Cerca

Vatican News
 Imzot Ayuso Guixot Imzot Ayuso Guixot 

Imzot Ayuso Guixot, në krye të Dikasterit për dialogun ndërfetar

Ipeshkvi spanjoll, imzot Ayuso Guixot, 67 vjeç në qershor, zë vendin e kardinalit Tauran, vdekur vitin e kaluar. Specialist i Islamit si misionar kombonian, jetoi për shumë vjet në Egjipt e në Sudan

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku emëroi kryetar të Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar,  ipeshkvin spanjoll, Miguel Ángel Ayuso Guixot. Specialist i Islamit, si misionar kombonian, jetoi dhumë vjet në Egjipt e Sudan.  

Misionar kombonian, specialist i Islamit

Imzot Ayuso Guixot lindi në Sevilje, më 17 qershor 1952. Misionar kombonian i Zemrës së Krishtit, i shuguruar meshtar më 20 shtator 1980, shërbeu në Egjipt e Sudan, deri në vitin 2002. Studioi kulturën arabe e islamistikën në Romë, më 1982; ndërsa teologjinë dogmatike, në Universitetin e Granadës, në vitin 2000. Nga viti 1989 ishte profesor i islamistikës një herë në Khartoum, pastaj Kairo e, kohët e fundit, në Institutin Papnor për Studimet Arabe dhe Islamistikën. Kryeson vazhdimisht  takime të ndryshme ndërfetare.

I zgjedhur nga Benedikti XVI e edhe nga Françesku

Pasi qe zgjedhur nga Benedikti XVI sekretar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar në vitin 2012, Françesku e emëroi ipeshkëv i Lupercianës, duke e shuguruar në vitin 2016. Është njohës i gjuhëve arabe, angleze, franceze e italiane.

Shkurtin e kaluar imzot Guixo shoqëroi Françeskun në Emiratet Arabe, ku Papa, së bashku me Imamin e Madh të Al-Azhar nënshkroi “Dokumentin e Vëllazërimit njerëzor për paqen dhe bashkëjetesën botërore (Abu Dabi, 4 shkurt 2019).

Kohët e fundit imzot Guixo i drejtoi botës islamike mesazhin e urimit për Ramazan, me ftesën që të krishterë e myslimanë t’ia hapin zemrën njëri-tjetrit e ta shikojnë njëri-tjetrin si vëllezër e motra!

 

25 maj 2019, 13:12