2019.03.08 Religioni e Obiettivi di Sviluppo Sostenibile  2019.03.08 Religioni e Obiettivi di Sviluppo Sostenibile  

Në Singapor, fe e harmoni shoqërore

Singapori, shembull i cili tregon se është plotësisht e mundur që njerëzit e feve të ndryshme mund të jetojnë së bashku, të bashkëpunojnë e të ndërtojnë një shoqëri më të mirë. Pohimi është i ipeshkvit Miguel Ángel Ayuso Guixot, kryetar i Këshillit papnor për dialogun ndërfetar.

R. SH. - Vatikan

Shembulli i Singaporit tregon se është plotësisht e mundur që njerëzit e feve të ndryshme të jetojnë së bashku e edhe të bashkëpunojnë. Pohimi është i ipeshkvit Miguel Ángel Ayuso Guixot, kryetar i Këshillit papnor për dialogun ndërfetar, që mori pjesë, më 19 deri më 21 qershor, në një konferencë ndërkombëtare kushtuar “Rolit të feve në krijimin e harmonisë shoqërore në shoqërinë pluralistike”. Gjatë punimeve, mbajtur në S. Rajaratnam School of International Studies (Rsis), të Nana yang Technological University(Ntu), me mbështetjen e ministrisë së kulturës, të bashkësisë e të rinisë (Mccy) të Republikës aziatike, morën pjesë relatorë me autoritet, ndërmjet të cilëve, kreu i qytet-shtetit organizator, presidenti Halimah Yacob, e edhe Mbreti Abdullah II i Jordanisë.

Në fjalën e tij, imzot Ayuso e mori shtytjen nga thellimi i intolerancës dhe opinioneve ekstremiste në botën tonë të globalizuar. Pa harruar, më pas, edhe përpjekjen për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve dhe të besimtarëve, së bashku me njerëzit vullnetmirë, që promovojnë vlerat e bashkëjetesës e të vëllazërimit njerëzor”, siç shprehet Papa Françesku në Deklaratën e nënshkruar së bashku me Imamin e madh të Al-Azhar, Ahmad Al-Tayyeb, më 4 shkurtin e kaluar, në Abu Dabi.

Me vetëdijen se feja mund të luajë një rol të rëndësishëm për krijimin  e harmonisë shoqërore në rrethana pluraliste, kryetari i dikasterit për dialogun ndërfetar nënvizoi ndikimin e Deklaratës konciliare “Nostra aetate” të Koncilit II të Vatikanit, në të cilën ipeshkvijtë katolikë, të mbledhur nga mbarë bota, theksuan: “Kisha i nxit bijtë e vet që, me urti e dashuri, përmes dialogut e bashkëpunimit me ndjekësit e feve të tjera, duke dëshmuar gjithnjë fenë dhe jetën e krishterë, të pranojnë, të ruajnë e të vlerësojnë vlerat shpirtërore, morale e shoqëroro-kulturore, që gjejnë ndë to”. Kisha dëshiron që të krishterët ta zbulojnë tjetrin”. Këtë kujtoi imzot Miguel Ángel Ayuso Guixot, duke cituar kardinalin Tauran:

“Nëse besimtarët kanë të drejtë ta praktikojnë fenë e tyre në vendet përkatëse të kultit, kanë edhe të drejtën, në kuadrin e normave e ligjeve themelore të shoqërisë, të bëjnë vepra bamirëse e të marrin pjesë në diskutimet kombëtare mbi dinjitetin e njeriut”.

Fetë - theksoi në përfundim imzot Miguel Ángel Ayuso Guixot -  “japin një nga kontributet më themelore për harmoninë e shoqërisë pluralistike”.  Përmes dialogut, i cili është në qendër të vëmendjes së tyre, krijojnë shkollën e humanitetit, që bëhet mjet i unitetit, duke dhënë ndihmesën e vet për ndërtimin e një shoqërie më të mirë, “të bazuar mbi respektin reciprok e miqësinë”. Kështu mund të kapërcehet çdo paragjykim e mund të krijohen mundësitë për të ecur në udhën e paqes, duke i sheshuar tensionet dhe keqkuptimet, klishetë e stereotipet, që krijojnë frikë e kundërshti. Në përfundim imzot Miguel Ángel Ayuso Guixot theksoi se falë frymës së respektit, solidaritetit e bashkëpunimit nga ana e të gjithë besimtarëve, “fanatizmi e ekstremizmi” mund të kundërshtohen e të zëvendësoshen me një shoqëri më të mirë, bazuar mbi solidaritetin e miqësinë ndërmjet njerëzve të të gjitha besimeve botërore”.

Singapori tregon se është plotësisht e mundur që njerëzit e feve të ndryshme të jetojnë së bashku, të bashkëpunojnë e të ndërtojnë një shoqëri më të mirë.

 

25 qershor 2019, 11:28