Kërko

 Shën Gabrieli i Zojës së Dhimbshme Shën Gabrieli i Zojës së Dhimbshme 

Kardinali Parolin të rinjve: si Shën Gabrieli, “Mos kini frikë nga sfidat e kohës!”

Kardinali Pietro Parolin, në mbrëmësoren mariane ndërkombëtare të të rinjve, rikujtoi se Krishti i ngjallur ecën me ne!

R. SH. - Vatikan

“Juve, të dashur të rinj, dëshiroj t’jua besoj detyrën e rëndë dhe impenjative: t’u kumtoni të gjithëve se Krishti u ngjall, Krishti jeton, siç  na e kujton Papa Françesku në Letrën e tij apostolike “Christus vivit”,  që jua drejton pikërisht ju. Me këtë mbrëmësore solemne fillojmë udhën e përgatitjes për kremtimet e njëqind vjetorit të shenjtërimit të Shën Gabrielit së Zojës së Dhimbshme, Pajtor i të rinjve katolikë të Italisë dhe Abrucos. Duke ecur në gjurmët e Shenjtit të të rinjve, jemi të ftuar të kujtojmë lidhjen e  tij të ngushtë me Marinë, që nis qysh nga emri i tij.

Këto, fjalët drejtuar nga kardinali Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, të rinjve, mbledhur në Teramo, për të kujtuar nxitjen apostolike të Papës Françesku “Christus vivit”.

Duke menduar, sonte për Shën Gabrielin, jemi të ftuar  të kthehemi me mendje e me zemër tek këmbët e Kryqit, së bashku me Zojën e Dhimbshme - vijoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit – duke u ndaluar, më pas, tek figura e Shenjtit, pajtor e model për të rinjtë:

“Shën Gabrieli, ashtu si Maria,  e kishte kuptuar misionin e tij: studionte, ndiqte mjediset e kohës, u shërbente vëllezërve, që kalonin çaste të vështira, kishte etje për formimin e krishterë. Ishte i ri, si gjithë bashkëmoshtarët, ndonëse jeta e tij qe e lidhur ngushtë, në një mënyrë krejt të veçanë, me vetë Zotin”.

Përvoja e Marisë, që sonte e jetuam së bashku në lutje - vijoi Kardinali Parolin - në lidhje video me bashkësitë kishtare të katër kontinenteve - duhet ta frymëzojë gjithnjë jetën tuaj. Inkurajim për të rinjtë ky. Për të kujtuar, më pas:

“Jemi të thirrur  të mos kemi frikë, të kërkojmë, të vërtetojmë të thellohemi pa pushim, por duke ecur në histori, me bindjen e patundur se i Ngjalluri ecën me ne”.

Më pas, ftesa për t’i pranuar pa frikë sfidat e kohës sonë, posaçërisht ato, që lidhen me globalizimin dhe me kërkimin shkencor. Madje - shtoi - është  dhuratë dhe mundësi e madhe, për t’u ndjerë pjesë e një shoqërie, që duhet ndërtuar edhe me kontributin tuaj.

Së fundi, kardinali Parolin pohoi atë, që është më kryesore për jetën e të gjithëve, posaçërisht për të tyren:

“Pa Krishtin e ngjallur, nuk mund ta jetoni plotësisht jetën tuaj”.

Në përfundim kujtoi edhe se udha e përgatitjeve dhe e ngjarjeve kremtore  që do të organizohen me rastin e njëqind vjetorit të Shenjtërimit të Shën Gabrielit të Zojës së Dhimbshme, është dhuratë e madhe jo vetëm për Kishën e Teramos, por për mbarë Kishën.

13 maj 2019, 18:04