Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin 

Ungjilli në Kinë: katolicizmi ndërmjet së kaluarës e së ardhmes

Botohet vëllimi i titulluar “Marrëveshja ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Kinës, Katolicizmi kinez ndërmjet së kaluarës dhe së ardhmes”, me parathënie të kardinalit Pietro Parolin. Libri, i shtypur në shtypshkronjën Urbaniane, u realizua nën kujdesin e Agostino Giovagnolit dhe Elena Giunipero-s.

R. SH. Vatikan

Është teksti i parë kushtuar Marrëveshjes së Përkohshme të 22 shtatorit 2018 ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës Popullore të Kinës. Përmbledh shumë studime historike, juridike e baritore, shkruar nga studiues italianë e kinezë, kushtuar këtij rezultati të rëndësishëm, arritur pas më se dyzet vjet kontaktesh ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës Popullore kineze për zgjidhjen e problemeve të vështira të Kishës Katolike në Kinë.

“Siç dihet - pohon kardinali Parolin - Marrëveshja e Përkohshme ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës Popullore kineze u nënshkrua më 22 shtator 2018, pas një përpjekjeje të peshuar. Është fryt i afrimit gradual reciprok, tek i cili u arrit përmes dialogut, që zgjati shumë vjet e që  shënon një udhë të rëndësishme në këtë histori të gjatë, e cila i parapriu e, urohet, edhe ta pasojë.

Respekti për kulturën kineze luajti një rol të dorës së parë në historinë e gjatë të lidhjeve Kishë-Kinë

“Një nga librat e parë, shkruar nga Matteo Ricci, në  gjuhën kineze, është traktati “De amicitia”. Bën fjalë për miqësinë, që e lidhi autorin me nxënësit e tij kinezë, si Xu Guangqi, Li Zhizhao e Yang Tingyun, të cilët më pas u bënë shtyllat kryesore për Kishën kineze. Ishin pikërisht këto shtylla - nënvizon - që promovuan inkulturimin e fesë, të cilën misionarët, të vetëm, nuk do të kishin mundur ta përhapnin aq gjërësisht, thellësisht e besueshmërisht. “Është vetëm një shembull, që flet për rrënjët e këtij procesi kulturor të krishterimit - vëren kardinali - e që përbën edhe sot e kësaj dite një nga sfidat e shumta, për t’u përballuar nga Kisha në Kinë, në  vijën që, para Koncilit II Ekumenik të Vatikanit, quhej ‘adoptim’, ndërsa më vonë u njoh si ‘inkulturim’”.

Drejt marrëdhënieve  të reja me Kishën universale

“Të gjithë e dinë që, ndonëse të frymëzuara nga dëshira për të kryer shërbimin kishtar për popullsinë vendase, gjithsesi, ndërmjet shekullit XIX e XX, misionet katolike u kushtëzuan edhe nga problematika të lidhura me kolonializmin evropian”. Me Benediktin XV - pohon kardinali Parolin, këto kushtëzime u kapërcyen. Nisi, pastaj, lufta e ftohtë e Kisha katolike dhe prania e saj në botë, pësoi kushtëzime të ndjeshme. Në rrethanat e tensionuara ndërkombëtare me Kinën e re, nisi një periudhë e vështirë për Kishën në vend, periudhë, që hapi plagë të thella e pati si pasojë  zbritjen e  Kishës kineze në katakombe, për të shpëtuar gjallë bashkësitë e krishtera vendase. Gjatë kësaj periudhe - kujton akoma sekretari i Shtetit të Vatikanit - shumë  ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë e laikë, kaluan prova të rënda, që shpesh arritën kulmin me dhurimin e jetës për Krishtin e për Kishën.

Marrëveshja e përkohshme fikson metodologjinë e dialogut ndërmjet palëve

Pikërisht falë dëshirës për dialog  u arrit,  pas një udhe të gjatë,  kapërcimi i pengesave, kundërvënieve e keqkuptimeve. Kjo krijoi kushtet për të kaluar në situatën e sotme, në të cilën të gjithë ipeshkvijtë katolikë u bashkuan plotësisht me Pasardhësin e Shën Pjetrit dhe i morën nga dora e tij, detyrat që kryejnë. Marrëveshja po i jep, kështu, një hov të ri baritor Kishës në Kinë dhe veprimtarisë së saj ungjillëzuese.

Marrëveshja nuk është pikarritje, po pikënisje

“Siç kam nënvizuar edhe në raste të tjera, kjo nuk është pikarritje, por pikënisje, posaçërisht përsa u përket situatave të trashëguara nga e kaluara. Dëshira e Selisë Apostolike është që, për Kishën katolike në Kinë, të hapet tani  mundësia  të jetojë në bashkim më të ngushtë me Kishën universale e  të krijohet një hapësirë normaliteti progresiv, për të dëshmuar gëzimin e fesë, në tokën e Konfucit. Pjesëmarrja e dy ipeshkvijve nga Kina kontinentale në Sinodin e të rinjve, thirrur nga Papa Françesku në tetor 2018 - vëren kardinali Parolin në parathënien e librit kushtuar Marrëveshjes me Kinën, është një shenjë, që flet vetë për situatën e krijuar, falë Marrëveshjes së Përkohshme. Kjo marrëveshje ndriçon edhe problemin e ndërlikuar të lirisë fetare - kujton kardinali Parolin - duke theksuar se sjellja e Selisë së Shenjtë frymëzohet gjithnjë nga bindja se “liria fetare përbën një nga të drejtat themelore  të njeriut”.

15 prill 2019, 11:52