Kërko

 Pamje nga Amazona Pamje nga Amazona 

Sinodi për Amazonën: miratohen Dokumenti i punës dhe Instrumentum laboris

Përfundoi, në Vatikan, takimi i dytë i Këshillit pas-sinodal, që përpunoi Dokumentin e punës dhe miratoi projektin e Instrumentum laboris, duke përmbledhur, në një tekst të vetëm, materialet e këshillimit dhe Dokumentin përgatitor.

R. SH. - Vatikan

Përfundoi sot takimi i dytë i Këshillit para-sinodal të Asamblesë së posaçme të Sinodit të ipeshkvijve për rajonin Panamazonik, ku morën pjesë  të gjithë anëtarët e Këshillit, ndërmjet të cilëve, kardinaj, ipeshkvij, rregulltarë dhe një laik, si përfaqësues të Kishave në Amazonë. Të pranishëm, edhe specialistë, këshilltarë të Sekretarisë së përgjithshme dhe të ftuar të posaçëm.

Shqyrtohet dokumentacioni i begatë i ardhur nga Amazona

Përgatitja e Dokumentit të punës ishte në qendër të takimit të dytë të Këshillit. Në seancat e ndryshme u shqyrtua projekti i Instrumentum laboris, për Asamblenë e Posaçme, që përmbledh në një tekst të vetëm, materialet e këshillimit, Dokumentin përgatitor, rezultatet e seminarit si dhe dokumentimin e ardhur prej veprimtarive, organizuar nga Repam,  Rrjeti Kishtar Panamazonik, në Amazonë. Dokumenti i punës ndahet në tri pjesë, që prekin këto argumente:  zëri i Amazonës, parë si dëgjim i zërit të këtij territori: ekologjia e gjithanshme dhe Kisha me fytyrë amazonike.  Synimi i tekstit është të paraqesë situatën baritore të këtyre trojeve e të hapë rrugë të reja për ungjillëzimin e gjithanshëm të Amazonës.  Njëkohësisht, i njëjti Dokument pune, është edhe reflektim mbi problematikën ekologjike, që ka të bëjë me rajonin, sipas Enciklikës “Lëvduar qofsh”. Anëtarët shprehën vlerësimin e tyre për punën e kryer dhe dhanë këshillat e nevojshme për përmirësimin e saj.

Miratohet Instrumentum laboris

Në përfundim të diskutimit, u miratua Instrumentum laboris, që do të shpërndahet në të gjitha nivelet, për ta përfshirë Popullin e Zotit në procesin sinodal e do t’u transmetohet të gjitha Konferencave ipeshkvnore të interesuara dhe Organizmave të tjera, përfaqësitë e të cilave do të marrin pjesë në Asamblenë sinodale.

17 maj 2019, 16:32