Kërko

01406_25112014.jpg

Papët dhe Evropa

Zgjedhjet e fundit evropiane na vënë përpara ndryshimeve të shpejta politike dhe zhvillimeve sociologjike, që nuk mund të interpretohen menjëherë. Busulla e magjisterit papnor mund të na tregojë drejtimin, sidomos përsa u përket rrënjëve të përbashkëta kulturore dhe shpirtërore të kontinentit të vjetër.

R.SH. - Vatikan

“Evropa të mos e humbë vetëdijen për përfitimet e arritura nga udha e miqësisë dhe e afrimit ndërmjet popujve pas Luftës II Botërore – pikë së pari, paqja”: kështu tha Papa Françesku, në fillim të vitit, në fjalimin para Trupit Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë.

Pali VI: Të lutemi sot për Evropën

Cilat janë etapat e magjisterit të Papëve në vite për një realitet politik si Bashkimi Evropian, në zhvillim e rritje të vazhdueshme? Fillojmë t’i përshkojmë, duke u nisur pikërisht nga fjalët e Papës Pali VI, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, më 23 shkurt 1969:

“Të lutemi sot për Evropën. Kjo është tema e orës aktuale historike. E dimë të gjithë. E dimë se në këtë term gjeografik përmblidhen elementet e një tradite shekullore, vendimtare për qytetërimin modern dhe të ardhshëm. E shohim se fati i popujve evropianë e ndoshta, edhe ai i të tjerëve, do të varet nga vlera, që do t’i jepet këtij emri të Evropës. Çështja e paqes lidhet ngushtë me të. Të gjithë e shohim se problemi i madh i Evropës është bashkimi i saj i vërtetë dhe organik, në respekt, madje, në interes të çdo kombi, që tashmë e ka përcaktuar qartë personalitetin etnik dhe kulturor… Nga ‘krishterimi’ i lashtë historik i Evropës mund të rrjedhë bashkimi ndërkombëtar, për të cilin ka nevojë përparimi dhe paqja e saj, për vete dhe për botën”.

Përfundoi Lufta II Botërore, por filloi Lufta e Ftohtë. Papa Piu XII

Kështu fliste shenjti i ardhshëm Pali VI, më 23 shkurt 1969, kur Traktati i Romës, akti i parë kushtetues i Bashkimit Evropian, ishte nënshkruar vetëm që prej 12 vitesh. Po përgatitej e ashtuquajtura “Pranvera e Pragës”. Diçka më shumë se një muaj më parë, më 16 janar 1969, i riu Jan Palach i vuri zjarrin vetes në sheshin Shën Venceslau, në zemër të kryeqytetit, për të protestuar kundër pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë, ndërsa të rinj të tjerë, në Londër, brohorisnin për Beatles-at, që jepnin shfaqje mbi çatinë e firmës diskografike Apple. Prej 8 vjetësh Gjermania ndahej nga Muri i Berlinit, i cili, natyrisht, sanksiononte fundin e një lufte që shkatërroi Evropën dhe gjithë botën, por edhe fillimin e një tjetre, asaj të ftohtë, që do ta ndante Evropën me një perde të hekurt. E fjalët e radiomesazhit të Papës Piu XII, më 9 maj 1945, në fund të Luftës II Botërore, mbeteshin akoma të parealizuara, së paku në një pjesë të kontinentit:

“Ja, më së fundi, përfundoi kjo luftë, e cila për gati gjashtë vjet e mbajti Evropën në darën e vuajtjeve më të tmerrshme dhe të trishtimit më të hidhur.. Le të ringjallen nga eshtrat, nga varrezat dhe nga toka jonë, ku jemi hedhur si kokrra gruri, plazmuesit dhe arkitektët e një Evrope të re, më të mirë, të një universi të ri e më të mirë, bazuar në frikën e bijve të Tënzot, në besnikërinë ndaj urdhërimeve të Tij të shenjta, në respektimin e dinjitetit njerëzor, në parimet e shenjta të të drejtave të barabarta për të gjithë popujt dhe për të gjitha shtetet, të mëdha e të vogla, të ligshta e të forta”.

Papa polak Gjon Pali II: rrënjët e krishtera e paqja

Madhështore, fantazia e Shpirtit Shenjt, kur 30 vjet më pas, në përfundim të atyre viteve ’70, tepër të trazuara, e pikërisht në vitin 1978, kur po studiohej Sistemi Monetar Evropian me objektivin e unifikimit të monedhës, sjell në fronin e Shën Pjetrit një Papë nga Polonia, vend, që shërben si hallkë lidhëse për Evropën, simbol vuajtjesh nën dy diktatura të kundërta. Më 8 tetor 1988, Papa polak Gjon Pali II takon të rinjtë evropianë në Strasburg e u thotë:

“Po, ju jeni në udhën drejt dritës. Pa dyshim, sepse ju jeni trashëgimtarët e një qytetërimi të krishterë, që mbrujti krejt Evropën. Ju jetoni pa e ditur mirë këtë. I gjithë ideali juaj i ka rrënjët në fe, edhe kur Zoti duket sikur nuk bën pjesë në horizontin tuaj”.

