Cerca

Vatican News
 Takimi i Papës me Nuncat Apostolikë në Sallën Klementine Takimi i Papës me Nuncat Apostolikë në Sallën Klementine 

Parolin pas takimit me nuncët: “Duhet të jemi të bashkuar me Papën”

Intervistë e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Parolin: “Bilanci është pozitiv. Edhe vërejtjet, që përmban fjalimi i dorëzuar nga Papa, duhen lexuar pozitivisht”.

 Andrea Tornielli- Qyteti i Vatikanit

“Bilanc pozitiv”, “takim i zhvilluar në atmosferë thjeshtësie e vëllazërimi”. Kështu kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, e komenton  takimin e mbajtur ditët e fundit, në Vatikan, në të cilin morën pjesë nuncët apostolikë.

Cili është bilanci i takimit të nuncëve apostolikë, që përfundoi sot?

“Bilanci është sigurisht pozitiv. Këto mbledhje kanë vlerë në vetvete, sepse janë çaste takimi të njerëzve, që punojnë me të njëjtin qëllim, me të njëjtën frymë e në shërbim të të njëjtit realitet, që është Kisha e, në veçanti, Papa, ndonëse janë shumë larg njëri-tjetrit. E pastaj edhe tematikat e trajtuara këto ditë, u ndoqën me mjaft interes nga ana e pjesëmarrësve, gjë që u vërejt posaçërisht në diskutimet e shumta, gjatë konferencave të ndryshme. Më duket se klima ishte e mirë. Pastaj ishte edhe çasti i pjesëmarrjes në salikimet e nuncit apostolik në Argjentinë, Leon Kalenga,  që i mblodhi të gjithë bashkë në lutje me Atin e Shenjtë, gjatë kremtimit të Meshës së Dritës. Ishte, pra, takim pozitiv, që vijon traditën e që, sipas dëshirës së Papës, do të organizohet çdo tri vjet, pas përvojës së 2013-tës, menjëherë pas zgjedhjes së tij , e 2016-tës, gjatë Jubileut të Mëshirës”.

Si u prit fjalimi, që u dorëzoi Françesku nuncëve? Mediat nënvizuan disa porosi  të pranishme në tekst e edhe disa vërejtje….

“E pashë se ishte dhe ky komunikim, mjaft i natyrshëm. Mediat  synojnë gjithnjë të gjejnë çka është më ngacmuese në fjalimet e Atit të Shenjtë, ose të njerëzve të tjerë të Kishës. Personalisht nuk besoj se mund të kufizohemi vetëm mbi këto aspekte. Në përshëndetjen time fillestare drejtuar Papës, fola për “ndreqje”. Thashë: presim me zemër të hapur  çdo inkurajim, e edhe korrigjim, që mund të shërbejë për ta përmirësuar me të vërtetë shërbimin tonë, sepse dëshirojmë t’i bëjmë një shërbim gjithnjë më të madh Kishës, Papës e popujve. Prej këndej, edhe vërejtjet e fjalimit të mbajtur nga Papa, duhen lexuar në këtë kontekst pozitiv. Më duket se kështu u pritën dhe u jetuan nga pjesëmarrësit”.

Në fjalimin e dorëzuar, Françesku kujton se nunci është i thirrur të jetë “njeri i Zotit”, përfaqësues i Kishës e i Papës, mision ky, “i papajtueshëm”, sipas Papës, “me pasjen e blog-ut” e sidomos, lidhjen me grupet, që mbajnë qëndrime armiqësore kundër tij e kundër Kishës. Si e gjykoni Ju këtë vërejtje?

“Besoj se është e drejtë. Nuk mund të pretendosh të ketë uniformitet mendimi, ka gjëra të diskutueshme, në kuptimin, që mund të diskutohen, siç na kujton aksioma: unitet në gjërat e nevojshme, liri në ato të dyshimta, dashuri e krishterë në të gjitha! Ne nuk harrojmë se jemi përfaqësues të Papës, e prandaj duhet t’ia themi atij me liri të plotë gjërat, që duhen thënë. Besoj se Ati i Shenjtë është gati të dëgjojë edhe komente, vërejtje, reflektime lidhur me një mori çështjesh. Njëkohësisht duhet të kërkojmë ta ruajmë unitetin, kusht për suksesin e veprimtarisë sonë në botë. Do të jemi  gjithnjë më të aftë në kryerjen e misionit, sa më shumë të jemi të bashkuar në problemet themelore. Pra, si përfaqësues papnorë, duhet të kemi me Papën unitet, bashkim me mësimet  e tij, që duhet pasqyruar, pastaj  më konkretisht në veprimtarinë tonë, në përkim të plotë me mendimin e Atit të Shenjtë”.

Çfarë mund të na thoni për dialogun me porta të mbyllura të Papës me nuncat?

“Ishte dialog shumë i hapur e i sinqertë, gjatë të cilit, me shumë thjeshtësi e vëllazëri - gjë që i karakterizoi të gjitha takimet e këtyre ditëve - u vu theksi mbi disa tema, të cilat nuk dua t’i përmend, me që e thamë se ishte takim me dyer të mbyllura. Natyrisht që nuncët i vlerësuan përgjigjet e Papës, sepse nuk pati frikë të hyjë në tema delikate, duke folur me shumë sinqeritet e me zemër të hapur”.

15 qershor 2019, 17:10