Kërko

2019.05.29  Aloysius John - Caritas Internationalis 2019.05.29 Aloysius John - Caritas Internationalis 

Aloysius John është sekretar i ri i Caritas Internationalis

Dje, në përfundim të Asamblesë së Përgjithshme të 21-të të Caritas Internationalis, u zgjodh sekretari i ri i përgjithshëm. Është Aloysius John, deri tani qe përgjegjës për zhvillimin institucional e për ndërtimin e konfederatës. Zëvendëson Michel Roy i cili e drejtoi Caritasin Ndërkombëtar 4 vitet e fundit

R.SH. - Vatikan

Caritas Internationalis ka sekretarin e ri në personin e Aloysius John. Pas rikonfirmimit të kardinalit Luis Antonio Tagle, kryeipeshkëv i Manilës, si kryetar të këtij organizmit kishtar, dje në Romë në përfundim të punimeve të Asamblesë së 21-të të Përgjithshme mbi temën: "Një familje e vetme njerëzore, një shtëpi e përbashkët", u zgjodh sekretari i ri i përgjithshëm, i cili do të mbetet në detyrë për 4 vitet e ardhshme.

Indian me kombësisë franceze

Pra, sekretari ri i Karitasit Ndërkombëtar është Aloysius John, deri më tani ishte përgjegjës i zhvillimit institucional dhe për ndërtimin e konfederatës. Aloysius John është 62 vjeç, i martuar e ka tre fëmijë. Ka lindur në Indi, por është me kombësi franceze.

Në deklaratën përfundimtare të Asamblesë së Përgjithshme, të gjithë anëtarët e Karitasit Ndërkombëtar ripohuan angazhimin e tyre "për të punuar për ndërtimin e një bote ku Zoti të njihet gjithnjë e më shumë si dashuri, drejtësi dhe paqe; ku solidarizimi përqafohet nga të gjithë ", ku nuk duhet të ketë më  persona "të mënjanuar, të shfrytëzuar apo të abuzuar"; një botë në të cilën të gjithë njerëzit jetojnë me dinjitet dhe ku tërë krijimi mbrohet, kultivohet e konsiderohet si shtëpi e përbashkët. Caritasi, - u theksua - duke qenë pjesë e Kishës, është i thirrur të jetë së bashku dhe pranë më të varfërve të shoqërisë, kudo.

Kujtojmë se Papa Françesku më 23 majin e kaluar, në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, kremtoi Meshën me rastin e hapjes së asamblesë XXI të Caritas Internationalis, me temë “Një familje njerëzore, një shtëpi e përbashkët”. Në homelinë e tij Papa mes tjerash u kujtoi anëtarëve të Caritas Internationali: njerëzit, para programeve. Kisha nuk duhet të jetë si ndonjë “maket i përsosur”, që kënaqet me vetveten, por është e thirrur të ndjekë me gjallëri Ungjillin e të vendosë njerëzit, para programeve.

Homelia e Papës Françesku

Në homelinë e tij, Ati i Shenjtë i këshilloi anëtarët e Karitasit të kenë kujdes nga tundimi i “efikasitetit me çdo kusht”, duke menduar se Kisha ecën përpara vetëm nëse është në gjendje të kontrollojë gjithçka. “Zoti nuk vepron kështu – vërejti Papa – me të vërtetë, të vetëve nuk u dërgon nga qielli ndonjë përgjigje, por u çon Shpirtin Shenjt”.

“Jezusi – theksoi Papa, duke komentuar leximin e sotëm nga Veprat e Apostujve, ku dishepujt pyesin veten nëse edhe paganët e kthyer në të krishterë duhej të ndiqnin rregullat e tyre – nuk dëshiron që Kisha të jetë si ndonjë model i përsosur, që i pëlqen organizimi i vet… Jezusi nuk jetoi kështu, por për udhë, pa pasur frikë nga shtrëngatat e jetës. Ungjilli është programi ynë i jetës. Na mëson se problemet nuk përballohen me receta të gatshme e se feja nuk është program për marrshim, por një ‘Udhë’ për t’u përshkuar së bashku”.

