Cerca

Vatican News
 Sinagoga e Romës Sinagoga e Romës  (©CdG - stock.adobe.com)

Kardinali Parolin, në 25-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Izrael-Vatikan: mundësi të reja për bashkëpunim

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, mori pjesë, mbrëmë, në koncertin e muzikës së shenjtë hebraike, në Sinagogën e Romës, organizuar nga ambasada izraelite pranë Selisë Apostolike, për të kremtuar 25-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike të Izraelit me Vatikanin.

R. SH. - Vatikan

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, mori pjesë, mbrëmë, në koncertin e muzikës së shenjtë hebraike, në Sinagogën e Romës, organizuar nga ambasada izraelite pranë Selisë Apostolike, për të kremtuar 25-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike të Izraelit me Vatikanin.

Duke u drejtuar fjalën të pranishmëve, Sekretari i Shtetit të Vatikanit  kujtoi marrëdhëniet e mira ndërmjet dy shteteve, duke uruar të arrihet së shpejti mirëkuptimi mbi marrëveshjen fiskale lidhur me vendet e shenjta.

Kardinali vuri në dukje marrëdhëniet e mira ndërmjet Izraelit dhe Selisë së Shenjtë, duke nënvizuar posaçërisht se këto pesëdhjetë vjetët e fundit u shpeshuan takimet e u thellua mirëkuptimi reciprok, besimi i anasjelltë dhe miqësia e hebrenjve me katolikët:

“Marrëveshja Themelore ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Shtetit të Izraelit, nënshkruar më 30 dhjetor 1993, që hyri në fuqi më 10 mars 1994 – vërejti Hirësia e Tij - hapi një fazë të re në marrëdhëniet dypalëshe, duke krijuar mundësi të reja për bashkëpunim. Ajo u konkretizua me nënshkrimin e Marrëveshjes mbi personalitetin juridik të Kishës, procesi i zbatimit të të cilit është në përfumndim e sipër”.

Nisi edhe një proces i gjatë e delikat  bisedimesh në gjirin e Komisionit të Përhershëm Dypalësh të Punës ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Shtetit të Izraelit për të arritur në Marrëveshjen mbi çështjet financiare, që urojmë të përfundojë sa më shpejt. Në këtë përvjetor, dëshiroj të përgëzoj Shtetin e Izraelit që, duke e mbështetur Kishën Katolike, i siguroi lirinë për ta kryer misionin e për t’i dhënë kontributin e saj shoqërisë izraelite:

“Ndërmjet veprimtarive të ndryshme të Kishës, duhet vënë posaçërisht në dukje  ai i shkollave katolike që, përmes edukimit me vlerat themelore, me frymën e dialogut dhe të respektit reciprok, japin ndihmesën e tyre për krijimin e një shoqërie më të drejtë  e më paqësore”.

Urojmë - vijoi kardinali Parolin - të mos mungojë kurrë përkimi me frymën e Marrëveshjes Themelore për thellimin e bashkëpunimit me Kishën Katolike në Izrael e që vendi të mund të dëshmojë me krenari se demokracia e tij u siguron të gjithëve të drejta të barabarta e edhe mundësi  të njëjta për ndërtimin e ardhmërisë, me paqe e harmoni.

Këto 25 vjet – nënvizoi më tej Hirësia e Tij - ishin të pasura me vizita papnore në Izrael e të Autoriteteve izraelite, në Vatikan, si dhe me një sërë nismash  në favor të dialogut ndërfetar:

“Dëshiroj të kujtoj posaçërisht takimin e lutjes me Presidentët izraelit e palestinez, më 8 qershor 2014, në Vatikan, në pesëvjetorin e ngjarjes.  Siç dihet, Papa dhe Selia e Shenjtë e kanë shumë për zemër  procesin e paqes dhe ardhmërinë e rajonit”.

Kardinali Parolin kujtoi edhe “karakterin unik të Tokës Shenjte”, Tokë tepër e pasur me histori e me fe, tejet e dashur për zemrën e  besimtarëve  hebrenj, kristianë e myslimanë:

“Jeruzalemi, qytet i paqes, është zemra e kësaj Toke. Pasuri e përbashkët për besimtarët e të tri feve të mëdha, që besojnë në një Zot të vetëm e edhe e mbarë botës. Urojmë, prandaj, që angazhimi ynë fetar e politik ta bëjë këtë Qytet vend pajtimi e takimi ndërmjet feve, e edhe simbol i respektit dhe i bashkëjetesës paqësore”.

Selia e Shenjtë dhe Shteti i Izraelit janë të thirrur t’i bashkojnë forcat  për të favorizuar lirinë fetare, atë të kultit e të ndërgjegjes, parë si kusht i domosdoshëm për të mbrojtur dinjitetin e çdo njeriu si dhe për t’iu kundërvënë së bashku antisemitizimit:

“Gjatë këtyre viteve Selia e Shenjtë dhe Shteti i Izraelit manifestuan të njëjtën përgjegjësi në këtë luftë, angazhim ky i pohuar edhe në Marrëveshjen Themelore, që duhet të vijojë, duke luftuar çdo formë të intolerancës fetare e duke promovuar mirëkuptimin reciprok ndërmjet Kombeve, tolerancën ndërmjet bashkësive dhe respektin për dinjitetin e jetës njerëzore”.

Kisha - vijoi kardinali Parolin - i dënon urrejtjen, persekutimin dhe të gjitha shprehjet e antisemitizmit kundër hebrenjve në çdo kohë e nga kushdo qoftë.

“Ky përvjetor - përfundoi kardinali Parolin -  na ndihmoftë ta gjallërojmë angazhimin për  forcimin e mëtejshëm e konkret të miqësisë sonë”.

Në përfundim të takimit, një delegate e zyrës izraelite të Turizmit shpjegoi se shtegtimet në Tokën Shenjte janë gjithnjë në rritje. Zakonisht 27 deri në 30%  turistëve në Izrael janë shtegtarë – kujtoi Avital Kotzer Adari –  e  gjatë kësaj vere presim që numri të jetë edhe më i madh. Avionet arrijnë të gjithë përplot me shtegtarë, të cilët vitet e fundit dëshirojnë ta zgjerojnë horizontin përtej viseve thjesht fetare, duke u njohur nga afër edhe me  Shtetin e Izraelit.

14 qershor 2019, 13:40