1982 05  12 - 15 Viaggio apostolico Portogallo, Giovanni Paolo ii a Fatima 1982 05 12 - 15 Viaggio apostolico Portogallo, Giovanni Paolo ii a Fatima 

Më 13 maj bie përvjetori i atentatit në Sheshin e Shën Pjetrit kundër Papës Gjon Palit II

Kjo ngjarje, që pati jehonë të fuqishme mediatike, duke lënë në kujtesën kolektive gjurmët e pashlyeshme të një Pape të plagosur për vdekje – u lidh më pas me historinë e një faljeje edhe më të jashtëzakonshme e me një ndërmjetësi tronditëse të Zojës së Bekuar.

R.SH. - Vatikan

Pra, si sot, më 13 majit 1981, Gjon Pali II goditej me dy plumba nga pistoleta e Ali Agçait, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Ashtu si sot, ishte festa e Zojës së Fatimës. Për Papën Wojtila, qe pikërisht dora e shën Marisë ajo, që e mbrojti nga vdekja. Plumbi, që pati përshkuar kraharorin e që mund edhe ta kishte vrarë, tani, është ngërthyer në kurorën e shtatores së Virgjërës së Fatimës. Po le ta përshkojmë së bashku ngjarjen, që tronditi botën.

Ishte 13 maji i vitit 1981, dita e përkujtimit të Zojës së Fatimës. Atë ditë Papa Wojtila do të jepte dy njoftime të rëndësishme gjatë audiencës së përgjithshme për të vënë në qëndër të vëmendjes problemet emergjente familjare: lindjen e Këshillit Papnor për Familjen dhe të Institutit të Studimeve për Martesën dhe Familjen. Atentati e pengoi.

Më 13 maj 1981 25, Papa Gjon Pali II u qëllua nga Ali Agça në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, gjatë audiencës së pèrgjithshme. Është ende i gjallë kujtimi i emocionit të mbarë njerëzimit, dëshmitar në një histori faljeje, misteri e devocioni të madh marian.

Kisha e të pesë kontinenteve e jo vetëm Kisha, u trondit thellë nga një lajm i jashtëzakonshëm: një burrë kishte qëlluar për të vrarë Papën. Sheshi i Shën Pjetrit, në Vatikan më parë e pastaj Poliklinika Gjemeli, në Romë, u bënë skenat e dramës së atentatit kundër Papës Gjon Palit II. Kjo ngjarje, që pati jehonë të fuqishme mediatike, duke lënë në kujtesën kolektive gjurmët e pashlyeshme të një Pape të plagosur për vdekje – u lidh më pas me historinë e një faljeje edhe më të jashtëzakonshme e me një ndërmjetësi tronditëse të Zojës së Bekuar.

E Papa Gjon Pali II qe gjithnjë i bindur se shpëtoi pikërisht përmes kësaj ndërmjetësie. “Provania Hyjnore më shpëtoi mrekullisht nga vdekja. Ai që është i vetmi Zot i jetës dhe i vdekjes, Ai vetë ma zgjati këtë jetë, madje në një farë mënyre, ma dhuroi rishtas. Që na ky çast i përket edhe më tepër Atij”.

Vijoi ta çudiste botën, Papa Gjon Pali II, me atë që ndodhi më 13 maj 1981. Fjalët që posa i përmendem, të shkruara më 17 mars të vitit 2000, janë shkëputur nga testamenti i Papës Wojtila, publikuar pas vdekjes së Tij, vdekje që, një pasdite me diell deshi t’ia merrte jetën para kohe “Ipeshkvit të veshur me të bardha”, “Papës së ardhur nga larg”.

Dy relike, të pazakoshme për një Kryebari të Kishës, tashmë Shenjtë, dëshmojnë ende sot për ngjarjen që ndodhi atë ditë, kur një plumb tinzar u nis papritmas drejt zemrës së Gjon Palit II. Fasha e shpuar nga ky plumb i kalibrit nëntë ndodhet sot në Shenjtëroren e Jasna Gorës. Ndërsa vetë plumbi i cili, nga mjet i vdekjes, u kthye në dhuratë të kushtuar, u ngërthye në kurorën e Zojës së Fatimës.

Më 13 maj 1981, Papa i ri polak dëshironte t’i fliste turmës së mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për 90-vjetorin e Enciklikës ‘Rerum Novarum’ të Leonit XIII e të njoftonte për lindjen e dy organizmave papnore: Këshillit Papnor të Familjes dhe Institutit të Studimeve për Martesën dhe Familjen. Atentati e pengoi.

Fjalët e pathëna atë ditë, kaluan ndër arkiva. Ky 13 maj tragjik, kurdisja kriminale e të cilit ishte ende e errët, na la si kujtim Papën Gjon Palin II në mes turmës që qeshte, që brohoriste, që rendte për t’i shtrënguar dorën, që i zgjaste një fëmijë për ta puthur, ndërsa gryka e zezë e një pistolete ngrihej mbi kokat e njerëzve.

Papa i ri, që kishte shkelur gjysmën e botës, po vdiste në Poliklinikën Gjemeli të Romës. Pesë orë agonie edhe për Kishën e për botën - orët e operacionit, që u shndërruan më pas në shpresë e në pritje të rikthimit të Atit të Shenjtë Wojtila në gjirin e Kishës. Do të kalonte një muaj para këtij kthimi. Por Papa Gjon Pali II nuk mund të duronte për një kohë kaq të gjatë larg besimtarëve. Vetëm katër ditë më pas, të dielën, më 17 maj 1981, duke kapërcyer rregullat e protokolleve shekullore, kërkoi një mikrofon dhe e tha lutjen e Engjëllit të Tënzot nga krevati i spitalit.

Gjëja e parë që bëri, ishte të falte Ali Agçanë, turkun 22 vjeçar, dora e të cilit, që e çoi në grykë të varrit, ishte armatosur nga duar misterioze: “Lutem për vëllaun që më qëlloi të cilin e kam falur me gjithë zemër”.

Një vit më vonë, më 13 maj 1981, Papa Gjon Pali II ishte në Fatima të Portugalisë për një falënderim të veçantë. Ai nuk dyshoi kurrë se e kishte shpëtuar Virgjëra Mari që i qe dukur tre barinjve të vegjël  në Fatima më 1917. E prandaj në Shenjtëroren e Zojës së Bekuar në Fatima, përsëriti para gjithë botës, moton, që e shoqëroi gjithë jetën: “Totus Tuus – “Jam krejt yti, o Nënë!”. 

E më 13 maj, në Romë e kudo në botë Kisha katolike kujton dukjen e parë të Zojës së Bekuar më 1917 në Fatima të Portugalisë dhe përvjetorin e atentatit kundër Papa Gjon Palit II në Vatikan.

13 maj 2019, 12:58