Kërko

 Papa, në takimin  me anëtarët  e Fondacionit   Centesimus Annus Pro Pontifice Papa, në takimin me anëtarët e Fondacionit Centesimus Annus Pro Pontifice 

Çmimi Centesimus Annus: ekonomia dhe mendimi i Shën Tomës

Sot Fondacioni Centesimus Annus i dorëzoi çmimin ndërkombëtar “Ekonomia edhe shoqëria”, profesoreshës Mary L. Hirschfeld, për librin “Akuinasi dhe tregu. Drejt ekonomisë njerëzore”. Libër që, duke u nisur nga mendimi i Shën Tomës, hedh dritë të re mbi ekonominë, në të cilën pasuria nuk është qëllim përfundimtar.

R. SH. - Vatikan

“Çmim i dhënë për pikat e rëndësishme të reflektimit, që ofron”. Ky motivacioni, i cili e nxiti Fondacionin Centesimus Annus Pro Pontefice të zgjidhte, ndërmjet 45 veprave, ardhur nga 12 vende, të tre kontinenteve, librin “Akuinasi dhe tregu. Drejt një ekonomie njerëzore”, shkruar në gjuhën angleze nga profesoresha Mary L. Hirschfeld, pedagoge e ekonomisë dhe e teologjisë në universitetin e Villanova-s (SHBA). Reflektimi, parë në dritën e mendimit të Shën Tomës së Akuinit, përqendrohet mbi idenë se ekonomia duhet t’i shërbejë  lumturisë njerëzore e se pasuria, parë si qëllim në vetvete, nuk është objektivi përfundimtar.

Një dialog i vërtetë ndërmjet teologjisë dhe ekonomisë, ky libër, i mbështetur mbi vizionin e Shën Tomës, na ndihmon të kuptojmë se Doktrina shoqërore e Kishës nuk niset nga Leoni XIII, por ushqehet nga rrënjët shumë të thella të traditës së krishterë. Në botën e sotme, ku gjithnjë më shumë njerëz ndjehen fare të mjerë - fituesja e çmimit na kujton se kjo mund të jetë rrjedhojë e “lidhjes patologjike të njeriut me paranë”. Shpesh - kujton akoma - nuk arrijmë të mbajmë qëndrim kritik përballë pushtetit të parasë mbi jetën tonë e mbi shoqërinë, në të cilën jetojmë. E kjo na krijon rrezikun ta shikojmë paranë jo si mjet, por si qëllim. Po për Shën Tomën e Akuinit, mbi të cilin mbështetet libri i vlerësuar me çmim - njeriu mund ta gjejë lumturinë e fundme vetëm në Zotin! Ndërsa, në këtë botë, është i lumtur kur bën mirë, kur ka lidhje të thella me familjen, kur punon me e për drejtësi. E sidomos, kur arrin në përfundimin se nuk ka nevojë të shtjerë në dorë gjithë pasurinë e botës. Për të qenë i lum, i mjafton vetëm aq, sa i duhet për të jetuar denjësisht e për ta shprehur mirësinë e Zotit me jetën  e vet!

Hirschfeld: të ndërtohen urat, për të cilat bota ka shumë nevojë!

E kthyer prej njëzet vjetësh në fenë e krishterë, profesoresha Mary L. Hirschfeld, duke marrë çmimin, tregoi jetën e vet, ankthet, luftën shpirtërore, para se të takonte Zotin. “Kisha - theksoi - më dha gjithçka kishte nevojë shpirti im. Ma shoi etjen e pafundme, që nuk do të kisha mundur ta shuaj, as sikur të fitoja të gjitha pasuritë e botës”.

29 maj 2019, 14:23