Shenjti i ardhshëm Vojtila nuk mund të mos i ftonte të rinjtë të respektonin vlerat njerëzore, nuk mund të mos u jepte si detyrë shtëpie arritjen e paqes:

“Të jesh paqebërës, do të thotë të krijosh një vëllazëri, që kapërcen të gjitha kufijtë, ta mbledhësh botën në një tryezë universale për të ngrënë të njëjtën bukë. Ky është qëllimi përfundimtar i Mbretërisë së Zotit. Por kufijtë janë edhe brenda nesh. Bashkimi vëllazëror nuk bëhet duke matur dallimet e ligjshme, por duke e pritur dhe duke e dashur tjetrin, që është ndryshe nga ty. Prandaj, Evropa ofron një sfidë, që bota e re e njeh më pak: ajo është pjesë e kulturave të lashta dhe fisnike, e gjuhëve dhe e kombeve të pasura me histori. Duhet ta dimë si do ta duam njëri-tjetrin dhe si  do të bashkëpunojmë, duke e respektuar njëri-tjetrin”.

Papa Benedikti XVI: kriteri i së drejtës dhe i ligjit

Ta kuptojnë njëri-tjetrin: kjo është detyra e madhe e qytetarëve evropianë, edhe sot. Pas papës polak, fantazia e Shpirtit Shenjt sjell një papë gjerman. Më 22 shtator 2011, në Raichstag të Berlinit, në zemrën e atdheut të vet, Benendikti XVI përballet me temën delikate të së kaluarës dhe e hedh vështrimin drejt së ardhmes së kontinentit të vjetër:

“‘Po të heqim ligjin, çfarë do ta dallonte shtetin nga një grup i madh kusarësh?’ pati thënë dikur shën Agustini. Ne gjermanët e dimë nga përvoja se këto fjalë nuk janë boshe. Ne e kemi përjetuar ndarjen e pushtetit nga ligji, vendosjen e pushtetit kundër ligjit, shkeljen e tij aq sa shteti u bë mjet për shkatërrimin e ligjit – u bë një grup kusarësh të organizuar shumë mirë, që mundën ta kërcënonin gjithë botën dhe ta shtynin buzë greminës. Detyra themelore e politikanit është dhe mbetet t’i shërbejë ligjit dhe të luftojë kundër pushtetit të padrejtësisë... Kultura e Evropës lindi nga takimi ndërmjet Jeruzalemit, Athinës dhe Romës - nga takimi ndërmjet besimit në Zotin e Izraelit, arsyes filozofike të grekëve dhe mendimit juridik të Romës. Ky takim i trefishtë formon identitetin intim të Evropës. Me vetëdijen e përgjegjësisë së njeriut para Hyjit dhe me njohjen e dinjitetit të padhunueshëm të njeriut, të çdo njeriu, ky takim vendosi si kriter të drejtën, mbrojtja e së cilës është detyra jonë në këtë çast historik”.

Krishterimi dhe Evropa

         Është e rëndësishme që Evropa të mos i harrojë këto rrënjë të përbashkëta. Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, më 17 mars 1974, Papa Pali VI theksonte:

         “Më 24 tetor 1964, e kemi shpallur shën Benediktin, Pajtor të Evropës… duke shkuar në shtegtim në Montecassino e, duke kujtuar se kjo figurë madhështore, që mbizotëron në monakizmin e Perëndimit, ishte ‘kumtues i paqes, nxitës i bashkimit, mjeshtër i qytetërimit e, sidomos, lajmëtar i fesë së krishterë dhe i jetës murgare”.

         E si mund të harrojmë se pranë shën Benediktit, Gjon Pali II deshi të shpallte bashkëpajtorë të kontinentit të vjetër edhe shenjtorët Çirili e Metodi, apostujt e sllavëve? Evropa asfiksohet pa dy mushkëritë e përshpirtërisë së saj më të thellë: atë të lindjes e atë të perëndimit. Pali VI, po në atë lutje të Engjëllit të Tënzot, shtronte një pyetje vendimtare, të vlefshme edhe sot, pas zgjedhjeve evropiane:

         “Ndoshta, pyesim, a mund të jetë akoma i dobishëm për ta bërë Evropën të mirë, të bashkuar e moderne e bashkë me të, edhe gjithë bashkësinë e kombeve, konceptimi gjithnjë i gjallë i krishterë i jetës, njerëzve dhe popujve, jo më pak se mendësia e lashtë me origjinë klasike dhe mesjetare e, shumë më tepër se interesi i ngutshëm për solidaritet kompakt ekonomik dhe strukturor?”

28 maj 2019, 17:22