Kërko

 Zona pyjore amazonike Zona pyjore amazonike 

Kardinali Hummes: nga Sinodi, udhë të reja për të shpëtuar Amazonën

Për kardinalin brazilian Hummes, Sinodi do të jetë ngjarje historike, që do të shpëtojë jo vetëm popullsinë amazonike, por mbarë Planetin. Në këshillin e ardhshëm para-sinodal, në Vatikan, redaksia e Instrumentum laboris do të ketë në qendër të vëmendjes nevojën e krijimit të udhëve të reja, që në këtë rajon të bëhet i mundur realizimi i misionit të Kishës.

R. SH. - Vatikan

Kardinali Claudio Hummes, relator i përgjithshëm në Sinodin e ardhshëm  për Amazonën dhe  kryetar i Rrjetit Kishtar Pan-amazonik, do të jetë në Vatikan javën e ardhshme, për të marrë pjesë në Këshillin para-sinodal. Hirësia e Tij mori pjesë në Asamblenë Plenare të ipeshkvijve brazilianë, në Aparesida e cila, ndërmjet temave të ndryshme, nuk mund të mos prekte edhe temën e sinodit të ardhshëm në Amazonë. Në mikrofonet tona Kardinali Hummes flet, shkurtimisht, për  situatën e punimeve sinodale:

“Jemi në një proces sinodal e, në këtë fazë, po mbahen takime në të gjitha dioqezat, me pjesëmarrjen e njerëzve, të përfaqësuesve të popullsisë autoktone e asaj të qyteteve të Amazonës.  Kjo bën pjesë edhe në historinë tonë fetare e këtu, në Brazil, do të jetë çast themelor. E them gjithnjë se ky Sinod do të jetë historik. Do të hapë udhë të reja për Amazonën, e do të pasqyrohet në mbarë botën. E kjo, sepse ka të bëjë me krizën klimaterike, ekologjike të planetit, e ne jemi në qendër të vëmendjes pikërisht në këtë çast historik.  Sinodi mblidhet në këtë çast të rëndë për mbarë njerëzimin e prandaj Shpirti i Zotit do të na  prijë për të gjetur rrugë të reja, për ta shpëtuar Amazonën, njerëzit e Amazonës e për të shpëtuar edhe vetë Planetin!”.

Pas këtij procesi dëgjimi, do të ketë një para-sinod edhe në Romë…

“Po, do të jetë takimi i këshillit para-sinodal, që do të mbledhë të gjitha sugjerimet e dala nga këshillimi me dioqezat në trojet panamazonike e, sipas këtyre të dhënave të mbledhura, më pas edhe të përmbledhura, gjatë takimit të ardhshëm të Romës do të hartohet Instrumentum laboris, domethënë, plani i punës që, më pas, do të rikthehet në bazë, për t’u studiuar e për t’u thelluar në një asamble të territorit, edhe për t’u dhënë ipeshkvijve, që do të jenë etër sinodalë, mundësinë e pjesëmarrjes së njerëzve këtu, në territor, gjë që do t’i ndihmojë për t’i kuptuar e për t’i përforcuar propozimet e “Instrumentum laboris”.

Kardinali Hummes, e dimë se e keni shumë për zemër këtë sinod. Cila është tematika, që e ndjeni më fort?

“Kryesisht, çështja e udhëve të reja. Besoj se Kisha  ka shumë nevojë të gjejë shtigje të reja e, kur bëja vizitat e mia në territor, vizitova gjithë zonën pyjore braziliane, e edhe vende të tjera të territoreve amazonike. E ndjeva kudo nga pak ankthin e Kishës, të veprimtarëve baritorë, të ipeshkvijve, të meshtarëve. Ankth, që buron nga mendimi se ndoshta nuk do të jenë në gjendje për ta realizuar misionin: duhen krijuar udhë të reja, që të mund të realizohet vërtet ky mision, në këtë çast historik, në Amazonë. E pikërisht tema e udhëve të reja do të jetë themelore. Edhe Papa thotë se gjatë sinodit nuk do të përsëriten gjërat e thëna: duhet të flasim për gjëra të reja, për perspektiva të reja, pa kurrfarë frike nga e reja, Kjo është diçka që më bën të lumtur e më jep shumë shpresë!”.

11 maj 2019, 18:01