Kërko

Kardinali Pietro Parolin Kardinali Pietro Parolin 

Kard. Parolin: Papa e sheh Kinën si vend “të madh e të pasur me histori”

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në një intervistë për Global Times, nënvizon hapat e bëra pas Marrëveshjes së përkohshme ndërmjet Kinës dhe Selisë së Shenjtë.

R.SH. - Vatikan

“Dua t’ju çoj krerëve, por edhe gjithë popullit të Kinës, përshëndetjen, urimet më të mira dhe lutjet e Papës Françesku”: kështu shprehet Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në një intervistë për “Global Times”, tabloid i gazetës kineze “Zëri i Popullit”, organ i Partisë Komuniste.

         Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve Francesco Sisci dhe Zhang Yu, kardinali Parolin pohon se “Ati i Shenjtë u kërkon veçanërisht katolikëve të ndërmarrin me guxim udhën e bashkimit, të pajtimit e të kumtimit të ri të Ungjillit. Dhe e sheh Kinën jo vetëm si një vend të madh, por edhe si një kulturë të madhe, të pasur me histori e urti.

Kina të hyjë në dialog me botën

         “Sot, Kina ka arritur të tërheqë vëmendjen dhe interesin e gjithëkujt, sidomos të më të rinjve”, shton më tej kardinali Parolin, duke vijuar intervistën e gjatë për tabloidin kinez. “Selia e Shenjtë shpreson që Kina të mos ketë frikë të hyjë në dialog me pjesën tjetër të botës e që kombet e botës t’u kushtojnë vëmendje aspiratave të popullit kinez. Në këtë mënyrë, me të gjithë ata, që punojnë së bashku, jam i sigurtë se do të jemi në gjendje ta kapërcejmë mosbesimin dhe të ndërtojmë një botë më të sigurt e më të begatë”, shton Sekretari i Shtetit të Vatikanit.

Shenja pozitive

         “Me fjalët e Papës Françesku, mund të themi se vetëm duke u bashkuar mund ta kapërcejmë globalizimin e indiferencës, duke punuar si artizanë krijues të paqes dhe nxitës të vendosur të vëllazërimit”, përfundon kardinali Parolin.

         Vetë gazetarët vënë në dukje se pas nënshkrimit të Marrëveshjes së përkohshme ndërmjet Kinës dhe Selisë së Shenjtë, ka shenja pozitive e hapa përpara në marrëdhëniet dypalëshe. Për shembull, kremtimet e Pashkëve janë zhvilluar paqësisht në gjithë vendin dhe një delegacion vatikanas mori pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Hortikulturës (kopshtarisë) në Pekin. “Kemi besim – uron në intervistë kardinali Parolin – në hapjen e një faze të re bashkëpunimi më të madh, për të mirën e bashkësisë katolike kineze dhe për harmoninë e krejt shoqërisë”.

13 maj 2019, 12:55