Universiteti Katolik i Santiagos Universiteti Katolik i Santiagos 

Universitet kishtare: t’ia hapin portat botës, pa humbur identitetin

Sipas imzot Vincenzo Zani-t, sekretar i Kongregatës për edukimin katolik, institutet duhen reformuar me urti, duke u bërë farë e mirë për shoqërinë e shekullarizuar. Kardinali Ravasi: të ruhet saktësia e kërkimit shkencor, pa humbur nga sytë mesazhin e krishterë

R. SH. - Vatikan

Jemi para një rreziku: atij të moskuptimit të nevojës të përtëritjes së Universiteve kishtare, diktuar nga ndryshimet e kohëve, e të mbetjes në limbin e vetëvlerësimit shterpë. Por edhe para një mundësie: asaj të reformimit, për t’u bërë farë e mirë dhe e frytshme në gjirin e një shoqërie, tashmë pa pika të shëndosha kulturore referimi, që vijon të zhytet në pështjellim. Ky, mendimi i imzot Vincenzo Zani-t, sekretar i Kongregatës për edukimin katolik, i cili vë theksin mbi rreziqet, por edhe shanset e mëdha që kanë universitetet dhe fakultetet kishtare përballë rrethanave të sotme historike. Konsiderata, këto, që mbështeten fort mbi bazat e kushtetutës apostolike “Veritatis Gaudium”, të cilën Papa e deshi  pikërisht “për ta përtërirë botën universitare katolike, me urtinë dhe guximin që kërkohet nga shndërrimi misionar i Kishës në dalje”.

Reforma nuk është makijazh

Në një intervistë, dhënë me prag të Kongresit, organizuar me rastin e 25-vjetorit të Universitetit Papnor Regina Apostolorum, mbajtur në Romë  më 28 e 29 marsin e kaluar, imzot Zani vëren: “Ekziston rreziku i kërkimit të sigurisë. Mendimi se mund të ecet duke vijuar projektet e përhershme, ndonëse perceptohet fort  nevoja e ndryshimit. Edhe Veritatis Gaudium  mund të vihet në rrezik: kushtetuta apostolike ka një parathënie e edhe disa norma; nëse nuk merren të dyja së bashku, krijohet rreziku të bëhet vetëm një makijazh, të ndryshohet ndonjë gjë nga statutet, pa e kuptuar se hyrja është mjet, që kërkon shndërrimin e thellë të instituteve. Normat  duhet të nisen pikërisht nga hyrja. Për t’u  frymëzuar, pastaj, nga gjallëria, që karakterizon universitetet laike e për t’u ballafaquar me botën, duke dialoguar me të, por pa e humbur identitetin.

Kardinali Ravasi: universitetet papnore, krijuese dialogu

Lidhur me nevojën që kanë universitetet dhe fakultetet kishtare për të fuqizuar njohjen e rrënjëve të tyre e njëkohësisht, për të hapur një dialog plot gjallëri me botën - foli edhe kardinali Gianfranco Ravasi, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës. Hirësia e Tij kujtoi se duhet të ruhet saktësia e kërkimit shkencor, pa humbur nga sytë mesazhin e krishterë. Për të vënë, më pas, theksin mbi thellimin e vazhdueshëm e të kujdesshëm të rrënjëve të kulturës së krishterë si dhe të  gjithë horizontit në të cilin u zhvilluan mendimi dhe arti madhështor i kristianizmit, pa harruar kurrë edhe nevojën e dialogut, të dëgjimit të të tjerëve. E vërteta është simfoni, që nuk krijohet nga një zë i vetëm, por nga shumë zëra – theksoi.

01 prill 2019, 14:31