Cerca

Vatican News
Dokumenti  i Kongregatës për Edukimin Katolik “Mashkull e femër i krijoi. Për një rrugë dialogu mbi çështjen gjinore në fushën e edukimit” Dokumenti i Kongregatës për Edukimin Katolik “Mashkull e femër i krijoi. Për një rrugë dialogu mbi çështjen gjinore në fushën e edukimit” 

Dokument vatikanas për çështjen gjinore: “po” dialogut për studimet, “jo” ideologjisë

Mjet për debatin mbi seksualitetin njerëzor dhe mbi sfidat e ideologjisë gjinore, në një kohë emergjence edukative. Kështu synon të jetë dokumenti “Mashkull e femër i krijoi. Për një rrugë dialogu mbi çështjen gjinore në fushën e edukimit”, nënshkruar nga kardinali Giuseppe Versaldi, prefekt i Kongregatës për Edukimin Katolik, dhe nga kryeipeshkvi Vincenzo Zani, Sekretar i Dikasterit. Dokumenti u paraqit sot, në Vatikan.

R.SH. - Vatikan

Qëllimi i dokumentitMashkull e femër i krijoi. Për një rrugë dialogu mbi çështjen gjinore në fushën e edukimit” është të mbështesë ata, që merren me edukimin e brezave të rinj për të përballuar “metodikisht” çështjet më të debatuara për seksualitetin njerëzor, në dritën e horizontit më të gjerë të edukimit në dashuri. Në veçanti, u drejtohet bashkësive arsimore të shkollave katolike dhe atyre që, të frymëzuar nga krishterimi, punojnë në shkollat e tjera, u flet prindërve, nxënësve, personelit, por edhe ipeshkvijve, meshtarëve dhe rregulltarëve, lëvizjeve kishtare dhe shoqatave të besimtarëve. Kongregata e Selisë së Shenjtë për Edukimin Katolik, e cila ka përgatitur tekstin, flet për “emergjencë edukative”, veçanërisht, përsa u përket temave të dashurisë dhe të seksualitetit, para “formave të ndryshme të një ideologjie, që, përgjithësisht, quhet “gjinore”, e cila mohon reciprocitetin dhe dallimet ndërmjet burrit e gruas, “konsideruar thjesht, pasoja të kushteve kulturoro-historike”.

Prandaj, identiteti, sipas kësaj ideologjie, mund të përcaktohet në mënyrë individuale e “mund të ndryshojë me kalimin e kohës”. Dokumenti i Kongregatës së Selisë së Shenjtë për Edukimin Katolik e quan këtë gjendje “çorientim antropologjik”, karakteristik për atmosferën kulturore të kohës sonë, që kontribuon edhe në shkatërrimin e familjes. Ideologji, e cila, ndër të tjera, “nxit projekte arsimore dhe orientime legjislative, që promovojnë një identitet personal dhe një intimitet afektiv, të shkëputur rrënjësisht nga dallimi biologjik mashkull-femër”, vihet në dukje më tej, duke cituar “Amoris laetitia”. Në këtë kuadër, Dokumenti synon të promovojë një “metodologji të bazuar në tri qëndrime: dëgjimi, arsyetimi dhe propozimi”. Tekst, që frymëzohet nga dokumenti “Orientime edukative mbi dashurinë njerëzore. Udhëzime për edukimin seksual” i vitit 1983 dhe pasurohet me citime të Papës Françesku, Benediktit XVI, Shën Gjon Palit II, por edhe me pjesë nga Koncili II i Vatikanit, nga Kongregata për Doktrinën e Fesë dhe nga dokumente të tjera.

