Manifestazione Rom e Sinti contro la discriminazione Manifestazione Rom e Sinti contro la discriminazione 

Papa: të enjten në Vatikan takim lutjeje me 500 romë e sintë

Takim lutjeje me popujt romë e sintë në Vatikan, me rastin e ditës botërore të popullit Romë, që bie çdo 8 prill. Migrantes, vetëm njohja e afërsia na bëjnë të kapërcejmë frikën dhe paragjykimet.

R.SH. - Vatikan

Do të jenë afërsisht pesëqind Romë e Sintë që do të marrin pjesë në takimin e lutjes, që mbahet të enjten në mëngjes, me Papën Françesku, në sallën Regia të pallatit Apostolik në Vatikan, së bashku me punëtorët baritorë. Kujtojmë se çdo 8 prill bie dita botërore e popullit Romë. 

Pasdite, një takim tjetër për ta, do të zhvillohet në auditoriumin e Shenjtërores romake të ’Divino Amore’ në rrugën Ardeatina. Në lutjen që do të mbahet me Papën, grupet etnike nomade të romëve e sintëve do të shoqërohen nga Kardinali Gualtiero Bassetti, kryetar i Konferencës Ipeshkëvnore Katolike të Italisë (CEI), së bashku me kardinalin Peter Appiah Turkson, Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Shërbimin Integral të Zhvillimit Njerëzor, nga kardinali Angelo De Donatis, Vikar i Papës për Dioqezën e Romës, nga imzot Guerino Di Tora, President i Fondacionit Migrantes, ipeshkvijtë Paolo Lojudice dhe Pietro Santoro.

Romë dhe sintë evropianë vijnë nga i gjithë kontinenti e kanë etni të ndryshme. Më parë, një bashkësi ciganësh është takuar me Papën Shën Pali VI në Pomecia, afër Romës, në vitin 1965. Edhe Shën Gjon Pali II takoi, gjithashtu,  grupe të veçanta e gjatë Jubileut të vitit 2000, kërkoi falje edhe për fajet e të krishterëve kundër romëve e sintëve, shumë prej të cilëve janë të krishterë. Në qershor të vitit 2011 Papa Benedikti XVI priti në audiencë në Vatikan 1.400 romë dhe sintë evropianë, që erdhën në Romë për 75-vjetorin e martirizimit dhe për 150-vjetorin e lindjes të të Lumit Zefirin Himenes Mala, rom i pushkatuar me Rruzare në dorë gjatë Luftës Civile spanjolle, i pari cigan i ngritur në nderimet e elterit në vitin 1997.

Dihet se Romë, Sinti dhe Camminanti, jane jë popull pa tokë e endacak që, pas shekujsh shtegtimesh, e ka vështirësi të gjejë hapësira jetësore në shoqëri. Po gjithësesi "vetëm takimi ndihmon të kapërcehet çdo frikë e të rrënohet  çdo mur që ndanë - nënvizon drejtori i Migrantes Don Giovanni De Robertis -. Sot, kur shqiptohet fjala 'rom', mendja përfytyron figurat urbane të të varfërve, të lypësit a lypëses që me një fëmijë në krah, kërkon lëmoshë nëpër metro e udhëve të qytetit. Shqipërohet me përbuzje, shkruhet nëpër gazeta me indinjatë, gjendet në dokumentet institucionale si një problem që duhet zgjidhur".

"Rom" është një fjalë "e cila të krijon frikë, përkujton frikën atavike, e cila përforcon paragjykimet dhe stereotipet tona. Pas kësaj fjale, përkundrazi, nuk duhet të harrojmë kurrë se janë fytyrat e grave, të burrave e fëmijëve dhe mbi të gjitha janë njerëzit që në shumicën e rasteve jetojnë në shtëpi si ato tonat, studiojnë, punojnë, paguajnë taksa".

Papa: kurrë më populli rom të mos refuzohet e të shtypet.

“Kurrë më popullit juaj të mos shtype, të mos refuzohet e të mos përçmohet”. Kështu u tha Papa Benedikti XVI romëve e ciganëve tjerë të cilët i priti paraditen e 11 qershorit 2011 në Sallën Nervi në Vatikan. “Nga ana juaj – porositi Papa Ratzinger – kërkojeni përherë drejtësinë, legalitetin, pajtimin e orvateni të mos jeni kurrë shkak i vuajtjeve të tjerëve”.
“Jepni edhe ju bashkëpunimin tuaj konkret e të sinqertë, në mënyrë që familjet tuaja të vendosen denjësisht në indin e qytetërimit evropian”. Kështu u tha mes tjerash Papa gjatë audiencës së sotme në Vatikan afër 2 mijë ciganëve që i përkasin etnive e grupeve të ndryshme të ardhur nga mbarë Evropa.
Ciganët erdhën në Romë në shtegtimin shpirtëror me rastin e 75 vjetorit të martirizimit dhe të 150 vjetorit të lindjes të Lumit Zefirin Himenes Malla (1861-1936), cigan me prejardhje spanjolle. “Shumë prej jush – shtoi Papa Ratzinger – janë fëmijë e të rinj që duan të arsimohen e të jetojnë me të tjerët e si të tjerët. Ata i shikojnë me përzemërsi të veçantë, i bindur se fëmijët tuaj kanë të drejtë në një jetë më të mirë”.
“Je të jetë e mira e tyre – tha akoma Papa Benedikti XVI – aspirata juaj më e madhe. Ruajeni dinjitetin e vlerën e familjeve tuaja, Kisha të vogla shtëpiake, që të jenë shkolla të vërteta të njerëzimit”. Institucionet, nga ana e tyre, të bëjnë atë që është e mundur për të ju shoqëruar në këtë rrugë. “Së fundi – shtoi Benedikti XVI – edhe ju jeni të thirrur të merrni pjesë aktivisht në misionin ungjillëzues të Kishës, duke promovuar aktivitete baritore në bashkësitë tuaja”.
E Papa nuk e harro persekutimin e shfarosjen e ciganëve që ndodhi gjatë Luftës së II Botërore: mijëra gra, burra e fëmijë që janë vra në mënyrë barbare në kampe të përqendrimit. Ishte një ram pak e njohur, përmasat e së cilës janë të jashtëzakonshme, e të cilën dramë familjet tuaja e bartin të skalitur në zemër”. 

08 maj 2019, 16:22