Kërko

 Takimi  për  format e reja të jetës së kushtuar Takimi për format e reja të jetës së kushtuar 

Imzot Carballo, për normat e reja të jetës së kushtuar: ruajeni larminë karizmatike

Tema e “formave të reja të jetës së kushtuar”, do të jetë një nga më themeloret në Plenaren e ardhshme të Kongregatës për Institutet e Jetës së Kushtuar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike: njoftimin e dha, të shtunën e kaluar, sekretari i të njëjtit dikaster vatikanas, kryeipeshkvi José Rodriguez Carballo, në seancën përfundimtare të Takimit V botëror të formave të reja të jetës së kushtuar.

R. SH. - Vatikan

Gjatë takimit, imzot Carballo u solli të pranishmëve, përshëndetjen dhe bekimin e Papës Françesku, me të cilin kishte folur pak orë më parë, duke theksuar se Ati i Shenjtë interesohet shumë për këto forma të reja. Takimi i këtij vitit, mbajtur në Romë nga 13 deri më 15 qershor, u shqua për pjesëmarrje numerike shumë më të madhe (130 pjesëmarrës, nga 22 vende), sesa pesë të tjerët, mbajtur deri tani, si dhe me praninë e 39 formave a familjeve të reja  kishtare, të cilat diskutuan rreth temës: “Duke hapur udhë: kushtimi dhe jeta e formave të reja  të jetës rregulltare”.

Temat e grupeve të ndryshme të punës

Imzot Carballo kryesoi seancën përfundimtare të takimit, në të cilën folën zëdhënësit e grupeve të ndryshme të punës. Nocioni i kushtimit në gjendje të ndryshme të jetës, bashkimi në mision, mënyrat e përkatësisë sipas gjendjes së jetës dhe termi “familja kishtare”, ishin disa nga temat themelore, që u prekën. Përveç tyre, grupet në të cilat qenë ndarë pjesëmarrësit, reflektuan mbi disa  koncepte, të propozuara nga relatorët e takimit: “kushtimi karizmatik” u vu në dukje nga Lourdes Grossi; termi “familja kishtare dhe marrëdhëniet ndërmjet gjendjeve të ndryshme të jetës”, u propozua nga Atë Friedrich Bechina; “Kushtimi, si Besë e lidhur me Zotin”, u thellua nga atë José Cristo Rey Garcia Parede; “Bashkimi misionar” u analizua nga atë Rodrigo Moya.

Imzot Carballo: Shpirti Shenjt nuk përsërit, krijon!

Sekretari i Kongregatës për Institutet e Jetës së Kushtuar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike e vlerësoi pozitivisht varietetin karizmatik, parë si shenjë  që tregon se “Shpirti Shenjt nuk përsërit, por krijon”. Në vijim, theksoi disa aspekte, që duhen pasur parasysh për punën e ardhshme të formave të reja: korniza juridike, vetëdija se ligji duhet ta ndihmojë jetën; bashkimi kishtar, lidhja me themeluesit e themelueset, kuptimi i shërbimit të autoritetit, nocioni i kushtimit dhe rëndësia e formimit.

Çka i dallon të kushtuarit e rinj, është frymëzimi për bashkim mistik e shenjtëri

Çka i dallon të kushtuarit e rinj, është frymëzimi për bashkim mistik e për shenjtëri si dhe vetëdija se për të ndihmuar që Kisha të jetë tharm shenjtërie, jeta e kushtuar duhet të ketë autoritet moral. Motra Margarete Binder, drejtuese ndërkombëtare e Familjes Shpirtërore L’Opera, kujtoi  takimin privat me Benediktin XVI, gjatë të cilit Papa i Nderit , duke i folur për format e reja, e këshilloi të mos i harrojë kurrë tri “fjalë” themelore: “durim, ngulm, lutje!”.

Së fundi, atë Rodrigo Carrizo, drejtues i Vëllazërisë Misionare “Verbum Dei”, pohoi se format e reja janë udhë në ndërtim e sipër e se hapen edhe për të tjerat, që do të vijnë në të ardhmen. Format e reja, të lindura duke nisur nga shekulli XX, kanë shumë tipare të përbashkëta, si pranimi i të gjitha gjendjeve të jetës dhe angazhimi për t’iu përgjigjur sfidave të ungjillëzimit të ri.

17 qershor 2019, 18:37