Kërko

 Imzot. Fernando Chica Arellano duke folur në sesionin e 41-të të Konferencës së Fao-s Imzot. Fernando Chica Arellano duke folur në sesionin e 41-të të Konferencës së Fao-s  

Imzot Arellano, Faos: bujqësia e qëndrueshme, ndihmë për familjet fshatare

Kryeipeshkvi Fernando Chica Arellano, kryetar i delegacionit të Selisë së Shenjtë, foli këto ditë në sesionin e 41-të të Konferencës së Fao-s me temë: “Emigrimi, agrikultura dhe zhvillimi i fshatit”. U ndalua posaçërisht tek familjet fshatare, “rojtare të urtisë e të përvojës tradicionale” si dhe tek roli i gruas.

R. SH. - Vatikan

“Dhimbja dhe hidhërimi i migrantëve, qenie njerëzore, si ne, por të detyruara t’i braktisin tokat dhe shtëpitë e të ikin për të shpëtuar nga varfëria, nga persekutimi, nga pasojat e dëmshme të ndryshimeve klimaterike dhe nga fatkeqësitë natyrore”, ishin në qendër të fjalimit të kryipeshkvit Fernandos Chica Arellano, kryetar i delegacionit të Selisë së Shenjtë, në sesionin e 41-të të Konferencës së Fao-s, me temë: “Migrimi bujqësia e zhvillimi i fshatit”.

Migrantë, sepse të çkurajuar e të dëshpëruar

Imzot Arellano nënvizoi se numri i migrantëve është në rritje të vazhdueshme e, në vijim, u përqendrua tek shkaqet kryesore të migrimit: “Njerëzit nuk ikin nga qejfi, por nga dëshpërimi, i cili shpesh diktohet  prej pamundësisë për të siguruar atë bukë të përditshme, që është pjesë përbërëse e së drejtës  për të jetuar”. Përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë  kujtoi se jemi ende shumë larg realizimit të objektivave të caktuara nga Agjenda e 2030-tës, që synon të krijojë një botë pa njerëz të uritur. “Pas disa vjetësh me të dhëna inkurajuese - pohoi - vijojmë të shikojmë si shtohet vazhdimisht numri i njerëzve të uritur në mbarë botën”.

Propozimi i Selisë së Shenjtë

Propozimi i Selisë së Shenjtë është “që të jepen udhëzime, të cilat ndihmojnë në promovimin e nismave të frytshme, në shërbim të kërkesave të njeriut”. Nuk mund ta harrojmë - kujtoi imzot Arellano - rolin qendror që ka agrikultura mbi fatet e migrimit, të urisë e të varfërisë. Prandaj është themelore të investohet për një bujqësi afatgjatë, që lejon krijimin e infrastrukturave të përshtatshme dhe përdorimin e teknologjive të reja, duke vlerësuar burimet vendase.

Papa për mikpritjen e emigrantëve

Më pas, duke cituar Global Compact për një migracion të sigurt e të rregullt, përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë kujtoi se “duhet të punohet së bashku, për të krijuar kushtet, që u japin bashkësive dhe individëve  mundësinë për të jetuar të sigurt e me dinjtet në vendin e tyre”. E këtu imzot Arellano citoi fjalët e Papës Françesku, që thekson vazhdimisht detyrimin për t’i mikpritur, për t’i mbrojtur, për t’i promovuar e për t’i integruar ata, që arrijnë ditë për ditë nga vendet në rrugë zhvillimi, në kërkim të një jete më dinjitoze e më të qetë.

27 qershor 2019, 11:36