Dialog, përmes dëgjimit, arsyetimit e propozimit

Duke hyrë në udhën e dialogut për trajtimin e çështjes gjinore në fushën e edukimit, Dokumenti i Vatikanit bën dallime ndërmjet “ideologjisë gjinore dhe punës kërkimore mbi gjininë, kryer nga shkencat humane”, duke vënë në dukje se ideologjia “pretendon, siç nënvizon Papa Françesku, t’u ‘përgjigjet aspiratave të caktuara, nganjëherë, edhe të kuptueshme’, por përpiqet “të imponohet si mendim i vetëm, që përcakton edhe edukimin e fëmijëve”, ndërsa nuk mungojnë studimet mbi gjininë, që përpiqen të thellohen si duhet në mënyrën e përjetimit të ndryshimeve burrë-grua në kultura të ndryshme. Dokumenti nënvizon se pikërisht, duke pasur parasysh këto studime, mund të hapet një udhë dialogu përmes “dëgjimit, arsyetimit dhe propozimit”.

Në historinë e shkurtër mbi konceptimin gjinor në shekullin XX, vihet në dukje se, në fillim të viteve ‘90, u arrit deri në “teorizimin e një ndarjeje radikale ndërmjet gjinisë (gender) dhe seksit (sex), duke i dhënë përparësi së parës. Kjo ‘arritje’ konsiderohet fazë e rëndësishme në evolucionin e njerëzimit, i cili, në perspektivë, shihet ‘si shoqëri pa dallime gjinore’”. Në “një kundërvënie në rritje ndërmjet natyrës dhe kulturës”, propozimet gjinore rrjedhin së bashku në të ashtuquajturin “queer”, domethënë në një “përmasë të lëngshme”, “deri në atë pikë, sa të pretendohet emancipimi i plotë i individit nga çdo përcaktim seksual i dhënë ‘a priori’, me pasojë zhdukjen e klasifikimeve, që konsiderohen të ngurta”.

Pika takimi e pika kritike

Më pas, Dokumenti vë në dukje “disa pika të mundshme takimi për të rritur mirëkuptimin e ndërsjellë”, në kuadrin e punës kërkimore gjinore. Vlerësohet nevoja për t’i edukuar fëmijët me respekt për çdo njeri, pavarësisht nga gjendja e tij e veçantë dhe e ndryshme nga të tjerët, në mënyrë që “askush, të mos bëhet objekt bullizmi, dhune, fyerjeje e diskriminimi të padrejtë, për shkak të gjendjes së tij personale (aftësive të kufizuara, racës, fesë, prirjeve emocionale etj.)”. Theksohet se pikë tjetër e rëndësishme për ta kuptuar fenomenin nga këndvështrimi antropologjik është “vlera e feminitetit, që theksohet në reflektimin mbi gjininë”. Vihet në dukje gatishmëria e madhe e grave për t’iu kushtuar marrëdhënieve njerëzore, sidomos në favor të më të brishtëve: gratë realizojnë “një lloj amësie emocionale, kulturore dhe shpirtërore, me vlerë vërtet të paçmuar, për shkak të ndikimit në zhvillimin e njeriut dhe në të ardhmen e shoqërisë”.

 Përsa i përket çështjeve kritike të jetës reale, vihet në dukje se teoritë gjinore - veçanërisht ato më radikale - çojnë në një largim nga natyra: “identiteti seksual dhe familja” bazohen kështu, në “një liri të keqkuptuar të ndjenjave dhe vullnetit”. Dokumenti ndalet mbi argumentet racionale, që e bëjnë të qartë centralitetin e trupit si “element integrues të identitetit personal dhe të marrëdhënieve familjare”: “trupi është subjektivitet, që komunikon identitetin e qenies”. Dimorfizmi seksual, pra, dallimi seksual ndërmjet burrit dhe gruas, vërtetohet nga shkencat, për shembull nga kromozomet.

