Kërko

Cardinale Parolin in Kosovo2.jpg

Kardinali Parolin i sjell bekimin e Papës Françesku popullit të Kosovës

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin është, që të shtunën, në Kosovë, për një vizitë dyditore, që do të përfundojë sot pasdite.

R. SH. - Vatikan

Sekretari i Shetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin është, që të shtunën, në Kosovë, për një vizitë dyditore, që do të përfundojë sot pasdite. Tejet i ngarkuar me veprimtari, programi i vizitës, që nisi dje në mëngjes, në orën 11.00, me Meshën e kremtuar në Katedralen e Shën Nënë Terezës, në Prishtinë. Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin, u prit nga ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, nga autoritetet politike dhe fetare  e, posaçërisht, nga një turmë e madhe besimtarësh katolikë, ardhur  për të marrë pjesë në Meshën e Rrëshajëve, kremtuar nga përfaqësuesi i lartë i Selisë Apostolike.

Mesha, me Sakramentin e Krezmimit

Gjatë bashkëkremtimit eukaristik, një grup të rinjsh i dioqezës pati fatin e lum të marrë Sakramentin e Krezmimit nga dora e mysafirit të shumëdashur. Kardinali Parolin u kërkoi katolikëve, e edhe të gjithë kosovarëve, në përgjithësi, të jenë artizanë të paqes, gjithnjë e me të gjithë: “Jam shumë i gëzuar - theksoi përfaqësuesi i Selisë Apostolike - që gjindem në mes të besimtarëve të Kosovës, në një kremtim kaq të rëndësishëm, si ky i Rrëshajëve, e që po kremtoj Meshën në katedralen ipeshkvnore të  Prizren-Prishtinës, në zemër të Prishtinës plot gjallëri, e cila po jeton një periudhë ndryshimesh të shpejta drejt modernizimit, gjithnjë më pranë standardeve evropiane”.

Më pas, përshëndetja në emër të Papës:

“Kam nderin dhe kënaqësinë - vijoi - t’i sjell ipeshkvit tuaj, imzot Dodë Gjergji dhe gjithë të pranishëmve, përshëndetjet dhe bekimin e Papës Françesku, shpirtërisht shumë pranë popullit të Kosovës e, posaçërisht, bashkësisë katolike të këtyre trojeve”.

Në  këtë rrethanë, kardinali Parolin nënvizoi: “Edhe në çastet më të vështira të historisë, Kisha kosovare mbeti gjithnjë e vetëdijshme se është një pjesë sado e vogël, e Kishës së madhe Universale!”.

Përshëndetja e imzot Dodë Gjergjit

Nga ana e tij, imzot Dodë Gjergji,  theksoi kënaqësinë e thellë për praninë e kardinalit, e shtoi: “Këtë çast e kemi pritur prej shekujsh”.

Për të nënvizuar, më pas, besnikërinë e Kishës vendase ndaj pasardhësit të Pjetrit në rrjedhë vitesh e, së fundi, për të falënderuar Selinë e Shenjtë lidhur me mbështetjen që i dha përherë kësaj Kishe të shumëvuajtur.

Në Meshë ishin të pranishëm, ndërmjet tjerësh, Kryetari i Parlamentit, Kadri Veseli dhe zëvendës-kryeministri, Enver Hoxhaj, si dhe përfaqësues të bashkësive të tjera fetare të vendit.

Programi, në vijim

Vizita e kardinalit Parolin vijoi në orët e pasdites në qytetin e Prizrenit ku, në katedralen e kushtuar Zojës Ndihmëtare, Sekretari i Shtetit të Vatikanit  kryesoi një bashkëkremtim tjetër eukaristik.

Në fillim të homelisë, mbajtur me këtë rast, kardinali Parolin kujtoi rihapjen dhe rikushtimin e Katedrales së Zojës Ndihmëtare, pas përfundimit të punimeve të restaurimit:

“Ajo – theksoi - është dëshmitare e zanafillës së lashtë të Dioqezës së Prizrenit, që sot quhet e Prizren-Prishtinës; e ndërtuar  mbi mbetjet e disa kishave paraekzituese, ka shumë mundësi të ketë ardhur deri në kohët tona që nga shekulli V, epokë në të cilën u themelua dioqeza”.

Në vijim të homelisë, Hirësia e Tij u përcolli të pranishëmve përshëndetjen e Papës:

“Kam nderin e kënaqësinë t’ju sjell përshëndetjen dhe bekimin e Papës Françesku, si shenjë e afërsisë së tij plot përzemërsi për Kishën e Kosovës, e edhe vëmendjen Selisë së Shenjtë për bashkësinë tuaj të krishterë e cila, edhe pse e vogël, po jep kontributin e saj në lartimin moral  e shpirtëror të popullit kosovar. Është bashkësi plot me jetë e gjallëri, e radhitur prej shekujsh në kontekstin shumëfetar e shumëkulturor, në një tokë që është udhëkryq kulturash e popujsh e që qe e aftë t’i mbajë gjallë vlerat e fesë e të jetës së krishterë edhe në epoka posaçërisht të vështira, kur nuk kishte liri e feja qe e ndaluar”.

E këtë e dëshmojnë modelet e shenjtërisë, që nuk i munguan kurrë këtyre trojeve. Disa prej këtyre vlerave i shikojmë ndërmjet 38 Martirëve  të Shqipërisë, lumnuar në Shkodër, më 5 nëntor 2016. Këto vise, pastaj, janë vendlindje e prindërve të Anjeze Bojaxhisë, që sot njihet në të katër anët e botës me emrin Shën Nënë Tereza e Kalkutës:

“Prej këndej buron edhe lidhja e fuqishme që katolikët e, më gjërë, mbarë popullit kosovar kanë me Nënë Terezën, figurë-simbol i shenjtërisë së shekullit XX”.

Sot, 10 qershor, takime me autoritetet politike vendase

Sot, 10 qershor, paradite, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin u prit edhe nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Së fundi, para se të niste udhën drejt Italisë, sot, në orën 11.00. pranë Qendrës “Bogdani Polis”, u takua me klerin, rregulltarët e rregulltaret, katekistët e laikët.

10 qershor 2019, 11:06