ITALY-POPE-MASS-CORPUS-DOMINI ITALY-POPE-MASS-CORPUS-DOMINI 

Papa: të dielën në lagjen romake Casal Bertone për kremtimin e Korpit të Krishtit

Mesha kremtohet nga Papa Françesku në Kishën e Shën Marisë së Ngushëllimit (S. Maria Consolatrice), me procesionin, pas, të udhëhequr nga Kardinali De Donatis, Vikar i Romës.

R.SH. - Vatikan

Pritet me gëzim të madh vizita e Papës Françeskut në lagjen romake të Casal Bertone, të dielën e ardhshme, në periferinë ekstreme lindore të kryeqytetit italian, në Kishën famullitare të Santa Maria Consolatrice, për kremtimin e solemnitetit të Corpus Domini, festës së Korpit e Gjakut të  Jezu Krishtit.

Papa Françesku do të kremtojë Meshën në Kishën e famullisë në orën 18.00, në përfundim do mbahet procesioni me të Shenjtueshmin Sakramentin, të cilin do të udhëheq kardinali Vikar i dioqezës së Romë Angelo De Donatis, nëpër rrugët e lagjes Casal Bertone e pas një udhëtimi prej 1.2 kilometrash deri do të mbërrijë në kampin sportiv ‘Pro Roma Calcio’, ngjitur me ‘Casa Serena’ , një strukturë e misionarëve të dashurisë që shërben për pritjen e të pastrehëve.

Procesioni me të Shenjtueshmin Sakrament na kujton ftesën e Krishtit për të ecur nëpër rrugët e botës duke ua çuar Lajmin e Mirë – Ungjillin të gjithë popujve e duke ua dhuruar dashurinë e Jezusit njerëzve të të gjitha shtresave e kohërave. Procesi është bekim i madh i Zotit për vendin ku përshkohet procesi me të Shenjtueshmin Sakrament, sepse përmes tij vëmë para syve e zemrës së Zotit vuajtjet e të sëmurëve, vetminë e të rinjve e të pleqve, tundimet, frikën, sfidat e shpresat, me një fjalë gjithë jetën tonë.

Në liturgjinë e së dielës do të përfshihen edhe shtatë famullitë tjera kishtare që janë pjesë e së njëjtës prefekture kishtare të dioqezës së Romës: San Barnaba, Sant'Elena, Santa Giulia Billiart, San Giuseppe Cafasso, San Leone I, San Luca Evangelista, Santi Marcellino dhe Pietro ad duas Lauros. Një hapësirë ​​ e veçantë do t’u  caktohet fëmijëve që këtë vit kanë marrë Sakramentin e Kungimit Parë e familjeve të tyre dhe një sektorë tjetër do të rezervohet për të moshuarit e të sëmurët, si dhe për animatorët dhe fëmijët e uratoreve.

"Kremtimi i festës së Korpit të Krishtit do të përurojnë edhe festimet e 75 vjetorit të famullisë sonë  kishtare - tha don Luigi Lani, famullitar i Santa Maria Consolatrice - Papa Françesku është Papa i katërt që vjen në Kishën tonë, pas Palit VI, Gjon Palit II dhe Benediktit XVI i cili ishte kardinali titulluar: besimtarët e famullisë po e prisnin Papën,  prandaj ka një gëzim të madh në komunitetin tonë për këtë vizitë jetët të rëndësishme për këtë zonë të Romës”.

Kisha katolike, çdo vit, i paraqet botës Corpus Domini – Korpin e Krishtit, dhe e fton ta adhurojë. Vështrimet e besimtarëve përqendrohen tek Sakramenti i Shenjt, në të cilin Jezu Krishti na la gjithë vetveten: korp (trup), gjak, shpirt e hyjni. Prandaj është konsideruar gjithnjë si më i Shenjti ndër Sakramente: I Shenjtueshmi Sakrament, kujtesë e gjallë e flijimit të Shëlbujesit Hyjnor, themeluar nga Jezusi atë të Enjte të Pashkëve, të cilën të gjithë e quajmë të Shenjtë e të Madhe, kur Shpërblyesi kremtoi Pashkën e Tij të mbramë me apostujt e vet: ishte Darka e Mbrame, përmbushje e darkës së Pashkëve hebraike dhe përurim i ritit Eukaristik

18 qershor 2019, 13:52