Kërko

Kardinali Pietro Parolin Kardinali Pietro Parolin 

Kard. Parolin mbi bashkimin e familjes njerëzore nga Benedikti XV tek Françesku

Dje, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, hapi punimet e konferencës ndërkombëtare “1919-2019. Shpresa për paqe ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit”. Të pranishëm, dy ipeshkvij katolikë kinezë, si dhe studiues të shquar ndërkombëtarë.

R.SH. - Vatikan

Vëmendja e Kishës për unitetin e familjes njerëzore dhe për të mirën e përbashkët është filli, që përshkoi fjalën e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, në konferencën ndërkombëtare “1919-2019. Shpresa për paqe ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit”, mbajtur në Universitetin Katolik të Zemrës së Krishtit në Milano të Italisë. Tema e analizës së tij: “Bashkimi i familjes njerëzore nga Papa Benedikti XV tek Papa Françesku”. Në reflektimin e tij, kardinali nënvizon se Kisha, kur ka qenë fjala për unitetin e familjes njerëzore, është shprehur gjithnjë në favor të paqes e të bashkëpunimit ndërkombëtar, duke promovuar punën e organizatave mbikombëtare. Kjo, sepse problemeve globale u duhen dhënë zgjidhje po aq globale.

Benedikti XV kundër luftës, në favor të misionit

Kardinali Parolin përvijoi, më pas, magjisterin e papëve gjatë shekullit të fundit. Benedikti XV, Papa, që ndërhyri për ruajtjen e Korçës e të Gjirokastrës, në vitin 1917, e quajti luftën “masakër të padobishme”, duke përuruar kështu “një linjë të re të magjisterit papnor, gjithnjë e më kritike ndaj luftës si mjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare”. Ky qëndrim, theksoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, u mbajt edhe nga pasardhësit. E Benediktit XV është enciklika “Pacem Dei Munus”, por kardinali analizoi edhe Letrën Apostolike “Maximum Illud”, dokument me të cilin Papa i këshillon misionarët të mos ndihen më lart se kleri vendas, por të punojnë me zell për shtimin e tij. “Letra - nënvizoi kardinali - pohoi qartë se misionet nuk janë shtrirje e krishterimit perëndimor, por shprehja e një Kishe me të vërtetë universale, që dëshiron të vihet në shërbim të gjithë popujve”.

Uniteti i familjes njerëzore tek Piu XI dhe Piu XII

Shqetësimi për unitetin e familjes njerëzore karkaterizuan edhe papnitë e Piut XI dhe të Piut XII. I pari po përgatiste një enciklikë, që nuk mundi ta shohë dritën e botimit. “Nga dokumentet arkivore – kujtoi kardinali Parolin - dimë se do të dënonte me vendosmëri antisemitizmin racist dhe nazist, pikërisht në emër të barazisë dhe të bashkimit të racës njerëzore”. E pastaj, fjalët e njohura të Papës Piu XII, në prag të Luftës II Botërore: “asgjë nuk humbet me paqen. Çdo gjë mund të humbasë me luftën”.

Gjoni XXIII dhe Koncili II i Vatikanit

Edhe Koncili II i Vatikanit e vuri në qendër të vëmendjes bashkimin e  familjes njerëzore dhe kontributin, që mund të jepte Kisha për këtë, falë universalitetit të saj. Papa Gjoni XXIII jo vetëm e thirri Koncilin, por shkroi edhe enciklikën “Pacem in Terris”, pas krizës serioze të Kubës, në të cilën njerëzimi rrezikoi të niste luftën bërthamore. Në të, u bëhej thirrje anëtarëve të çdo bashkësie politike që të bashkëpunonin me njëri-tjetrin në mbarë botën. Shtetet, shkruante Papa i mirë, duhet të punojnë për të mirën e përbashkët.

Pali VI dhe impenjimi për paqen

Angazhimi për paqen u shfaq dukshëm edhe nga Pali VI, i cili “i ndjeu fort marrëdhëniet ndërmjet universalitetit të Kishës dhe unitetit të racës njerëzore”. Ai qe Papa i parë në histori, që foli para Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, prandaj, theksoi kardinali Parolin, “përfaqëson një Kishë, që vihet në shërbim të çështjes së paqes”, duke marrë pjesë në gëzimet dhe në shpresat e popujve. Në enciklikën “Populorum Progressio”, Ati i Shenjtë theksoi “lidhjen ndërmjet shtysës për bashkimin e njerëzimit dhe idealit të krishterë të një familjeje të vetme popujsh”, siç vuri në dukje, gjatë konferencës, Sekretari i Shtetit të Vatikanit.

Gjon Pali II dhe Benedikti XVI

         Përsa i përket Papës Gjon Pali II, kardinali Parolin kujtoi dy çaste të rëndësishme: i pari, kthimi i kërcënimit bërthamor në vitet 1985-1986, të cilit Papa polak iu përgjigj me Takimin e Asizit, në të cilin mblodhi gjithë krerët e feve botërore për paqen. I dyti, në vitin 2003, në prag të luftës në Irak, kur i tha Trupit Diplomatik, në Vatikan: “Jo luftës: lufta nuk është kurrë fatalitet; ajo është gjithnjë humbje për njerëzimin”. Edhe mendimi i Papës së mëvonshëm, Benedikti XVI, vijoi në këtë drejtim. Në enciklikën “Caritas in Veritate”, Papa aktual i nderit nënvizoi se impenjimi për të mirën e përbashkët në një shoqëri të globalizuar, nuk mund të mos përqafojë krejt familjen njerëzore, bashkimin e popujve dhe të kombeve.

Papa Françesku dhe e mira e përbashkët

         Së fundi, Papa Françesku, duke ndjekur vijën e Koncilit II të Vatikanit, i thekson karakteristikat e një Kishe në dalje, prirur kah ungjillëzimi. Ati i Shenjtë përballet me problemet dhe kontradiktat e globalizimit të avancuar. Në enciklikën “Laudato Si’”, Papa na kujton se në një familje të vërtetë njerëzore nuk ka vend për “globalizimin e indiferencës”. Qendrore, për Atin e Shenjtë, jo vetëm kujdesi për shtëpinë e përbashkët, por edhe denoncimi i iluzionit të sigurisë për pak vetë, duke i mbajtur të tjerët nën thundrën e vuajtjes e të varfërisë. Duhet ta dëgjojmë zërin e të varfërve, përsërit shpesh Papa Françesku, duke mos e lejuar përjashtimin e të tjerëve e duke ndërtuar një botë gjithnjë e më të drejtë dhe më njerëzore. Kështu, mund të arrihet bashkimi i vërtetë i popujve.

15 maj 2019, 16:01