Cerca

Vatican News
Cristo risorto Giardino della tomba Gerusalemme Cristo risorto Giardino della tomba Gerusalemme 

Tetëditshi i Pashkëve: për udhë drejt Rrëshajëve

Ditët ndërmjet të Dielës së Ngjalljes së Jezu Krishtit dhe të Dielës që vjen pas, quhen “Tetëditshi i Pashkëve”, sepse të krijojnë idenë e një dite të vetme.

R.SH. - Vatikan

Ditët ndërmjet të Dielës së Ngjalljes së Jezu Krishtit dhe të Dielës që vjen pas, quhen “Tetëditshi i Pashkëve”, sepse të krijojnë idenë e një dite të vetme. Kështu, java që vjen pas Pashkëve quhet in Albis, sepse të posapagëzuarit, këtë javë visheshin me petka të bardha – e “in albis” do të thotë “me të bardha” – deri në të dielën e mëpasshme.

Domethënia e Tetëditshit të Pashkëve

Pashkët janë kulmi i liturgjisë dhe i jetës së krishterë, sepse pikërisht për Pashkë Jezu Krishti Vdiq mbi kryq e u Ngjall për ne e na dhuron vetveten në Shpirtin Shenjt Zot. Ja pse ky mister kryesor i mbush plot zemrat, fenë dhe vetë liturgjinë. E ja pse në histori u ndje nevoja për ta zgjeruar, në një farë mënyre, begatinë e vlerës dhe të emocioneve të kësaj dite që është Dita e ditëve e që kujtohet çdo të Diel në Eukaristi - mister të fesë, përmes kremtimit të një Tetëditshin, që quhet Tetëditshi i Pashkëve.

Janë tetë ditë që konsiderohen si një ditë e vetme, Dita e të Ngjallurit, drita e të cilit duhet përvetësuar gjithnjë më thellë, pikërisht duke e kundruar e duke vijuar ta kundrojmë misterin e këtij takimi me Krishtin e Ngjallur, që e ndryshon rrënjësisht jetën tonë njerëzore. Pra mund të themi se kjo është javë hiri, në të cilën duhet t’i hapim zemrat për të vërshuar ndër to, bukurinë e Krishtit të Ngjallur.

Të jetosh si i ringjallur në jetën e përditshme

Jeta e krishterë është jetë që buron nga Pashkët, dmth që bashkon në mënyrë të pandashme vdekjen e ringjalljen, dhimbjen e gëzimin, errësirën e dritën. Ky është reflektimi që duhet të bëjë gjithnjë i krishteri, duke kujtuar pagëzimin e vet, që do të thotë zhytje në misterin e Pashkëve. Kjo konkretisht do të thotë se në këtë botë s’ka të krishterë që të mos mund të shkëputet nga përvoja e errësirës dhe e dhimbjes. Krishti erdhi të na shpëtojë nga mëkati e nga vdekja, Krishti erdhi t’i japë kuptim vuajtjes sonë e errësirës sonë, por ne do të jemi plotësisht të lirë vetëm atëherë kur ta kundrojmë fytyrë për fytyrë, në lumninë e Ditës së tetë, në lumninë e Pashkëve të mbrame e përfundimtare të Jerusalemit qiellor. Në një farë mënyre stili i Pashkëve të jetës është të jetosh çdo ditë me zemrën e festës.

Menjëherë pas kremtimit të Pashkëve nis koha që na përgatit për Rrëshajë.

Koha e Pashkëve është kohë e Kishës. Libri i Veprave të Apostujve është Ungjilli i Kishës. Na përshkruan pikë për pikë përhapjen dhe rrezatimin e dëshmisë së Krishtit të Ngjallur, dëshminë e Pashkëve në Kishën që po lindte, nga Jerusalemi në mbarë botën.

Është, pra, çasti në të cilin duhet të rizbulojmë hirin e madh se bëjmë pjesë në Kishë, se jemi mbledhur nga i Ngjalluri me forcën e Shpirtit të Tij të Shenjtë, i cili na bashkon përmes Fjalës së Zotit e Sakramenteve. Por është edhe çasti për të rizbuluar urgjencën e transmetimit të kësaj dhurate të mrekullueshme, përmes dëshmisë të dashurisë, të fesë e të shpresës, si në marrëdhëniet e përditshme, ashtu edhe në vrullin e ripërtërirë të veprimtarisë sonë misionare, për t’ua kumtuar edhe atyre njerëzve që nuk e njohim akoma, bukurinë e Krishtit të Ngjallur që ka mundur e mposhtur vdekjen. Kështu,  misteri i Krishtit të Gjallë përuron një jetë plotësisht të re.

Pra, Kremtimi i Pashkëve, kremtimi i Krishtit të Gjallë liturgjikisht shtrihet e zgjatet tërë javën, kësaj jave, e cila dikur quhej “In Albis”. Besimtarët vijojnë të kremtojnë Pashkët, duke e zgjatur kështu festën, gëzimin e së Kremtes më të madhe të vitit, të Ngjallurit e Krishtit.

