Sea Watch: fillimi i zbarkimit të migrantëve Sea Watch: fillimi i zbarkimit të migrantëve 

Kard. Parolin për Sea Watch 3: ylli polar është të shpëtohen jetë njerëzore

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, foli për problemin e anijes së OJQ-së gjermane, ankoruar në Lampeduzë, pavarësisht nga urdhëri i kundërt, dhënë nga motovedeta e Rojës italiane të Financës.

R. SH. - Vatikan

Sekretari i Shtetit të Vatikanit u shpreh për ngjarjen e anijes së OJQ-së gjermane, që u ankorua në Lampeduzë, pavarësisht nga urdhëri i kundërt, dhënë nga motovedeta e Rojës italiane të Financës, e cila gati u ndesh me  anijen,  prej ditësh në qendër të vëmendjes së mediave të mbarë botës:

“Unë besoj - tha Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Parolin, në Potenza, ku ndodhej, duke iu përgjigjur gazetarëve në përfundim të festës së gazetës Avvenire - se jeta njerëzore duhet shpëtuar në të gjitha mënyrat.  E ky duhet të jetë ylli polar, që na prin, pastaj gjithçka tjetër është e dorës së dytë”.

Dy fjalë, për ngjarjen e shumëdiskutuar

Kujtojmë se Anija ”Sea-Watch” u ankorua me forcë në portin e Lampeduzës, natën ndërmjet së premtes e së shtunës dhe kapitenia, Carola Rackete u arrestua, pasi ia arriti të zbarkonte të 40 migrantët e bllokuar në bord prej 17 ditësh.

Ministri i Brendshëm italian e denoncoi këtë si  veprim kriminal e akt lufte e, duke kërkuar burgim për gjermanen 31 vjeçare, premtoi se do ta  sekuestronte anijen dhe do të gjobiste rëndë OJQ-në.

Pas 60 orë të tensionuara për migrantët në bord, Carola Rackete u detyrua në fund të kalojë me forcë bllokadën, pavarësisht anijes së patrullimit të policisë, e ngarkuar për të penguar ankorimin e anijes.

40 migrantët tani janë në Lampeduzë: Franca do të strehojë dhjetë

Të 40 emigrantët  zbritën nga anija, për t’u zhvendosur, më pas, në një qendër strehimi të Ishullit. Para se të zbarkoheshin, përshëndetën dhe përqafuan vullnetarët e OJQ-së, që u qëndruan shumë pranë gjatë këtyre dy javëve. Nga anija zbritën edhe parlamentarët, bashkuar, për solidaritet, me migrantët dhe ekupazhin. Migrantët tani duhet të shpërndahen në vende të ndryshme evropiane. Franca ka shprehur gatishmërinë të pranojë 10 prej tyre.

30 qershor 2019, 12:35