Selia e Shenjtë në FAO: shkretimi i tokave shkakton uri dhe emigracion

Vëzhguesi i Selisë së Shenjtë në FAO, imzot Fernando Chico Arellana, flet në organizatën e OKB-së, me rastin e Ditës Botërore kundër Shkretimit.

R.SH. - Vatikan

“Thatësira ka pasoja të rëndësishme për zhvillimin dhe prodhimtarinë bujqësore. Ajo paraqet kërcënim serioz për sigurimin e ushqimit, duke u bërë shkak i migrimit global dhe i eksodit njerëzor”. Kështu foli Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në FAO (Organizata e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë), imzot Fernando Chica Arellano, në seminarin ndërkombëtar mbi “thatësirën dhe bujqësinë”, promovuar nga kjo organizatë e Kombeve të Bashkuara, me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër shkretimit të tokave. “Një fenomen shkatërrimtar, që vazhdon prej shumë kohësh”, me pasoja negative mbi njerëzit, blegtorinë, kulturën dhe mbi çmimet e ushqimit.

Ruajtja e ujit

Uji, siç kujton shpesh Papa Françesku e siç nënvizon edhe në Mesazhin e fundit për Ditën Botërore të Ujit, është pasuri, që duhet administruar dhe ruajtur mirë, sepse mungesa e tij ka pasoja shkatërrimtare. E jo vetëm mungesa, por edhe shpërndarja e pabarabartë e ujit po shkakton vuajtje për shumë njerëz, shpjegoi imzot Chico Arellana në FAO, duke denoncuar indiferencën dhe pandjeshmërinë e mediave. Për të ndryshuar gjendjen, është vendimtar përdorimi i teknologjive për parandalimin e thatësirave dhe përgatitjen e popullsive për ndonjë krizë të mundshme. Gjithashtu, Vëzhguesi i Selisë së Shenjtë propozoi edhe përvojën e mirë të sigurimeve bujqësore, që shpesh, në bashkëpunim me qeverinë, mbulojnë shpenzimet për fatkeqësitë natyrore.

Bujqësi elastike

Duhet menduar për t’i shndërruar njerëzit e kulturat bujqësore në elastike. Përsa i përket bujqësisë, kjo do të thotë që farat dhe bimët të jenë “në gjendje të përballojnë ndryshimet klimatike dhe mungesën e ujit”. Natyrisht, këtu luan një rol të dorës së parë teknologjia, si sistemi modern i ujitjes, që e kursen ujin dhe, infrastrukturat për mbrojtjen e të mbjellave nga acari, breshëri e dukuri të tjera të dëmshme. E gjitha kjo, duke mbrojtur farat vendase dhe pa cënuar shumëllojshmërinë natyrore. Përsa u përket njerëzve, imzot Chico Arellana kërkoi me tepër bashkëpunim ndërkombëtar, që familja njerëzore të mos dorëzohet para sfidave të ndryshimit klimatik.

Shkretimi i tokave është sëmundje fizike

Siç shkruan Papa Françesku në enciklikën “Laudato Si”, përfundoi Vëzhguesi i Selisë së Shenjtë, “mund ta konsiderojmë shkretimin e tokës pothuajse si një sëmundje fizike”, “e cila prek secilin, prandaj kërkon ndihmën e të gjithëve”, përveç “ndërhyrjeve konkrete, jo vetëm në raste të jashtëzakonshme ose emergjence”.

18 qershor 2019, 12:34