Kërko

Vatican News
Intervista e kardinalit Pietro Parolin për udhëtimin e Papës në Rumani Intervista e kardinalit Pietro Parolin për udhëtimin e Papës në Rumani 

Kardinali Parolin: në Rumani, Papa do të kujtojë rrënjët e krishtera të Evropës

Udhëtimi i 30-të apostolik i Papës Françesku do të ketë në qendër dialogun ekumenik. Ati i Shenjtë do të bëjë një thirrje të fuqishme për të rizbuluar vlerat themeluese të Evropës.

R.SH. - Vatikan

Në Rumani pritet me padurim Papa Françesku, i cili do të shkojë në vendin ballkanik të premten, më 31 maj, në udhëtimin e tij të 30-të apostolik, që do të vazhdojë deri më 2 qershor. Në një intervistë për Vatican News, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kard. Pietro Parolin, pohon se Ati i Shenjtë do të çojë një mesazh inkurajimi dhe uniteti për vendin, në vazhdën e vizitës historike të shën Gjon Palit II. Motoja zyrtare e shtegtimit, që do të ketë edhe një karakter të fuqishëm marian, është: “Të ecim së bashku”. Por, si po përgatitet Papa për këtë udhëtim? Të dëgjojmë kardinalin Parolin:

Nisja do të bëhet në ditën kur Kisha latine feston Pasinë e Zojës; shën Maria vihet për udhë për të shkuar t’i shërbejë kushërirës së saj, Elizabetës. Prandaj, motoja që e karakterizon këtë udhëtim të Papës ka një gjurmë të fortë mariane. Do të thotë të ecim të gjithë së bashku, sipas stilit të Virgjërës Shenjte, stil përvujtërie, shërbimi, bamirësie, ndaj kushërirës dhe ndaj më nevojtarëve. Më duket se Papa niset pikërisht me këtë qëndrim, me këtë frymë: dëshiron të bëhet shtegtar për të ndarë udhën e këtyre bashkësive të krishtera, udhën e bashkësisë civile dhe të shoqërisë në Rumani; dëshiron të jetë bari, që i inkurajon vëllezërit dhe motrat e tij në fe, duke pasur parasysh edhe pasurinë e shprehjeve dhe të riteve, që e karakterizojnë Kishën në Rumani. E dëshiron të jetë dëshmitar i dashurisë, sidomos ndaj të rinjve, duke i ftuar të favorizojnë gjithnjë atë kulturë të takimit - siç thotë vetë - e cila me të vërtetë na lejon të bashkohemi në këtë çast historik, kur mbizotërojnë përçarjet dhe kundërvëniet. Më duket se kjo është fryma, me të cilën Ati i Shenjtë ka ndërmend ta ndërmarrë këtë udhëtim.

Le të flasim për takimin me bashkësinë latine e me atë greko-katolike, në një vend me shumicë ortodokse. Ky udhëtim baritor do të ketë edhe një përmasë të fuqishme ekumenike, apo jo?

Po, edhe kjo është veçori e këtij udhëtimi. Le të kujtojmë se vetëm njëzet vjet më parë, në maj 1999, shkonte në Rumani shën Gjon Pali II. Ishte udhëtim, që mund të quhet historik, sepse hapi rrugën për të vizituar edhe vendet e tjera ortodokse. Të gjithë e kujtojmë britmën, që u ngrit nga sheshi: “Bashkim! Bashkim!”. Natyrisht, ishte hapi i parë, hap themelor. Udhëtimi i sotëm i Papës bëhet në atë vazhdë; ai dëshiron të jetë një hap i mëtejshëm në përpjekjet ekumenike. Më duket se, nga pikëpamja ekumenike, duhet të theksohen dy gjëra: së pari, Rumania është një udhëkryq ku takohen Evropa Lindore dhe Perëndimore, është urë ndërmjet realiteteve të ndryshme, siç dëshmohet edhe nga trashëgimia e saj e pasur artistike; së dyti, aspekti i dëshmisë së përbashkët. Kemi pasur atë, që Papa e quan ekumenizmi i gjakut, pra, besimtarë, që i përkisnin Kishës Katolike dhe Kishës Ortodokse, vuajtën së bashku nën regjimin ateist, i cili shkelte lirinë fetare dhe të drejtat e besimtarëve. Ata e kanë realizuar tashmë bashkimin në vuajtje, në martirizim. Shpresojmë që këta vëllezërit tanë, të cilët tashmë janë në qiell dhe gëzojnë lavdinë e Zotit, pasi kanë vuajtur në tokë, mund të ndihmojnë për ta vazhduar këtë udhë.

Papa do të takohet me pakicën hungareze të vendit në shenjtëroren mariane Şumuleu-Ciuc, në Transilvani. Dikush flet për udhëtim brenda udhëtimit. A është kështu me të vërtetë?

Në Rumani, mund të përdorim një figurë, që e përdorte shën Gjon Pali II, kur fliste për kopshtin e Zojës, një kopsht shumë i larmishëm. Ka disa bashkësi: edhe vetë katolikët e ritit latin janë të gjuhëve të ndryshme: rumunët, hungarezët, polakët, kroatët ... pastaj, kemi bashkësinë armene, më tej, shumicën e popullsisë, që përbëhet nga ortodoksët dhe etni të ndryshme, ndër të cilat ajo hungareze, prani e rëndësishme. Besoj se të gjithë e njohim ndjeshmërinë e Papës, thirrjen e tij të vazhdueshme për respektimin e të gjithë anëtarëve, por edhe të traditave, kulturave dhe zakoneve të ndryshme, duke ruajtur unitetin e vendit. Mendoj se Papa do të bëjë një thirrje për këtë, pra, për respektimin e larmive, duke ruajtur unitetin e vendit. E në shenjtëroren ku do të shkojë, kjo thirrje do të jehojë veçanërisht fort; thirrje për të ecur së bashku, siç thotë motoja e këtij udhëtimi, duke kapërcyer ndarjet historike dhe duke u bashkuar të gjithë nën një fe.

Papa Françesku shkon në Rumani, 20 vjet pas shën Gjon Palit II. Sot, vendi është integruar në Bashkimin Evropian, që sapo përfundoi zgjedhjet. Cili është mesazhi që çon Ati i Shenjtë?

Mendoj se Papa çon një mesazh inkurajimi. Rumania ka përjetuar çaste të vështira në historinë e saj: pushtimi i huaj, periudha e gjatë e ateizmit ... Që nga viti 2007, ajo është bërë pjesë e Bashkimit Evropian dhe ka dhënë një kontribut të rëndësishëm, duke filluar nga trashëgimia e saj kulturore. Kohët e fundit, në Sibiu, u mbajt një takim, ku u vu në dukje rëndësia e paqes, e periudhës së gjatë të paqes së siguruar nga Bashkimi Europian, u theksua begatia dhe përparimi, që solli ajo. Sigurisht, Papa do të kujtojë vlerat themelore të kësaj Evrope dhe rrënjët e krishtera të saj, sepse këto vlera - dinjiteti i njeriut, solidariteti – pa dyshim që e kanë bazën në trashëgiminë e krishterë, bartëse e së cilës është edhe Rumania. Prandaj, Papa do t’i inkurajojë rumunët të vazhdojnë të japin kontributin e tyre në ndërtimin e kësaj Evrope, e cila shpresojmë të bëhet gjithnjë e më e qëndrueshme, e bazuar në vlera themelore, si ato të krishtera.

29 maj 2019, 18:16