Familja Familja 

Takim mbi familjet e varfërinë, organizuar nga Instituti teologjik Gjon Pali II

Përfundoi sot në Romë, edicioni i parë i Takimit të ekspertëve të Family International Monitor (Observatori Ndërkombëtar i Familjeve), organizuar nga Instituti Teologjik “Gjon Pali II” për shkencat e martesës dhe të familjes.

R.SH. - Vatikan

Objektivi i tij ishte përvijimi i një pune shkencore 3-vjeçare (2019-2021), ku përfshihen 12 universitete në të gjithë botën. Jo më kot, Takimi përfundoi sot, me pjesëmarrjen në audiencën e përgjithshme të Papës Françesku, pikërisht në Ditën, që OKB-ja ia kushton familjes.

Dy raporte: familja-varfëria e marrëdhënieve; familja-varfëria ekonomike

         Gjatë 3 viteve të projektit do të bëhen studime, të cilat do të nxjerrin në dritë gjendjen e familjeve në lidhje me varfërinë e marrëdhënieve ndërmjet anëtarëve, si edhe në lidhje me varfërinë ekonomike. Pra, dy raporte, që do të shërbejnë si pikë referimi për punën e mëvonshme. “Observatori ndërkombëtar i familjes lind, për shkak të urgjencës – shprehur qartë nga Papa Françesku në Nxitjen Apostolike ‘Amoris Laetitia’ – që familjet e botës të shikohen në jetën e tyre të vërtetë”, shpjegoi të hënën, në hapje të Takimit, kryetari i Akademisë Papnore për Jetën, imzot Vincenzo Paglia, Kancelar i Madh i Institutit Teologjik “Gjon Pali II”.

Të kuptohen kulturat e reja, që lindin në qytete

         Duke kujtuar fjalët e Papës Françesku në asamblenë e dioqezës së Romës, imzot Paglia vuri në dukje këshillat e Atit të Shenjtë, të vlefshme për çdo qytet të botës. Duhet kuptuar jeta e njerëzve, që banojnë në të, duke deshifruar edhe kulturat e reja, që lindin në qytet. Ato, pati thënë Papa, nuk janë të dhëna një herë e përgjithmonë, por ndryshojnë vazhdimisht, duke ndikuar në jetën e bashkësive. Pikërisht këtë fenomen dëshiron të studiojë Observatori i Familjeve, nënvizoi imzot Paglia.

Familja, thesar për shoqërinë

“Vite më parë - theksoi ipeshkvi italian - Këshilli Papnor përkatës pati bërë disa studime për familjen dhe marrëdhëniet e saj me shoqërinë, në vende të ndryshme të botës. Rezultatet treguan - thuajse njëzëri - se familja e përbërë nga babai, nëna dhe fëmijët është pasuria më e rëndësishme për jetën dhe organizimin e shoqërisë, në krahasim me llojet e tjera të familjeve, si ato me një prind, për shembull. Me Observatorin Ndërkombëtar, i cili është themeluar në vitin 2018, synohet zgjerimi i horizontit studimor: nga njëra anë, duke i kushtuar vëmendje të gjitha vendeve të botës e, nga ana tjetër, duke zgjedhur me kujdes perspektivat e ndryshme, që i përkasin aspekteve të shumta të jetës familjare”.

15 maj 2019, 13:43