Vihet në dukje edhe se “procesi i identifikimit pengohet nga ndërtimi fiktiv i një ‘gjinie neutrale’, ose i një ‘gjinie të tretë’”. Dokumenti u referohet disa shembujve të analizës filozofike. Formimi i identitetit bazohet pikërisht në tjetërsinë: në konfrontimin me ‘ty’, njeriu njeh ‘un-in’ e vet. Vazhdimësia e llojit sigurohet pikërisht nga plotësueshmëria fiziologjike, e bazuar në ndryshimet seksuale, ndërsa përdorimi i teknologjive riprodhuese mundëson lindjen e njeriut, por përfshin “manipulimin e embrioneve njerëzore”, kthimin e trupit njerëzor në mall, reduktimin e fëmijës në “objekt të teknologjisë shkencore”. Dokumenti kujton, me këtë rast, perspektivën e rëndësishme të dialogut ndërmjet fesë dhe arsyes.

Të propozohet antropologjia e krishterë

 Pas dëgjimit dhe arsyetimit, pika e tretë, që vë në dukje Dokumenti vatikanas është propozimi, që vjen nga antropologjia e krishterë. Hapi i parë është pranimi se njeriu ka një natyrë, që nuk mund ta manipulojë sipas dëshirës. Ky është thelbi i ekologjisë së gjithanshme të njeriut. Citohet Libri biblik i Zanafillës, ku thuhet qartë se Zoti i krijoi njerëzit, meshkuj dhe femra e, nënvizohet se natyra njerëzore duhet kuptuar në dritën e unitetit të shpirtit me trupin, në të cilin bën pjesë përmasa horizontale e bashkimit ndërpersonal dhe ajo vertikale e bashkimit me Zotin. Pra, duke pasur parasysh edukimin, theksohet se e drejta-detyra edukative e familjes nuk mund të delegohet krejtësisht e as të uzurpohet nga të tjerët, se fëmija ka të drejtë të rritet me një nënë e me një babë dhe se brenda familjes mund të edukohet për ta njohur bukurinë e ndryshimit seksual.

Nga ana e saj, shkolla është thirrur të bashkëveprojë me familjen, duke e plotësuar atë përmes dialogut e duke e respektuar kulturën e saj. Në këtë proces edukativ, duhet krijuar një aleancë ndërmjet shkollës, familjes dhe shoqërisë, të cilat mund të përvijojnë “udhë edukimi për dashurinë dhe seksualitetin, që synojnë respektimin e trupit të tjetrit”, duke i shoqëruar fëmijët me përgjegjësi dhe dashuri. Theksohet rëndësia e përgatitjes së mësuesve katolikë mbi aspektet e ndryshme të çështjes gjinore, si edhe të informimit të tyre për ligjet në fuqi dhe në diskutim në vendet përkatëse.

Të fillohet dialogu për t’i kthyer keqkuptimet në pasuri të përbashkët

 Në përfundim, Dokumenti vatikanas thekson se “rruga e dialogut – dëgjimi, arsyetimi dhe propozimi - duket si më e frytshmja për shndërrimin pozitiv të anktheve dhe të keqkuptimeve në pasuri që të krijohet një ambient, ku marrëdhëniet të jenë më të hapura dhe më njerëzore”, ndërsa “qasja ideologjike ndaj çështjeve delikate gjinore, megjithëse deklaron respekt për shumëllojshmërinë, ka rrezik t’i konsiderojë vetë dallimet si të pandryshueshme, duke i lënë ato të izoluara dhe të papërshkueshme nga njëri-tjetri”. Nënvizohet edhe se një shtet demokratik nuk mund ta reduktojë propozimin arsimor në një mendim unik, por duhet të marrë parasysh aspiratën legjitime të shkollave katolike për ta ruajtur këndvështrimin e tyre mbi seksualitetin njerëzor. Së fundi, përsa u përket qendrave të edukimit katolik, theksohet rëndësia e “shoqërimit të fshehtë dhe të rezervuar”, me të cilin kuptohet e ndihmohet edhe ai “që përjeton një gjendje të ndërlikuar e të dhimbshme”. Prandaj, shkolla duhet të jetë ambient i besuar, “sidomos në ato raste, që kanë nevojë për kohë dhe shoshitje” dhe të krijojë “kushtet për të dëgjuar me durim e mirëkuptim, larg diskriminimit të padrejtë”.

10 qershor 2019, 18:23