Kërko

Kardinali Ivan Dias Kardinali Ivan Dias 

Kardinali Ivan Dias, bari i urtë e i njerëzishëm, në përvjetorin e vdekjes

Sot përkujtojmë dy vjetorin e vdekjes së kardinalit Ivan Dias, Nuncit të parë të Selisë së Shenjtë në Shqipëri, pas rënies së diktaturës komuniste. “Atë i Shenjtë – i pati thënë Gjon Palit II në Katedralen e Shkodrës – Shqipëria ju pret me mirënjohje të thellë për miqësinë plot kujdes, që Ju keni treguar gjithnjë ndaj saj, dhe për faktin se i keni qëndruar afër me lutje gjatë natës së gjatë të mundimeve e të peripecive të saj”.

R.SH. - Vatikan

Si sot, më 19. 06. 2017, ndërronte jetë në Romë, në moshën 81 vjeç, kardinali Ivan Dias,  kryeipeshkëv nderi i Bombay dhe Prefekt nderi i Kongregatës së Selisë së Shenjtë për Ungjillëzimin e Popujve, i mirënjohur nga shqiptarët si Nunci  parë Apostolik në vendin e shqipeve, pas komunizmit, nga viti 1991 në vitin 1997.

Në telegramin e ngushëllimit, që i pati drejtuar vëllait të kardinalit të ndjerë,  Papa Françesku kujtonte vlerësimin dhe kontributin, që i dha Kardinali i ndjerë Ivan Dias Kishës, përmes shërbimit të tij të çmuar diplomatik në të katër anët e botës, e, posaçërisht, në Shqipërinë e pas-diktaturës komuniste, në rrethanat tejet të vështira të riorganizimit të hierarkisë së Kishës katolike.

Papa Françesku i kujtonte me mirënjohje vitet e shërbimit besnik ndaj Selisë Apostolike të kardinalit Ivan Dias, e posaçërisht, kontributin për rindërtimin shpirtëror e fizik të Kishës së martirizuar të Shqipërisë. Kujtoi edhe zellin e tij misionar në punën  si Prefekt i Kongregatës së Vatikanit për Ungjillëzimin e Popujve, pa harruar edhe kujdesin tij baritor dhe vizionin e gjerë apostolik, që e dalluan misionin dhe shërbimin e tij si kryeipeshkëv të kryedioqezës së Bombay-t.

Shërbim ndërkombëtar

Pak a shumë gjysmë shekulli në shërbim të Selisë së Shenjtë, duke pasur botën për shtëpi, para se të qëndronte përfundimisht në Romë. Ky ishte kardinali Ivan Dias nga viti 1964, kur hyri në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, e deri më 2006, kur Papa Benedikti XVI i kërkoi të drejtonte dikasterin për Ungjillëzimin e Popujve. U lind në Mumbai, më 14 prill 1936 e ndërmjet viteve 1965-73 shërbeu si sekretar nunciature në Danimarkë, Suedi, Norvegji, Islandë, Finlandë, Indonezi, Madagaskar, Ishulli Reunion, Ishujt Komore, Mauricius.

Pastaj, deri në vitin 1982, drejtoi seksionin e Sekretarisë së Shtetit për Bashkimin Sovjetik, Shtetet Baltike, Bjellorusinë, Ukrainën, Poloninë dhe Bullgarinë. Ndër impenjimet e tij më delikate kanë qenë marrëdhëniet me Kinën, por edhe me Vietnamin, Laosin dhe Kamboxhien. Më pas e zgjeroi horizontin drejt Afrikës, në veçanti, duke marrë kontakte me Afrikën e Jugut, Namibinë, Lesoton, Svacilandin, Zimbabven, Etiopinë, Ruandën, Burundin, Ugandën, Zambien, Kenian, Tanzaninë. Në vitin 1982 shugurohet ipeshkëv e bëhet pro-nunc apostolik në Gana, Togo dhe Benin.

Shqipëria pas diktaturës

Nga Afrika shkon në Azi (1987-91) si pro-nunc apostolik në Korenë e Jugut e pastaj, kthehet në Evropë, si nunc apostolik në Shqipëri, nga viti 1991 deri në vitin 1997. Për atdheun e shqipeve është çast i veçantë, viti i ringjalljes, viti zero pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik e rënies së diktaturës komuniste. Për popullin kishte ardhur koha të gjente një rrugë të re e për Kishën Katolike, koha për t’u ringritur në këmbë pas një persekutimi të paparë.

Imzot Ivan Dias i atëhershëm, që akoma nuk ishte kardinal, u bë zëri i Kishës në Shqipëri dhe i asaj pjese të popullsisë, që e kishte pritur shumë këtë ditë. Më 25 prill 1993, kur në katedralen e Shkodrës, Papa shenjt Gjon Pali II shkoi të shuguronte katër ipeshkvijtë e parë, duke rikrijuar hierarkinë kishtare pas fundit të regjimit komunist, imzot Ivan Dias e përshëndeti me fjalë mallëngjyese: “Atë i Shenjtë – i tha – Shqipëria ju pret me mirënjohje të thellë për miqësinë plot kujdes, që Ju keni treguar gjithnjë ndaj saj, dhe për faktin se i keni qëndruar afër me lutje gjatë natës së gjatë të mundimeve e të peripecive të saj”.

Kthimi në Indi, pastaj, në Romë

Në vitin 1996 mbërrin ora e kthimit në atdhe si kryeipeshkëv i Bombeit. Dhjetë vjet shërbim baritor, gjatë të cilave, në vitin 2001, Papa Wojtila i jep purpurin kardinalor. U kthye në Romë me kërkesën e Benediktit XVI, i cili e emëroi prefekt të Propaganda Fide-së, detyrë, që kardinali Ivan Dias e kreu deri në maj 2011. Gjatë viteve të fundit në Romë, lufta diskrete me sëmundjen që e mundonte, me atë stil “marian”, me të cilin e kujtoi në një intervistë për Asia News, pasardhësi i tij në Kishën e Mumbait, kardinali Oswald Gracias. Ndërroi jetë si sot, më 19 qershor 2017 në Romë. Kardinali Ivan Dias pushon në paqen e Zotit në Kapelën e Propaganda Fides, në varrezën romake të Veranos

19 qershor 2019, 13:06