Kërko

Shugurime meshtarake Shugurime meshtarake 

Kardinali Comastri: t’i ndihmojmë e t’i falenderojmë meshtarët

Në festën e Zemrës së Krishtit, kremtohet edhe Dita Botërore e Shenjtërimit të Meshtarëve. Të gjithë duhet t’i mbështesim meshtarët në shërbimin e tyre, dhuratë e Zotit për krejt njerëzimin. Intervistë me kardinalin Angelo Comastri.

R.SH. - Vatikan

Rast i volitshëm, ky i sotshmi, në solemnitetin e Zemrës së Krishtit, që të gjithë meshtarët të reflektojnë mbi vlerën e çmuar të shërbimit të tyre për besimtarët dhe për gjithë njerëzimin, ndërsa kremtohet Dita Botërore e Shenjtërimit Meshtarak. Ftohen të gjithë besimtarët të jenë të vetëdijshëm për ndihmën që duhet t’u japin barinjve të tyre, në mënyrë që ta kryejnë sa më mirë detyrën.

Lodhja “e bukur” e meshtarit

         “Meshtari - kujton Papa Françesku - është më i varfëri i njerëzve, nëse Jezusi nuk e pasuron me varfërinë e Tij; është shërbëtori më i padobishëm, nëse Jezusi nuk e quan mik; është njeriu më i pamend, nëse Jezusi nuk e udhëzon me durim si shën Pjetrin; është i krishteri më i pambrojtur, nëse Bariu i Mirë nuk e përforcon në grigjën e vet. Askush nuk është më i vogël se meshtari i lënë vetëm me forcën e vet”. Pikërisht për këtë arsye, Dita Botërore e Shenjtërimit të Meshtarëve kremtohet në festën e Zemrës së Krishtit, siç na shpjegon kryeprifti i Bazilikës së Shën Pjetrit, kardinali Angelo Comastri, Vikar i Përgjithshëm i Papës për Qytetin e Vatikanit:

         Lidhja ndërmjet Zemrës së Krishtit dhe meshtarisë është e drejtë. Në fakt, meshtarët janë dhuratë e dashurisë së Zotit. Famullitari i Arsit thoshte se “meshtari i shenjtë është dhurata më e bukur që Hyji mund t’i bëjë popullit të vet”. Le të mendojmë për shën Vinçenc de Paolin, për të mirat që bëri: ishte meshtar. Por, edhe për don Gjon Boskon, për të mirat që bëri dhe për këshillat, që dha në fushën e edukimit të të rinjve: edhe ai, meshtar. Mendoni për don Luigji Orionen: arriti të mahnisë edhe të riun Injacio Silone. Le të mendojmë për don Karlo Njokin: pasi dhuroi gjithçka, me testament, dhuroi edhe sytë e ballit. E don Oreste Benxi? Janë vetëm disa shembuj, se s’mund t’i përmend të gjithë. Natyrisht, ekziston edhe misteri i Judës, por të mos harrojmë: Juda është një e, njëmbëdhjetë dishepujt e tjerë vdiqën martirë. Meshtari paguan edhe çmimin e dobësisë njerëzore, por sa priftërinj janë të shenjtë, sa bukuri meshtarie ka rreth e rrotull. Falënderojmë Zotin: është dhuratë e Zemrës së Krishtit.

         Dita e Shenjtërimit Meshtarak duhet të jetë edhe rast që të lutemi për meshtarët, apo jo?

         Sigurisht, sidomos duhen ndihmuar ata. E, nganjëherë, u duhet thënë “faleminderit”, duhen vlerësuar, duhet thënë një lutje, sepse lutja është gjithnjë dhuratë e madhe dhe i bën mirë meshtarit. Për shembull, unë takohem me shumë njerëz e, kur ndokush më thotë: “Dëgjova në homelinë tënde atë fjalë, që më bëri shumë mirë”, kënaqem, ngushëllohem dhe inkurajohem. Ja pra, nganjëherë, edhe meshtarët duhen inkurajuar.

28 qershor 2019, 12:31