Kërko

 SHBA. imigrimi nga Meksika SHBA. imigrimi nga Meksika 

Dhimbja e thellë e Papës, për babain e bijën e tij, vdekur në Rio Grande

Në fotografinë e shkrepur nga një gazetare, në kufirin ndërmjet SHBA-ve e Meksikës, shikojmë trupin e një ati, pranë së bijës. Kërkonin strehim në Amerikë, e gjetën vdekjen në Rio Grande. Pikërisht nga këto brigje Françesku, në vitin 2016, pati lartuar britmën e fuqishme: “Kurrë më vdekje e shfrytëzim!”.

R. SH. - Vatikan

Trishtim të pafundmë! Këtë ndjeu Papa Françesku - njofton drejtori i përkohshëm  i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Alessandro Gisotti – pasi pa fotografinë e babait me të bijën, të mbytur në lumë, ndërsa përpiqeshin të kalonin kufirin ndërmjet Meksikës e SHBA-ve. “Papa - u shpjegoi Gisotti gazetarëve - është thellësisht i pikëlluar për vdekjen e tyre, lutet për ta e për të gjithë emigrantët, që humbën jetën në përpjekjen për të ikur nga lufta e mjerimi.

Angie Valeria - si Aylan

Pantallonat e Angie Valeria kanë të njëjtën ngjyrë, që kishte bluza e Aylan. Nuk është vetëm e kuqja, ngjyrë gjaku, që i lidh dy jetët e këputura  e të ledhatuara, në çastet e fundit, vetëm nga valët e lumit. E kuqja bëhet simbol  i dëshirës së prindërve për t’u dhuruar fëmjëve të tyre një jetë më të mirë. Lind, kështu, drama e emigrimit, që  herë pas here i shkatërron jetët, në vend që t’i shpëtojë. E Papa nuk pushon së denoncuari, duke kërkuar vazhdimisht të ndezë një dritë mbi fatet e humbura, që gjithë bota t’i shikojë mundimet e dëshpërimin e burrave e të grave në ikje, me shpresë se do të gjejnë një jetë më të mirë. Më 2 shtator 2015, fotoja e Aylan Kurdi-t, fëmijës së mbytur në ujë e të rigjetur në plazhin turk të Bodrumit, pati shkaktuar emocion të thellë e indinjatë edhe më të thellë. E sot, të njëjtën indinjatë shkakton trupi i njomë i vajzës 2 vjeçare, vdekur pranë e pranë babit të saj, Oscar.

Ikja nga Salvadori

Oscar Alberto Martinez, sipas rrëfimit të gazetares Julia Le Duc, që bëri fotografinë, të cilën më pas edhe e botoi në gazetën meksikane Jornada, priste që prej dy vjetësh strehimin, që ua kishte kërkuar autoriteteve të SHBA-ve. Të dielën, së bashku me vogëlushen e me gruan, Tania Vanessa Avalos, u vu për udhë. Deshi ta kalojë lumin e të hyjë në Brownsville, në Teksas. Oscar e Angie Valeria munden të arrijnë në breg, po Vanessa mbeti prapa. Ai atëhere u përpoq të kthehej e ta merrte, pasi kishte lënë  vajzën në breg. Po vogëlushja u hodh sakaq në ujë, pas të atit. E rryma e fortë i mori me vete ata e ëndrrat e tyre, shpresat e planet për ardhmërinë, para syve të tmerruar të nënës që, zemërplasur, i shikonte nga bregu tjetër! Pa mundur t’i shpëtojë!

Shtegtim tepër i rrezikshëm

Trupat e vdekur do të rikthehen në atdhe ditët e ardhshme, ndonëse Ministria e jashtme e El Salvadorit fton të mos rrezikohet askush në një shtegtim kaq të vështirë. Edhe katër vetë të tjerë u gjetën pa jetë pranë Rio Grande: një grua e re me dy fëmijë dhe një i posalindur. Autoritetet pohojnë se viktimat ka shumë mundësi të kenë vdekur për shkak të etjes gjatë shtegtimit nën diellin përvëlues të kësaj vere vrasëse!

Një krizë me fytyra konkrete, histori, emra e familje

Në shkurt 2016, Papa Françesku pati kremtuar Meshën në Ciudad Juarez, në kufirin ndërmjet Meksikës e SHBA-ve, i ndjekur nga besimtarë të njërës e të tjetrës palë, me murin, që i ndan në mes! Atëhere Papa, në homeli, kujtoi se nuk mund të mohohet kriza humanitare, që vitet e fundit ka nxitur migrimin e mijëra njerëzve, që shtegtojnë si me tren, ashtu edhe në autostradë, e në këmbë,  e jo më pak, duke kapërcyer qindra kilometra nëpër male, shkretëtira, udhë të pakapërcyeshme”:

“Kjo tragjedi njerëzore e migracionit sot është fenomen global. Këtë krizë,  që mund të matet me shifra, ne duam ta matim me emra, me histori, me familje. Janë vëllezër e motra,  që nisen të shtyrë nga varfëria e dhuna, nga trafiku i drogës e krimi i organizuar”- pati thënë Papa.

Fenomene, që nuk duhet të shkojmë t’i kërkojmë vetëm në Brigjet e Rio Grande. Sepse i kemi fare pranë nesh. Çdo ditë!

Prandaj Françesku u kërkoi të gjithëve të luten, për t’i kërkuar Zotit “dhuratën e kthimit, dhuratën e lotëve”:

“Kurrë më vdekje e shfrytëzim! Ka kohë për t’i ndryshuar gjërat – përfundoi - ka edhe rrugëdalje e mundësi, e ka gjithnjë kohë për t’iu lutur Zotit të ketë mëshirë për ne!”.

26 qershor 2019, 14:57