Cerca

Vatican News
 Kard. Pietro Parolin Kard. Pietro Parolin 

Kardinali Parolin, Nuncëve: “lidhuni me zinxhirët” e Ungjillit, duke u bërë “të burgosur” të dashurisë së Zotit.

Në Meshën, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin, vuri në dukje tiparet që dallojnë shërbimin e Përfaqësuesit Papnor. Me këtë kremtim filloi takimi i thirrur nga Papa, që do të vijojë deri në shtunën e ardhshme. Në të do të marrin pjesë 103 përfaqësues papnorë, nga të cilët, 98 Nuncë Apostolikë e 5 Vëzhgues të Përhershëm.

R. SH. - Vatikan

Sjellje shembullore e kristaline në shërbim të njerëzimit, dashuri e apasionuar për Kishën e për njerëzit, shërbim i lartë, i kryer me përvujtëri të mirëfilltë. Janë këto, karakteristikat e Pëfaqësuesit Papnor, theksuar nga kardinali Pietro Parolin, sekretar i Shtetit të Vatikanit, në homelinë e Meshës, kremtuar sot paradite, në Bazilikën e Shën Pjetrit.

Shembullorë në sjellje

Duke u frymëzuar nga leximet e liturgjisë së sotme, Hirësia e Tij vuri në dukje se Jezusi, me mësimet dhe sjelljen e Tij, ia ktheu Ligjit “lëvizjen, lehtësinë”, duke e çliruar nga “suvatë sklerotizuese” e “armaturat e jashtme”, duke bërë të shpërthenin kundërshtitë, por edhe duke rigjetur “domethënien, shpirtin, logjikën e fundit”. Jemi vazhdimisht të thirrur ta vigjilojmë lidhjen tonë me ligjin - pohoi kardinali Parolin - duke pasur parasysh ligjin kanonik, pa përjashtuar as atë civil:

“Nga njëra anë, duhet të jemi rojtarët e parë: veprimtaria jonë si përfaqësues të Selisë së Shenjtë duhet të jetë gjithnjë shembullore; sjellja jonë, kristaline. Shërbimi ynë dhe të gjitha sistemet juridike të pranishme në botë janë (a duhet të ishin) në dobi të së mirës së njeriut, të çdo njeriu: të respektimit të të drejtave të tij, të ndërtimit të një shoqërie më të drejtë, të bashkëjetesës në paqe. Ligji duhet të jetë gjithnjë e vetëm në shërbim të njerëzimit!”.

Ligji i dashurisë

Dashamirësia është fjala kyçe për shërbimin, që duhet kryer në kushte të ndryshme:

“Veprimtaria e Kishës mund të favorizohet në njërën anë, ndërsa mund të kundërshtohet fuqimisht në të tjerat. Por asgjë e askush nuk duhet të na pengojë të duam. Me një dashuri  të apasionuar për Krishtin, për Kishën e Tij, një dashuri bujare për njerëzit, për popullsitë, pranë të cilave u dërguam e, posaçërisht, për të varfërit”.

Diplomacia e Ungjillit

Duke e marrë shtytjen nga Letra e Shën Palit, kardinali Sekretar i Shtetit të Vatikanit kujtoi lartësinë e pamasë të shërbesës, e, njëkohësisht,  relativizimin e shërbyesit.

Çdo shërbesë në Kishë, duke përfshirë edhe këtë të përfaqësisë papnore, nuk pasqyron lavdinë vetjake, por vetëm  atë  të Besëlidhjes së Re të lidhur me Krishtin. Çdo ditë në Meshë e kremtojmë kujtimin eukaristik, me fjalët e vetë Palit:

“Ky kelk është Besëlidhja e Re në gjakun tim’, duke u përpjekur të krijojmë vazhdimisht të gjitha lidhjet e nderimit e të vëllazërimit e duke i shërbyer diplomacisë së Ungjillit”.

Të shndërruar në zemër

Të jetojmë nën shenjën e varfërisë e të mundësive - porositi kardinali Parolin - sepse mund të jesh përfaqësues papnor “vetëm duke e nderuar detyrën që t’u besua e, njëkohësisht, duke dëshmuar përvujtëri të sinqertë. Kjo do të thotë të bëhesh pasqyrë e lavdisë së Zotit:

“Të shndërrohemi, pra, nga detyra jonë; nëse lajmëtarët duhet të bëhen një korp i vetëm me lajmin që kumtojnë, edhe përfaqësuesit papnorë janë të thirrur, në një farë mënyre, të shndërrohen nga kumti, që mbartin. Jo vetëm duhet ta bëjmë tonin stilin baritor të Atit të Shenjtë, që e përfaqësojmë në Shtetet e ndryshme, pranë të cilave jemi të akredituar, por zemra jonë prej barinjsh e ipeshkvijsh duhet të përkojë gjithnjë më shumë me Ungjillin e me Besën e Re, lidhur me Jezusin”.

Kredencialet e vërteta

Shndërrim ky - shpjegoi kardinali Parolin - që do të na bëjë burra me fe të gjallë, me përvujtëri të vërtetë, me dashuri të apasionuar për Zotin e për njeriun e me shërbim të pakushtëzuar për Kishën, Nusen e Krishtit:

“Të lutemi, vëllezër, që shërbimi ynë si Përfaqësues papnorë, të na mbajë të lidhur me zinxhirët e Ungjillit të Krishtit në mënyrë të pazgjidhshme, kështu që të bëhemi edhe ne ambasadorë gazmorë e guximtarë në zinxhirë, “të burgosur” përgjithnjë, të ligjit të dashurisë”.

Tri ditë me Papën

Kremtimi i sotëm hapi takimin e përfaqësuesve papnorë, të thirrur nga Papa Françesku deri të shtunën e ardhshme. Një asamble, që mblidhet çdo tri vjet e që pason ato të viteve 2013 e 2016. Në takim marrin pjesë 103 përfaqësues papnorë, nga të cilët 98 Nuncë Apostolikë e 5 Vëzhgues të Përhershëm. Në ditën përfundimtare, 15 qershor, ftohen edhe 46 Nuncë Apostolikë në pension.

Nesër është në program audienca me Papën e, ditët e ardhshme, takimi me me krerët e dikastereve të Kuries Romake si dhe me Ambasadorët e akredituar pranë Selisë së Shenjtë, me banim në Romë. Të shtunën paradite, Mesha në Shtëpinë e Shën Martës dhe një çast lutjeje në Kapelën Sikstine.

12 qershor 2019, 15:17