Kërko

Il santuario della madonna di Pompei Il santuario della madonna di Pompei 

Mesha në Pompei kremtuar nga imzot Parra, Zëvendës i Punëve të Përgjithshme të Vatikanit

Zëvendësi i Punëve të Përgjithshme të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, Imzot. Edgar Peña Parra kryesoi sot paradite Meshën me rastin e festës së Zojës Rruzare të Pompeit. Gjatë homelisë foli për figurën e të Lumit Bartolo Longo, "një apostull i mëshirës që e ktheu vështrimin ndaj atyre realiteteve, të cilat Atit të Shenjtë Françesku i pëlqen të thërrasë 'periferi ekzistenciale',

R.SH. - Vatikan

Mё 8 maj Kish katolike kremton festën e Zojës Rruzare të Pompeit. Në Shenjtëroren e Zojës Rruzare në Pompei, meshën solemne, sot paradite, e kryesoi Zëvendës i Punëve të Përgjithshme të Selisë së Shenjtë, kryeipeshkvi imzot Pena Parra, në bashkëkremtim me kryeipeshkvin e vendit e shumë meshtarë, para një pjesëmarrje të jashtëzakonshme të besimtarëve, ardhur nga viset e ndryshme të rajonit Campania.

Gjatë homelisë së Meshës, kremtuar në Shenjtëroren e Zojës Rruzare në Pompei, Zëvendës i Punëve të Përgjithshme të Selisë së Shenjtë, kryeipeshkvi imzot Edgar Peña Parra foli për figurën e të Lumit Bartolo Longo, "një apostull i mëshirës që e ktheu vështrimin ndaj atyre realiteteve,  të cilat Atit të Shenjtë Françesku i pëlqen të thërrasë 'periferi ekzistenciale', duke punuar me bujari për rimëkëmbjen morale dhe sociale të njerëzve të mënjanuar". Prandaj, veprat e tij të dashurisë bamirëse që dolën në dritë  e patën jehonë në Pompei, "janë bërë një oazë shprese”, sepse u japin "përgjigje nevojave që ka shoqëria e rajonit italian Campania, e kudo tjetër, veçanërisht ndaj pritjeve që  kanë më të varfërit ndër të varfër dhe atyre njerëzve që vuajnë nga brishtësia".

Pompei na tregon një mënyrë të thjeshtë por efekase, për të pranuar dhe zbatuar në jetën e përditshme Fjalën e Zotit: recitimin e uratës së Rruzares. Ky udhëzim simbolizohet nga piktura e famshme e Virgjëreshës Mari që ndodhet në këtë vend të shenjtë ". Kështu tha Imzot Edgar Peña Parra, Zëvendësi i Punëve të Përgjithshme të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, gjatë homelisë së Meshës, kremtuar sot paradite nga, para lutjes së Zojës së Bekuar të Pompeit.

"Në këtë shenjtërore - vuri në dukje  imzot Parra – shtegtarë e besimtarë të devotshëm vijnë nga të gjitha anët e Italisë dhe të kombeve të tjera, duke mbajtur në duart e tyre kurorën dhe të tërhequr nga Virgjëra e Rruzares, e cila na thërret të jemi kundrues, siç ishte Maria; na thërret ta pranojmë dhe "ruajmë" Fjalën e Zotit, ta "meditojmë" , për ta thelluar dhe për ta zbatuar në jetën e përditshme. Ky është kuptimi i shtegtimit shpirtëror në Pompei: një nxitje, kjo, për të jetuar në soditje të vazhdueshme, duke dëgjuar sinqerisht fjalën e Jezusit, gjithmonë e gjallë dhe e re; dhe në të njëjtën kohë, është një thirrje, për të ndjekur Mësuesin Hyjnor, duke iu përgjigjur me bujari ftesës së tij, për të shkuar me Të e pas Tij, tek ata njerëz që kanë nevojë për shpëtimin e tij" 

08 maj 2019, 15:28