Papa dhe Këshilli i Kishave të Sudanit të Jugut Papa dhe Këshilli i Kishave të Sudanit të Jugut

Takim shpirtëror për Sudanin e Jugut: ngjarje, që vjen nga larg

Filloi sot e do të vazhdojë deri nesër, takimi shpirtëror i autoriteteve më të larta civile dhe kishtare të Sudanit të Jugut. Papa pranoi që ata të mblidhen në Shtëpinë e Shën Martës. Ja hapat, që sollën në këtë ditë.

R.SH. - Vatikan

“Unë po e studioj, bashkëpunëtorët e mi po e studiojnë mundësinë e një udhëtimi në Sudanin e Jugut. Sepse erdhën ipeshkvijtë – anglikani, presbiteriani dhe katoliku, të tre së bashku, - për të më thënë: “Ju lutemi të vini në Sudanin e Jugut, së paku një ditë, por jo vetëm, ejani me Justin Welby-n”, pra, me kryeipeshkvin e Kanterbërit. Prej tyre - Kishë e re - erdhi ky zhvillim krijues. E tani, po mendojmë nëse mund ta realizojmë...”. Me këto fjalë, të shqiptuara më 26 shkurt 2017, në takimin me Bashkimin Anglikan në kishën e “Gjithë Shenjtorëve” (All Saints) në Romë, Papa Françesku theksoi vëmendjen e tij për Sudanin e Jugut dhe për Kishën vendase.

Kishë e re në një vend të ri

Kishë e re në një vend të ri, lindur më 9 korrik 2011, me një referendum, që sanksionoi pavarësinë nga Sudani. Ndërkaq, nga viti 2013, në Sudanin e Jugut ka shpërthyer një luftë civile ndërmjet milicive të udhëhequra nga ish-zv.presidenti Riek Machar, që i përket grupit etnik Nuer, dhe trupave të rregullta besnike ndaj presidentit Salva Kiir, të etnisë Dinka. Zv.presidenti u shkarkua nga detyra, për shkak të kontrasteve me presidentin aktual, duke nxitur kështu luftën civile, gjatë së cilës janë vrarë së paku 50 mijë vetë e mijëra të tjerë janë shpërngulur në vendet fqinje si refugjatë. Kujtojmë se shumica e popullsisë prej rreth 13 milionë banorësh ndjek besimet tradicionale (fetë animiste), por një pjesë e madhe e pakicës është e krishterë. Shifrat nuk përkojnë me njëra-tjetrën, por që nga viti 1995, sipas Enciklopedisë Botërore të Krishterë, katolikët duhet të arrijnë në 2,7 milion, ndërsa pjesa tjetër e të krishterëve është anglikane, megjithëse nuk mungojnë edhe grupe të tjera. Presidenti i Sudanit të Jugut, Kiir, i pranishëm në ushtrimet shpirtërore në Vatikan, është katolik, ndërsa njëri prej djemve është kthyer në mysliman.

Lutjet dhe impenjimi i Papës

         Papa Françesku është lutur shpesh për gjendjen në Sudanin e Jugut e madje, më 23 nëntor 2017, kryesoi në Shën Pjetër një kremtim të veçantë për paqen në vend. Gjatë homelisë, pati bërë thirrje të shpëtohen gratë e fëmijët, që vuanin nga konflikti dhe u pati kërkuar përgjegjësve të fillonin dialogun. Verën e atij viti, Dikasteri për Zhvillimin e gjithanshëm njerëzor pati mbledhur gjysëm milion dollarë për vendin afrikan, përmes nismës “Papa për Sudanin e Jugut”. Më 23 shkurt 2018, kjo nismë u pasua nga një “Ditë lutjeje për Sudanin e Jugut e për Republikën Demokratike të Kongos”. Në shtator, gjatë vizitës ad Limina të Konferencës Ipeshkvnore të Sudanit, ku përfshihet edhe jugu, Françesku u kërkoi ipeshkvijve t’u kushtonin vëmendje refugjatëve në vendet fqinjë. Më 16 mars 2019, më pak se një muaj më parë, Ati i Shenjtë priti në audiencë presidentin e Sudanit të Jugut, Salva Kiir Mayardit. Më pas, Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher, shkoi në kryeqytetin sudanez Xhuba, nga 21 deri më 25 mars. Këto, si edhe emërimet e fundit papnore – ai i ipeshkvit të Torit në janar dhe ai i nuncit apostolik në mars të këtij viti – flasin vetë për vëmendjen e jashtëzakonshme që Papa dhe Selia e Shenjtë po i kushtojnë prej kohësh gjendjes në Sudanin e Jugut. Tani, sytë janë kthyer nga ky takim në Vatikan, në formën e ushtrimeve shpirtërore, për t’u dhënë mundësi palëve të konfrontohen e të gjejnë rrugën e pajtimit, me ndihmën e Zotit të Gjithpushtetshëm.

10 prill 2019, 12:18