3 elemente thelbësore për Kishën në udhë

Pikërisht nga Veprat e Apostujve, Papa mori 3 elemente e ua propozoi anëtarëve të Karitasit. Françesku i nxiti të dëgjojnë me përvujtëri edhe më të vegjlit, duke mos u përqendruar vetëm në vetvete; të kenë karizmën e bashkimit ndërmjet tyre e ta lejojnë Fjalën e Hyjit t’u flasë zemrave; si edhe të kenë guximin për të hequr dorë nga siguritë e jetës, për të ecur me hap të shpejtë e të lehtë pas Zotit, në shërbimin e përvuajtur për të tjerët.

 

Të shmanget “gatopardizmi”

Për të ecur së bashku, nënvizoi Papa, është e domosdoshme të lehtësohemi nga barra e sendeve, që nuk na shërbejnë për kumtimin e dashurisë së Zotit. Duhet të heqim dorë edhe nga vetvetja, pasi “feja e vërtetë na çliron nga lidhja” me gjërat e panevojshme.

“Si Kishë, - vijoi Ati i Shenjtë - nuk jemi të thirrur për kompromise biznesi, por për hove ungjillore. Dhe në purifikimin e në reformimin e vetvetes duhet të shmangim ‘gatopardizmin’, pra, të mos bëjmë sikur ndryshojmë diçka, për të mos ndryshuar asgjë. Kjo ndodh, për shembull, kur, për të ecur me kohën, bëjmë pak makiazh në sipërfaqe, por thjesht për t’u dukur si më të rinj”.

 

Jo para kompjuterit, por para njerëzve

Të jeni të përvujtë e të dëgjoni të tjerët: kjo ishte këshilla e dytë e Papës Françesku për anëtarët e Karitasit. Sidomos, dëgjoni të vegjlit dhe të fundmit. “Në botë – nënvizoi Ati i Shenjtë – kush ka mjete më shumë, flet më shumë, por s’mund të jetë kështu ndërmjet nesh, sepse Zotit i pëlqen të zbulohet në të vegjlit e në të fundmit. E i kërkon gjithkujt të mos e shohë askënd nga lart poshtë”. Kjo mund të ndodhë vetëm për t’i dhënë dorën tjetrit e për ta ndihmuar.

“Kështu i shoshit punët Kisha: jo para kompjuterit, por para realitetit të njerëzve. Njerëzit vijnë para programeve, e shihen me përvujtërinë e atij, që di të kërkojë tek të tjerët, praninë e Zotit, që nuk jeton me madhështinë e asaj që bëjmë, por me vogëlsinë e të varfërve që takojmë”.

 

Forca për ta dashur njëri-tjetrin vjen nga Zoti

E gjithë kjo bëhet në kuadrin e një karizme të veçantë, shtoi Papa Françesku. Është karizma e bashkimit, që mbizotëron ndaj ndryshimeve, sepse i bën të krishterët të ndihen Kishë e Krishtit, ku bamirësia e solidariteti nuk krijojnë uniformitet, por bashkim, ashtu si ndër të krishterët e parë.

 “Ndërsa zërat e djallit e të botës sjellin përçarje, zëri i Bariut të Mirë formon një grigjë të vetme. E kështu, bashkësia i ka rrënjët në Fjalën e Zotit e mbetet e fortë në dashurinë e Tij”.

 

Të varfërit, tabernakuj të gjallë

E pikërisht kjo vetëdije se jemi të bashkuar rreth dashurisë së Krishtit, sipas Papës, është rruga për të qenë të krishterë të vërtetë.

 “Na ndihmon të qëndrojmë para tabernakullit e para shumë tabernakujve të gjallë, që s’janë tjetër, veçse të varfërit. Eukaristia dhe të varfërit, tabernakulli i palëvizshëm dhe tabernakulli i lëvizshëm: në njërin, qëndrojmë para dashurisë së Zotit dhe bëjmë tonën mendësinë e Bukës së thyer. Në tjetrin, kuptojmë ‘si të jemi Kishë’, ashtu siç thotë Jezusi” .

29 maj 2019, 12:52