Cerca

Vatican News
PORTUGAL FATIMA PILGRIMAGE PORTUGAL FATIMA PILGRIMAGE  (ANSA)

13 maj: përvjetori i dukjeve të Virgjërës Mari në Fatima të Portugalisë

Mesazhi që Virgjëra Mari u përcolli barinjve të vegjël e të thjeshtë në Fatima atë vit të paharrueshëm 1917 mbetet aktual, sepse është mesazhi i paqes e i dashurisë ungjillore. Pra, është mesazhi i përhershëm, do të thotë mesazhi i Ungjillit.

R.SH. - Vatikan

Më 13 maj kalendari kishtar kishtar përkujton dukjet e Virgjërës Mari në Fatima të Portugalisë, më 1917.  Si sot më 13 maj të vitit 1017, në livadhet e Kova d’Iria, ku tre fëmijë: Luçia, Gjaçinto e Françeska, kullosnin grigjën e tyre, u duk për herë të parë Virgjëra Mari, dukje që e shndërroi qytetin e Fatimës në qendër përshpirtërie botërore.

Pra, pikërisht si sot, të dielën më 13 maj të vitit 1917, për gjashtë herë me radhë Zoja e Bekuar iu dukë tre barinjve të vegjël, Lucisë së Jezusit, Françeskut e Gjaçintos, të cilëve u la një mesazh të rëndësishëm shpirtëror për mbarë njerëzimin. Që nga ai 13 maj 1917, rreze force e dhembshurie mariane hedhin dritë përtej horizontit njerëzor. Ipeshkvi i Leira-s, në letrën baritore në përfundim të 500-të vjetorit të kësaj ngjarje, pat pohuar se mesazhi i Fatimës “përmbledh një doktrinë aq të gjerë sa që mund të pohohet se nuk i shpëton asgjë prej temave themelore të fesë sonë të krishterë...”

E mesazhi që Virgjëra Mari u përcolli barinjve të vegjël  e të thjeshtë në Fatima atë vit të paharrueshëm 1917 mbetet  aktual, sepse është mesazhi i paqes e i dashurisë ungjillore. Pra, është mesazhi i përhershëm, do të thotë mesazhi i Ungjillit. Jezusi, në fillim të jetës së tij publike, siç lexojmë në Ungjillin e Shën Markut, pati thënë “Pendohuni e besoni në Ungjill!”. Kjo pra është edhe thirrja që Nëna e Krishtit ua besoi tre barinjve të vegjël: Luçisë, Françeskut e Gjaçintës, në dukjet e saj në Fatima.

Siç dihet, për herë të parë Zoja e Bekuar Virgjëra Mari u duk më 13 maj 1917. Pastaj u duk edhe pesë herë të tjera, deri më 13 tetor të këtij viti, vit tragjik gjatë të cilit Evropa mbytej në gjakun e Luftës I Botërore. Mesazhi i parë i Virgjërës Mari ishte ftesë për lutje e pendesë, për shpëtimin tokësor e qiellor të bijve të saj.

E nuk duhet të harrojmë se mesazhi që Zoja e Bekuar ua besoi Luçisë, Françeskut e Xhaçintës, në vijim të atij të Lurdës, ishte një thirrje e fortë për lutje e pendesë; mesazh vërtetë profetik, duke pasur parasysh shekullin XX, shekull i shkatërrimeve të pashembullta, të shkaktuara nga luftërat e nga regjimet totalitare si dhe nga persekutimet e panumërta kundër Kishës.

Lutja e motër Luçisë Zojës së Fatimës: kushtojani veten Zemrës së Papërlyer të Marisë

Në ditën e kremtimit të dukjeve të fundit të Zojës së Fatimës, ju propozojmë lutjen e motër Luçisë, vajzës, që jetoi gjatë e që bënte pjesë në treshen e barinjve të vegjël, të cilëve iu duk Zoja. Murgesha, mbajti gjithnjë të fshehur Sekretet e Fatimës, derisa shën Gjon Pali II, Papë, vendosi t’ia zbulojë botës. Ja lutja:

O Virgjër Nënë e Zotit e Nëna ime, i kushtohem krejtësisht Zemrës tënde të Papërlyer, me gjithçka jam e me gjithçka kam. Më merr nën mbrotjen tënde amnore, më mbro nga rreziqet, më ndihmo të fitoj mbi tundimet, që më nxisin drejt së keqes, e më ndihmo ta ruaj pastërtinë e trupit dhe të shpirtit tim.

