Cerca

Vatican News
Kardinali Pietro Parolin Kardinali Pietro Parolin 

Kard. Parolin: me nacionalizmat, ka rrezik të përsëritet e kaluara

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve mbi faktin se në Evropë po rriten gjithnjë e më tepër lëvizjet nacionaliste, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, parlajmëroi për rrezikun e kthimit të konflikteve.

R.SH. - Vatikan

“Ka gjithnjë rrezik të përsëritet e kaluara e të kthehemi tek forma nacionalizmi, që i kundërvihen njëra-tjetrës. Formula [për të mos rënë në këtë kurth] është ajo e identitetit të hapur ndaj tjetrit, sepse kemi nevojë të gjithë për identitetin tonë, por jo në kundërvënie me të tjerët”. Kështu deklaroi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve mbi faktin se në Evropë po rriten gjithnjë e më tepër lëvizjet nacionaliste.

Kisha ka paralajmëruar qëkur për rrezikun e nacionalizmit

         “Magjisteri i Kishës – nënvizoi kardinali – i ka nxjerrë në dritë qëkur rreziqet e nacionalizmit e këtë e ka bërë duke u nisur pikërisht nga përvoja konkrete e nacionalizmave, që sollën shumë probleme e konflikte. Duhet ta kujtojmë këtë, por, fatkeqësisht, sot fryjnë erëra të tjera”. Sekretari i Shtetit të Vatikanit foli me gazetarët, pas konferencës së Universitetit Katolik të Milanos, me temë “1919-2019. Shpresa për paqen ndërmjet Lindjes e Perëndimit”, pjesë e veprimtarive për kremtimin e 10-vjetorit të Institutit Konfuci. Ky Institut bën pjesë në një rrjet botëror prej 480 qendrash në të gjithë botën, që promovojnë dhe përhapin gjuhën e kulturën kineze, përmes marrëveshjeve ndërmjet universiteteve kineze dhe të huaja.

14 maj 2019, 14:57