Kërko

Vatican News
Memoriali i Nënë Terezës në Shkup Memoriali i Nënë Terezës në Shkup 

Gisotti: Papa do të bekojë gurin e parë të shenjtërores kushtuar Nënë Terezës në Shkup

U paraqit sot, në Sallën e Shtypit në Vatikan, udhëtimi i 29-të apostolik i Papës Françesku, i cili më 5 e 6 maj do të shkojë në Bullgari, ndërsa më 7 maj, do të ndalet në Maqedoninë e Veriut. Itinerari i Françeskut në kryeqytetin maqedonas do të karakterizohet nga disa çaste, që lidhen me figurën e Nënë Terezës.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku do të bekojë gurin e parë të shenjtërores kushtuar Nënë Terezës, në Shkup. U paraqit sot, në Sallën e Shtypit në Vatikan, udhëtimi i 29-të apostolik i Papës Françesku, i cili më 5 e 6 maj do të shkojë në Bullgari, ndërsa më 7 maj, do të ndalet në Maqedoninë e Veriut. “Etapa e Shkupit do të jetë e shkurtër, rreth 10 orë, por do të jetë hera e parë që një papë do të shkelë në atë tokë”: kështu e përshkroi pjesën e dytë të vizitës së Atit të Shenjtë, drejtori i përkohshëm i Sallës së Shtypit, Alessandro Gisotti. Itinerari i Françeskut në kryeqytetin maqedonas do të karakterizohet nga disa çaste, që lidhen me figurën e Nënë Terezës, në memorialin e së cilës, Papa do të bekojë gurin e parë.

Papa do të vizitojë Memorialin kushtuar Nënë Terezës

         Pas mbërritjes në Shkup, më 7 maj, Ati i Shenjtë do të pritet në oborrin e Pallatit Presidencial, do t’i bëjë një vizitë kortezie presidentit të Republikës dhe do t’i flasë popullit maqedonas në takimin me autoritetet, shoqërinë civile dhe Trupin Diplomatik. Pastaj, pjesa e vizitës, që i kushtohet krejtësisht shenjtes shqiptare të bamirësisë, Nënë Terezës, lindur në Shkup. Papa do të vizitojë Memorialin e saj, ndërtuar aty ku ndodhej kisha e Zemrës së Krishtit, shkatërruar nga tërmeti i vitit 1963. Aty është pagëzuar Nënë Tereza. “Memoriali – deklaroi sot Gisotti – është ndërtuar në një zonë të shkatërruar krejtësisht”, duke pohuar edhe se gjatë qëndrimit të Papës në Shkup “do të ketë çaste lutjeje me krerët fetarë të vendit, në kapelën ku ndodhen reliket e Nënë Terezës.

Papa do të bekojë gurin e parë të shenjtërores kushtuar Nënë Terezës

         Gjithnjë në Memorial – “vend shumë i vizituar, me rreth 100 mijë vetë në vit”, saktëson zëdhënësi i Vatikanit – është në program edhe “një çast takimi me të varfërit e ndihmuar nga Misionaret e Dashurisë, themeluar nga shenjtja shqiptare, si edhe një çast takimi me të afërmit e Nënë Terezës”. Pastaj, Papa do të bekojë gurin e parë të shenjtërores, që do të ndërtohet po aty. Në orën 11.30, mesha në sheshin Maqedonia, ku priten 10 mijë vetë, ndërmjet të cilëve, edhe besimtarë e ipeshkvij nga Shqipëria e Kosova. Dy, takimet e pasdites: me të rinjtë, në qendrën baritore të dioqezës dhe, me klerin, në katedralen e Zemrës së Krishtit. Pastaj, Papa do të shkojë në aeroport për ceremoninë e lamtumirës e për t’u nisur për në Vatikan.

03 maj 2019, 16:49