E për të krishterët ky gëzim njerëzor bën pjesë në gëzimin e Ngjalljes. Java që vjen pas Pashkëve quhet in Albis, sepse të posapagëzuarit, këtë javë visheshin me petka të bardha – e “in albis” do të thotë “me të bardha” – deri në të dielën e mëpasshme.

Pas kremtimit të Pashkëve nis koha që na përgatit për Rrëshajë.

E mos të harrojmë se koha e Pashkëve është kohë e Kishës. Libri i Veprave të Apostujve është Ungjilli i Kishës. Na përshkruan pikë për pikë përhapjen dhe rrezatimin e dëshmisë së Pashkëve në Kishën që po lindte, nga Jerusalemi në mbarë botën. Është, pra çasti në të cilin duhet të rizbulojmë hirin e madh se bëjmë pjesë në Kishë, se jemi mbledhur nga i Ngjalluri me forcën e Shpirtit të Tij të Shenjtë, i cili na bashkon përmes Fjalës së Zotit e sakramenteve, por edhe çasti për të rizbuluar urgjencën e transmetimit të kësaj dhurate të mrekullueshme, përmes dëshmisë të dashurisë, të fesë e të shpresës, si në marrëdhëniet e përditshme, ashtu edhe në vrullin e ri të veprimtarisë sonë misionare, për t’ua kumtuar edhe atyre që nuk e njohim akoma, bukurinë e Krishtit. Kështu, koha e Ngjalljes së Jezu Krishtit, koha Pashkëve, që shkon për 50 ditë deri në festën e Rrëshajëve.

Të përgatitemi për këtë solemnitet të madh, për ta pritur denjësisht Shpirtin Shenjt.
 
Të gjitha këto 50 ditë s’janë tjetër, veçse zgjatje e Pashkëve e në të vërtetë e gjithë koha e Pashkëve deri në Rrëshajë në lashtësi quhej e Rrëshajëve, dmth festa e Rrëshajëve ishte festa e 50 ditëve e jo e ditës së 50-të. E gjithë kjo kohë është kohë e përgatitjes për Rrëshajë. E si duhet të përgatitemi? Kisha na e jep shembullin duke na vënë në buzë këtë lutje të vazhdueshme: “Eja, eja Shpirti Shenjt! Eja, Shpirti Krijues!, Eja! Vetëm se ne shpesh herë themi eja, eja, e nuk e kuptojmë ç’po kërkojmë. Ose themi: Eja Shpirti Shenjt, veç mos prek gjë në jetën time, mos më ndrysho asgjë. Që të përgatitemi për Rrëshajë, duhet ta lëmë Shpirtin Shenjt të lirë që të ndërhyjë si të dojë në jetën tonë, e në se i duket e nevojshme, të bëjë edhe ndryshime.
 
Po çka është, ose më mirë të themi, kush është Shpirti Shenjt?
 
Shpirti Shenjt është Vetja e tretë e Trinisë, në lidhje trinitare të njëllojtë me Atin e Birin Hyj. Para Krishtit konceptohej pak a shumë si forcë, si rrezatim i Perëndisë, një mënyrë për ta bërë të pranishëm Zotin. Me Krishtin kemi dëftimin e plotë të Trinisë e prej këndej, edhe të Shpirtit Shenjt, që është i dërguar, që dëshmon, që udhëheq drejt së vërtetës së plotë. Këto janë tiparet e Shpirtit të Zotit. Bibla flet për Shpirtin Shenjt përmes figurës së erës, të ujit, të zjarrit, të aromës së këndshme, ose edhe të pëllumbit, sepse ndryshe nuk mund ta përfytyrojmë. Është një realitet pastërtisht shpirtëror. Teologjikisht shën Agostini thotë se është dashuri e personifikuar ndërmjet Atit e Birit.

Në se Zoti është dashuri, Shpirti Shenjt është pikërisht lidhja ndërmjet Atit e Birit, lidhja e dashurisë. Kudo arrin Shpirti Shenjt, arrin dashuria. E ne kemi tepër nevojë për Të. Sa mirë do të ishte sikur njerëzit ta ndjenin nevojën për praninë e Shpirtit Shenjt edhe për të jetuar si njerëz. Martesa, për shembull, që është sakrament dashurie, nuk mund të jetohet, në se në një mënyrë a në një tjetër nuk është e pranishme dhurata e Shpirtit Shenjt, që është dhuratë e Zotit dhe e pajis njeriun me aftësinë të dhurojë vetveten si në martesë, ashtu edhe në mjediset tjera të jetës. Oh, sa mirë do të ishte sikur ne ta njihnim më mirë Shpirtin Shenjt Zot, ndoshta kështu jeta do të ishte më pak monotone nga çka është tani, sidomos për të krishterë.

23 prill 2019, 11:35