Kërko

 Shpallja e  Eparkisë së Shën Nikollës, në Serbi Shpallja e Eparkisë së Shën Nikollës, në Serbi  

Kardinali Sandri: identiteti i popujve nuk ruhet duke ndërtuar mure

Kardinali Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore, ishte në Serbi, me rastin e kremtimeve të përurimit të Eparkisë së Shën Nikollës të Ruski Krstur, krijuar nga Papa Françesku, lartuar në rangun e Ekzarkatit për besimtarët bizantinë në vend. Kardinali i përcolli urimet e Papës, Patrikut serb ortodoks, Irenej.

R. SH. - Vatikan

Dje kardinali Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat lindore, ishte në veri të Novi Sad, në qytezën Ruski Krstur, seli e katedrales së Eparkisë së re, ku u kremtua Liturgjia Hyjnore e shpalljes së qarkut të ri dhe e fronëzimit të ipeshkvit të parë. Gjatë kremtimit, kardinali pohoi se “njohja e pjekurisë kishtare, me lartimin e Ekzarkatit në Eparki, nuk duhet kuptuar si çmim, as si pikarritje, por si përgjegjësi e pranisë së krishterë pranë vëllezërve të Kishës latine, në gatishmëri për të bashkëpunuar me vëllezërit e Kishës ortodokse”. Hirësia e tij citoi nxitjen apostolike  “Christus vivit” të Papës Françesku, duke theksuar se janë fjalë, që u drejtohen të rinjve, por që sigurisht vlejnë edhe për një Eparki “të re”, si kjo që u kushtua. Më pas, ftesa për ta jetuar gjithnjë bashkimin, në larmi reciproke. “Pavarësisht nga kufijtë e ndryshëm territorialë të shteteve, perandorive a republikave, që pasuan njëra-tjetrën - nënvizoi kardinali - bërthama e parë e besimtarëve Rusnask-Rusini-Ruteni mundi të zhvillohet edhe kishtarisht e edhe të zhvillojë, në gjirin e vet, studimet historike, gramatikën e gjuhës rutene si dhe botimet e plota të Ungjijve e të Besëlidhjes së Re”. Kardinali uroi që Rutenët të jenë gjithnjë  mjeshtra e dëshmitarë të bukurisë, që buron nga të jetuarit e bashkimit në larmi reciproke”.

“Fakti që ‘rusinët’ nuk kanë kufij kombëtarë, i ndihmoftë të jenë dëshmitarë që i tregojnë  botës se për të ruajtur identitetin e popujve nuk duhen ndërtuar mure, as perde të hekurta  - përfundoi .

Kardinali Sandri i përcolli përshëndetjen e Papës, Patrikut serb-ortodoks Irenej

Të shtunën e kaluar, në Beograd, kardinali Sandri u prit në audiencë nga patriku serb-ortodoks, Irenej dhe nga dy metropolitët e Sinodit, që këto ditë ishte i mbledhur në asamble. Pasi u përcolli përshëndetjen e Papës, Hirësia e Tij u shprehu urimet e tij të përzemërta me rastin e 800- vjetorit të autoqefalisë së Kishës serbe. “Takimi - njofton një notë - vijoi me bisedën rreth tematikave të ndryshme, në të cilën morën pjesë edhe  metropolitët ortodoksë si dhe nunci apostolik. Të dyja palët shprehën  dhimbjen për situatat, në të cilat lindin apo vijojnë tensione e ndeshje ndërmjet popujve të krishterë, në vise të ndryshme të botës. Udha e nevojshme - u theksua - është që liderët fetarë t’i edukojnë  besimtarët e tyre, duke u dhënë të gjithëve ndihmën e duhur për pastrimin e kujtesës”.

Si përfundoi audienca, delegacioni i Vatikanit vizitoi, i shoqëruar,   katedralen patriarkale e, më pas, edhe Tempullin e Shën Savës, Shenjtit pajtor të Kishës Ortodokse Serbe. Në famullinë bizantine të Novi Sadit u kremtuan mbrëmësoret, shoqëruar me muzikë dhe me sintezën historike të bashkësisë rutene, ku u ngrit Ekzarkati e tani, edhe Eparkia. Kardinali Sandri, duke marrë fjalën para se të përfundonin mbrëmësoret, theksoi se “Ekzarkati e Eparkia  janë dëshmi e njohjes të udhës së bërë, që i aftëson e i ngarkon besimtarët me përgjegjësinë për ta jetuar plotësisht praninë e tyre në këtë Kishë”.

20 maj 2019, 16:45