Yanomami, Amazona Yanomami, Amazona 

“Koha e Gjithësisë”: një muaj lutje dhe veprimtari ekumenike

Nisma ekumenike globale është mundësi e madhe për ta mbrojtur shtëpinë tonë të përbashkët, për të qenë kujdestarët e saj dhe për të administruar mirë dhuratat e saj. Kërkesa për pjesëmarrje vjen nga Dikasteri i Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor, i cili po merr përgjigje pozitive nga shumë dioqeza nëpër botë.

R.SH. - Vatikan

“Të gjithë të marrim pjesë në Kohën e Gjithësisë!” Kjo është kërkesa që u drejton ipeshkvijve Dikasteri vatikanas për Shërbimin e Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor, përmes një letre dërguar kohët e fundit, të cilën vetë Dikasteri e bën sot të njohur me një deklaratë për shtyp. Ftohen të gjithë barinjtë e Kishës të përgatisin këtë kremtim të veçantë ekumenik një mujor, me lutje dhe veprimtari për të mbrojtur shtëpinë tonë të përbashkët.

Të kremtojmë jetën, të mbrojmë gjithësinë

 Me Dikasterin bashkohen edhe Lëvizja Katolike Botërore për Klimën e Rrjeti Kishtar Pan-Amazonik. Të gjitha bashkësive kishtare u kërkohet të festojnë jetën dhe të mbrojnë gjithësinë e krijuar nga Zoti. Teksti, me fotografi të ndryshme, jep disa ide për kremtimin e kësaj ngjarjeje: që nga takimet e adhurimit të hostes e të lutjes, tek mbledhja e plehrave dhe mbeturinave; nga thirrjet për ndryshimin e politikës mbi ngrohjen globale, tek formimi i komiteteve për promovimin e ekologjisë së gjithanshme dhe tek pjesëmarrja në veprimtaritë që synojnë zbatimin e enciklikës “Laudato si”. Shumë dioqeza dhe famulli në mbarë botën kanë filluar tashmë të planifikojnë veprimtaritë e tyre. Koha e Gjithësisë është muaj ekumenik, i përbashkët me Bashkimin Anglikan, Federatën Botërore Luterane, Këshillin Botëror të Kishave dhe me Aleancën Ungjillore Botërore. Faqja e internetit e Kohës së Gjithësisë, “SeasonofCreation.org”, përmban informacione të tjera mbi këtë temë.

“Rrjeti i jetës”: biolarmia në rrezik

Tema e sugjeruar këtë vit nga Komiteti Drejtues Ekumenik është: “Rrjeti i jetës” dhe synon të theksojë nevojën për të mbrojtur biolarminë e botës. Vërtet, zhdukja e disa lloje kafshësh dhe bimësh po përshpejtohet. Një raport i kohëve të fundit i Kombeve të Bashkuara nënvizon se një ndër nëntë speciet ekzistuese mbi Tokë ka rrezik të zhduket. Koha e Gjithësisë lidhet ngushtë me Sinodin e ardhshëm të ipeshkvijve për Amazonën, i cili do të diskutojë pikërisht mbi ekologjinë e gjithanshme.

Jemi të gjithë me natyrën

 Letra e përmendur në njoftimin e sotëm për shtyp nënshkruhet nga imzot Bruno Marie Duffé, Sekretar i Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor. Në tekst, ai thekson se “kujdesi për gjithësinë ndihmon në mbrojtjen e trashëgimisë që na ka lënë Zoti Krijues, trashëgimi thelbësore për mirëqenien tonë”. Kujton edhe fjalët e Papës Françesku në “Laudato si’”: “Kjo na pengon ta konsiderojmë natyrën si diçka të ndarë prej nesh, ose si kornizë të thjeshtë të jetës sonë. Jemi përfshirë në të, jemi pjesë e saj dhe ajo depërton në ne”. Imzot Duffé citon edhe Benediktin XVI kur, në takimin me klerin e dioqezës Bolzano-Bressanone, komentoi detyrën e njerëzve që të kujdesen për natyrën, duke theksuar se kur Zoti i tha njeriut “ta nënshtrojë atë, nuk i dha urdhër ta skllavërojë, por i la si detyrë ta ruajë gjithçka kishte krijuar Ai i Lumi e t’i mbarështojë më tej dhuratat e Tij”.  

Të krishterët, të thirrur të kujdesen për Gjithësinë

Prefekti i Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor, kardinali Peter Turkson, pati nënshkruar, kohë më parë, një letër tjetër përkrahëse për “Kohën e Gjithësisë”, së bashku me kryeipeshkvin anglikan të Kanterbërit, me përfaqësuesin e Patriarkut Ekumenik Bartolomeu dhe me shumë të tjerë. Në tekst theksohet se “me përkeqësimin e krizës mjedisore, ne të krishterët jemi të thirrur urgjentisht të jemi dëshmitarë të fesë, duke vepruar me guxim për të mbrojtur dhuratën tonë të përbashkët”. Në deklaratën për shtyp citohen fjalët e Tomás Insua, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes Katolike Botërore për Klimën, i cili nënvizon: “Festojmë Kohën e Gjithësisë çdo vit, sepse ajo është një pjesë thelbësore e fesë sonë. Të nderojmë Krijuesin, të mbrojmë më të ligështit: këto janë vlerat themelore që mbështesim si katolikë dhe si të krishterë”.

18 qershor 2019, 15:38