Zemra jote e Papërlyer qoftë streha ime dhe udha që më çon te Zoti. Më jep hirin për t’u lutur e për t’u flijuar për dashurinë e Jezusit, për kthimin e mëkatarëve e për shpërblimin e mëkateve kundër Zemrës tënde të Papërlyer. Përmes Teje, në bashkim me Zemrën e Birit tënd Hyjnor, dua të jetoj për lavdinë e së Shenjtueshmes Trini, në të cilën besoj e shpresoj, të cilën e adhuroj dhe e dua. Amen 

Dy fjalë rreth shtatores së Zojës së Fatimës, vepër e Gilberto Fernandes dos Santos, realizuar më 1920.

Shtatorja e Zojës së Bekuar, që nderohet në Kapelën e vogël të Dukjeve, zemër e Shenjtërores së Zojës së Bekuar të Fatimës, u dhurua nga Gilberto Fernandes dos Santos më 1920. Vepër e skulptorit Josè Ferreira Thedim, e gjatë 1,10 metra, skalitur në dru kedri brazilian, u bekua më 13 maj 1920 në Kishën famullitare të Fatimës (4 kilometra larg Shenjtërores, vend ku u pagëzuan barinjtë e vegjël të Fatimës), u fronëzua në Kapelëzën e Dukjeve, më 13 qershor 1946 e u kurorëzua solemnisht nga Legati Papnor, kardinal Masela, më 13 maj 1946

Shtatorja e Zojës kurorëzohet në kremtimet e mëdha me një kurorë të zbukuruar me 313 margaritarë e 2679 gurë të çmuar, që peshon 1200 gram. Kjo kurorë u ofrua nga gratë portugeze më 13 tetor 1942, për ta falënderuar Zojën, falë ndërmjetësimit të së cilës, Portugalia nuk hyri në Luftën II Botërore. Në këtë kurorë u ngërthye edhe plumbi, që plagosi Gjon Palin II në atentatin e 13 majit 1981, në Romë. Shenjë falënderimi, edhe kjo stoli kaq e pazakontë, sepse Zoja e Bekuar i shpëtoi jetën.
Më vonë Zoja e Fatimës do të niste shtegtimin nëpër botë, si lajmëtare e paqes.

Shtatorja e parë e Zojës shtegtare të Fatimës, e realizuar sipas tregimit të Motër Luçisë, u ofrua nga Ipeshkvi i Leiries dhe u kurorëzua solemnisht nga Kryeipeshkvi i Evorës, më 13 maj 1947. 
Ishte përgjigje, që i jepej një famullitari të Berlinit, i cili në vitin 1945, pak kohë pas përfundimit të Luftës II Botërore, propozoi që Shtatorja e Zojës së Fatimës, të shtegtonte në të gjitha kryeqytetet dhe selitë ipeshkëvnore të Evropës, deri në kufi me Rusinë. Kështu Shtatorja iu soll rrotull botës, duke vizituar më se 64 vende, gjatë një gjysmë shekulli. Çonte kudo lajmin e madh të paqes e të dashurisë.

Për të përballuar kërkesat e shumta, u realizuan disa kopje të Shtatores së parë të Zojës shtegtare. E megjithatë, ka ende vende ku Zoja e Fatimës nuk ka shkelur. Në vendin që, në sa Papa shkel në trojet ku u duk Zoja, tronditet përsëri nga trazirat e realitetit bashkëkohor ndërkombëtar, i cili ka nevojë më shumë se kurrë, për një mrekulli, që të hyjë më në fund me mesazhin e paqes kudo në botë e edhe në atë Evropë, në rrugët e së cilës vijon të ecë Zoja e mrekullueshme e Fatimës, në pritje për të shkelur edhe në tokën, ku nuk u derdh pak gjak në emër të Birit të saj e Shpëtimtarit të njerëzimit, Jezu Krishtit Zot

13 maj 2019, 11:44