Kërko

Ditët e botimeve katolike. Ruffini: krijues të kulturës, bazuar mbi fenë

Përfunduan tri ditët e rrahjes së mendimeve, në Romë, ku u mblodhën botues katolikë, ardhur nga mbarë bota. Synimi është të krijohet ndërlidhja ndërmjet njerëzve, përmes vendeve të takimit fizik e dixhital.

R. SH. - Vatikan

Përfunduan dje, me angazhimin për t’i bërë “Ditët e Botimeve katolike” ngjarje që duhen përsëritur, sipas një afati të caktuar, tri ditët e diskutimeve, në të cilat ishin të pranishëm botues katolikë, ardhur nga mbarë bota, organizuar nga Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Komunikimin, në bashkëpunim me Zyrën e Konferencës Ipeshkvnore Italiane për komunikimet shoqërore. Ngjarja, që arriti kulmin sot në mëngjes, me pjesëmarrjen në Meshën, kremtuar nga Papa Françesku në Shën Pjetër,  ishte rast për t’u lidhur me realitete, që nuk ishin takuar kurrë e për të prekur tema  të përbashkëta, që kanë të bëjnë me botimet, siç është arritja e dixhitales.

Mënyrat e ndryshme për të qenë botues

“Bilanci i parë është bukuria e takimit personal, e shkëmbimit të përvojës,    e diskutimit mbi vështirësitë, angazhimet dhe mundësisë për të planifikuar së bashku”. Këtë pohon në Vatican News, prefekti i Dikasterit për Komunikimin, Paolo Ruffini. “Projektet - shpjegon - duhet të nisen nga fakti se e konsiderojmë veten botues në kuptimin modern, bashkëkohor të fjalës, gjë që nuk do të thotë të jemi vetëm ‘botues librash’, por kryesisht e mbi të gjitha, krijues të kulturës, të bazuar mbi fenë tonë”. Përpjekje kjo, që ka të bëjë njëkohësisht me shumë  sende e që do të thotë të krijosh një mjedis, ku mund të lexohet, por ku mund të ndjekësh edhe një film, një dokumentar. Domethënë, të përpiqesh të jesh botues në mënyra nga më ndryshmet, të përpiqesh të linkosh - e kjo folje, pjesë e fjalorit të ri dixhital - do të thotë lidhje e përpunuesit qëndror, me njësitë e tij periferike. Me një fjalë,  të linkosh të gjitha mënyrat e ndryshme të të qenit botues.

Të përdoret gjuha e kohës sonë

Dixhitalja, pastaj, ëshë gjuha e kohës sonë, e ne duhet të flasim pikërisht me gjuhën e kohës - pohon Ruffini - të përdorim dixhitalen, të përdorim mjetet, që i kemi në dispozicion për të folur ndërmjet nesh. Një mënyrë e vetme e dallon njeriun nga krijesa. Fjala. Njeriu flet! Përdor gjuhën. E gjuha e kohës sonë është ajo dixhitale. Ta përvetësojmë e ta vëmë në shërbim të njeriut!

Ambicia për të qenë “shprehës”

“Të jemi në botë, pastaj, do të thotë të mos heqim dorë nga bota”. Ka nga ata që mendojnë se të jesh botues a lexues katolik, do të thotë të jesh një pjesë e vogël pak a shumë e konsiderueshme në botë. Po ne  jemi në botë. Katolicizëm do të thotë universal. Dëshira jonë është të përfillemi nga të gjithë e, prej këndej, të jemi edhe më të aftë se botuesit e tjerë, në përpjekjen për ta krijuar këtë ndërlidhje.

Të krijojmë vende takimi

Ka shumë rëndësi të mos perceptohemi si pakicë, por t’i shfrytëzojmë të gjitha veçantitë e botimit katolik. Libraritë  tona duhet të krijojnë një vend mbledhjeje, ku shiten libra, por bëhen edhe gjëra të tjera, takime kulturore, për shembull, dëgjohet muzikë...e, pse jo, mund të pihet edhe një kafe. “Duhet të jemi të aftë, ashtu si e kërkon koha jonë" - thekson Ruffini - Prandaj nuk duhet menduar se jemi pakicë, por duhet të jemi, ashtu si na kërkon Jezusi… “të kripur”. Në një botë plot me njerëz të pakripë, është absurde të mos ketë treg kripe. Po të dimë të jemi të kripur, do të gjejmë edhe njerëz,  që do t’i blejnë librat tonë, do t’i ndjekin filmat tonë….

29 qershor 2019, 16:37