Kërko

 Kardinali Marc Armand Ouellet Kardinali Marc Armand Ouellet  

Kardinali Ouellet: masa të frytshme kundër plagës së abuzimeve

Prefekti i Kongregatës për Ipshkvijtë shpjegon Motu proprion mbi procedurat e reja për luftën kundër shpërdorimeve në Kishë: normat, të dëshiruara nga Papa Françesku, janë fryt i takimit të rangut të lartë të shkurtit të kaluar, mbajtur në Vatikan, në të cilin morën pjesë kryetarët e Konferencave ipeshkvnore të mbarë botës.

R. SH. - Vatikan

Motu proprio Vos estis lux mundi synon të jetë përgjigje universale dhe konkrete, përballë fenomenit të abuzimeve: e pohon, në Vatican News, kardinali Mark Ouellet, Prefekt i Kongregatës për Ipeshkvijtë. Hirësia e Tij shpjegon risitë kryesore të këtij teksti, prodhim i bashkëpunimit të gjerë kishtar.

Hirësi, si lindi ky dokument?

“Mund ta konsiderojmë Motu proprion Vos estis lux mundi si një nga frytet e takimit për mbrojtjen e të vegjëlve, thirrur nga Papa, në Vatikan, shkurtin e kaluar, ku morën pjesë të gjithë krerët e Dikastereve të Kuries Romake dhe kryetarët ose përfaqësuesit e Konferencave ipeshkvnore të mbarë botës. Më se një herë Ati i Shenjtë theksoi, duke e përgatitur këtë takim sinodal, se dëshiron konkretësi dhe efikasitet, që çdo ipeshkëv ose epror rregulltar të niset nga Roma krejt i qartë për çka duhet të bëjë e çka nuk duhet të bëjë. Ky dokument i ri përcakton ecuritë e reja e të frytshme për t’iu kundëvënë plagës së shpërdorimeve”.

Sa ndikoi mbi hartimin e dokumentit, përvoja e fituar gjatë rasteve më të fundit, që u vërejtën në vendet e ndryshme të botës, në kontinente të ndryshme?

“Përvoja e dhimbshme, e jetuar vitet e fundit, na mësoi shumë, e sigurisht që kjo Motu Proprio e pasyqron këtë. Do të ishte e gabuar të konsiderohej si përgjigje, që i jepet këtij apo atij rasti. Fenomeni është global, e edhe përgjigjja duhet të jetë universale e, siç thotë Papa, edhe konkrete!”.

Cilat janë të rejat kryesore?

“Para së gjthash, detyrimi për çdo dioqezë të Kishës katolike, të pajiset me sisteme të qëndrueshme e lehtësisht të përdorshme nga publiku, për të paraqitur sinjalizimet lidhur me shpërdorimet. Pastaj detyra që të gjithë klerikët, rregulltarët dhe rregulltaret, të cilët marrin vesh se ka ndodhur ndonjë abuzim, ose ndonjë fshehje e së vërtetës në këtë drejtim, të sinjalizojnë  ipeshkvin ose eprorin regulltar. Përveç këtyre, flitet edhe për shpërdorim ose ushtrim dhune, përmes abuzimit të autoritetit: kjo do të thotë se në normativë përfshihen edhe rastet e abuzimit nga ana e klerikëve dhe e eprorëve, mbi rregulltaret, seminaristët ose mbi novicët. Theksohet edhe se kush sinjalizon, nuk mund as nuk duhet t’i nënshtrohet paragjykimeve a diskriminimeve. Së fundi, jo më pak e rëndësishme, ipeshkvijtë dhe eprorët rregulltarë duhet të japin llogari  për veprimet e bëra, jo vetëm në rastin e abuzimeve të kryera  prej tyre, por edhe në rastet e ndërhyrjes për t’i penguar hetimet civile ose kanonike, administrative ose penale kundër një kleriku ose rregulltari, që abuzon. Së fundi, normat parashikojnë një bashkëpunim gjithnjë më të ngushtë ndërmjet dikastereve: e kjo, jo vetëm për t’u shërbyer më mirë dioqezave e instituteve rregulltare të botës, por kryesisht për bashkëpunim më të mirë ndërmjet vetë dikastereve”.

Sipas jush, a krijohet rreziku që sinjalizimet për klerikët të mund t’i hapin rrugën shpifjeve edhe kundër njerëzve të pafajshëm?

“Kur krijohet një sistem normash e procedurash - të studiuara për të bërë mirë e për t’i përmirësuar gjërat - ekziston gjithnjë rreziku i manipulimit për motive të padrejta. Por nuk mund ta refuzojmë një gjë të drejtë, për t’i prerë hovin një të padrejte. Me shpresë se nuk do të kemi raste të tilla!”.

10 maj 2019, 15:15