Cerca

Vatican News
Festa e Popujve  ne baziliken e Shen Gjonit ne Lateran Festa e Popujve  

Në Romë, Festa e Popujve, me temë “Në shtëpinë e përbashkët, një familje e vetme”

Në Romë, u kremtua edicioni XXVIII i Festës së Popujve, me temë “Në shtëpinë e përbashkët, një familje e vetme”. Festa - ku mori pjesë edhe bashkësia shqiptare, nisi në mesditë me kremtimin eukaristik, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, kryesuar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin.

R.SH. - Vatikan

26 bashkësi etnike me kombësi të ndryshme i dhanë jetë liturgjisë: kongolezët kënduan “Lavdi Hyjit”; psalmi u këndua në tagalog, gjuhë e filipinasve; lutja e besimtarëve u lexua në gjuhë të ndryshme; dhuratat eukaristike u çuan në altar nga bashkësia srilankeze; “Santus”-i u këndua në gjuhën ukrainase; këngët gjatë Kungimit, në rumanisht dhe malayalam, ndërsa kënga në mbyllje të meshës, në polonisht.

Gjellë tipike dhe koncert

Në përfundim të Meshës, në tremen e bazilikës se Shen Gjonit ne Lateran, të pranishmit dhe qytetarët, që erdhën për të festuar së bashku me emigrantët, mundën të shijonin gjellët tipike të 14 vendeve të botës: Eritresë, Togos, Shqipërisë, Rumanisë, Ganës, Nigerisë, Ukrainës, Polonisë, Bangladeshit, Brazilit, Kepit të Gjelbërt, Kongos, Kamerunit dhe Sirisë.

Në orën 15.00, festa vijoi me një shfaqje shumëetnike, gjatë së cilës u paraqitën rreth 20 grupe me këngë e valle folklorike. Në orën 18, koncerti, që mbylli ditën, në bashkëpunim me African Perfect Armony, grup muzikor me 11 elemente, lindur në vitin 2017 në qendrën e mikpritjes së emigrantëve në Tagliate të Lucca-s; si edhe me Med Free Orkestra, projekt i lindur në Testaccio të Romës, në vitin 2010, që bashkon muzikantë nga zona të ndryshme të globit, të cilët dhanë shfaqje së bashku me grupin “Earth Band”, udhëhequr nga Tony Esposito. Në skenë, edhe Marco Iachini, fituesi i Sound Spirit Festival 2019.

Të mos kemi frikë nga emigrantët

“Festa – nënvizoi drejtori i Zyrës Migrantes të dioqezës së Romës, imzot Pierpaolo Felicolo – synon të dëshmojë bashkëjetesën paqësore ndërmjet popujve të ndryshëm. Gjatë këtyre viteve, qyteti ka parë bukurinë e qëndrimit së bashku, prandaj duhet të vazhdojmë të impenjohemi për t’u larguar nga stereotipet mbi emigracionin e për të nxjerrë në pah normalitetin e takimit ndërmjet kulturave të ndryshme. Të ushqesh frikën kundër emigrantëve është mënyra më e keqe për të përballuar përmasën njerëzore të fenomenit të emigracionit. E nëse kjo frikë, nga individuale bëhet kolektive, rrezikojmë seriozisht që të kemi një reagim shoqëror, jo gjithnjë të kontrollueshëm”.

Festa e Popujve organizohet nga Zyra Migrantes e dioqezës së Romës dhe nga Karitasi i kryeqytetit italian, në bashkëpunim me bashkësitë katolike etnike dhe me realitete të tjera kishtare, që punojnë në fushën e emigracionit.

19 maj 2019, 15:21