Kërko

2019.04.17 Sabato Santo 2019.04.17 Sabato Santo 

E Shtuna e Madhe e Pashkëve lidhet me jetën e Krishtit

Dita e Shtunës së Madhe e të Shenjtë të Pashkëve, lidhur me jetën e Krishtit, nuk ka asnjë lajm për ne. E Shtuna e Madhe e Shenjtë e Pashkëve: Kisha rri pranë varrit të Jezusit Të Shtunën e madhe e të Shenjtë të Pashkëve, Kisha rri pranë varrit të Jezu Krishtit, duke medituar mundimet dhe vdekjen e Tij.

R.SH. - Vatikan

 E Shtuna e Madhe e Shenjtë e Pashkëve: Kisha rri pranë varrit të Jezusit. Kështu. të Shtunën e madhe e të Shenjtë të Pashkëve, Kisha rri pranë varrit të Jezu Krishtit, duke medituar mundimet dhe vdekjen e Tij. Pra, në këtë ditë të Shtune të Pashkëve, Kisha nuk kremton Eukaristinë – Meshën e Shenjtë. Altari, pika qendrore, në të gjitha Kishat, në këtë ditë është i zveshur në shenjë  zie e përkujtimi të mundimit e vdekjes së Shëlbuesit të botës, Jezu Krishtit. Vetëm pas Vigjiljes kremtore – pas kësaj nate të pagjumë të së Shtunës së Madhe të Pashkëve, fillon gëzimi i  Ngjalljes së Krishtit, fillon koha e Pashkëve e cila zgjat për 50 ditë, deri në festën e Rrëshajëve – Ardhjes së Shpirtit Shenjt Zot

Pra e ndoqëm me mend Jezu Krishtin, Mësuesin e munduar, përmes Ungjillit, në Betani, në Tempull, në Çenakull, në Kopshtin e Ullinjve, në shtëpinë e kryepriftit, në prokurorinë e Pilatit, në Udhën e dhimbshme, mbi Kalvar.

Dëgjuam fjalët e dashurisë, që u ngritën mbi fjalët e urrejtjes, të përsëritura pambarimisht në historinë e njeriut e pambarimisht të kota. Kotësi e kotësive! E pamë kur vdiq, kur e ulën nga druri i kryqit ku e kishin mbërthyer pa kurrfarë mëshire, kur e lyen me vajra erëmira, e mbartën në rrugëzat e një ullishteje, e mbyllën në varr. Dëgjuam zhurmën rrënqethëse të gurit, që rrokullisej për të mbyllur grykën e varrit. Si zhurma e gozhdëve mbi arkivolet, që mbyllin trupat pa jetë të të dashurve tanë. Mbaroi! E s’dimë asgjë më.

Armiqtë ngadhënjimtarë kthehen në shtëpitë e tyre tejet të kënaqur. Edhe për ta gjithçka u krye: nuk do ta kenë më nëpër këmbë kundërshtarin e padëshirueshëm. E zhdukën përgjithmonë, pa frikë kthimi. Nuk do t’ua vrasë më sytë rrugëve të Palestinës, as do t’i dëgjojnë më anatemat e tij të tmerrshme. E kujtojnë mirë. Nuk besojnë se do të kthehet më por, për të davaritur dyshimin e fundmë, vënë roje për ta mbikëqyrur varrin. Nuk harrojnë të vënë edhe vulat e tyre. Sigurohen kështu se askush nuk do të mund të vërë dorë mbi këtë varr, që e dëshironin aq shumë e që i trembeshin edhe më shumë. As dishepujt e interesuar për trupin e tij e as rojet, që mund të bliheshin lehtë, si Juda. S’ mendojnë fare për gjithëpushtetin e Hyjit! E shkojnë të kremtojnë Pashkët e tyre, tashmë pa pikë kuptimi, të sigurtë se Hyji është me ta.

Po nxënësit, ku janë? Ungjilli, në këtë orë ngushtice, përmend tre emra, me fat krejt të ndryshëm: Judën, tradhtarin, që shkon e varë veten, sepse nuk është në gjendje ta shndërrojë brerjen shkatërrimtare të ndërgjegjes në shpresë përtëritëse; Pjetrin, që e mohoi Mësuesin, por që, i penduar thellë nga vështrimi i tij, nuk pushon s’e lari mëkatin e vet me lot të hidhur; Gjonin, që ngjitet në Kalvar e merr nën kujdes, plot dashuri, Nënën e Jezusit.

Të tjerët ia kanë mbathur. Por gjithsesi, edhe ata kanë shkuar të shikojnë çka do të ngjasë, çka do tё ndodh. Pavarësisht nga ligështia, fati i Jezusit tё Nazarenit ishte tepër i lidhur me fatin e tyre. Edhe ata ishin në Udhën e Kryqit, të ngatërruar mes turmës, për t’u ruajtur nga rreziqet. E panë edhe ata, deri në fund të fundit, e shkuan, me zemër të plasur e shpresa të copëtuara. Nuk i kujtojnë më profecitë e Mёsuesit Hyjnor, që janë avulluar nga mendja e tyre, e paaftë për të depërtuar në të mbinatyrshmen. Për ta, ashtu si për armiqtë, ndonëse në një mënyrë tjetër, gjithçka ka marrë fund. Vdekja nuk lejon epilogë.

Mbyllen në shtëpinë mike, që i ka strehuar herën e fundit së bashku me Jezusin. Juda ka vdekur. Nuk do t’i spiunojë askush. Mund ta konsiderojnë veten të sigurtë, në se nuk do të bien në sy. Pastaj, posa të ketë kaluar tronditja e thellë, do të kthehen në shtëpitë e tyre, larg rreziqeve, në Galile, për të rifilluar jetën e tyre të paemër, të pashpresë, në të cilën nuk pritet më asgjë e jashtëzakonshme.

Përveç dishepujve, ka edhe të tjerë, që interesohen për Jezusin: Nikodemi e Jozefi i Arimatesë, të cilët i përkasin shoqërisë së kamur të Jerusalemit, madje vetë Sinedrit, që e dënoi Jezusin. Jetuan në hije, nuk i miratuan metodat e kolegëve, madje edhe protestuan, gjithnjë me druajtje, pa rënë shumë në sy. Por tani që ai vdiq, nuk kanë çka të humbasin më e dalin haptazi, pa kurrfarë droje. I bëjnë nderimet e fundit e pastaj edhe ata shkojnë në punë të vet, sepse edhe për ta gjithçka ka marrë fund.

Vetëm grupi i vogël i grave nuk dorëzohet. As ato nuk e mendojnë ringjalljen. Por kanë një dashuri që s’njeh mort e presin t’u krijohet mundësia për ta shprehur edhe një herë mbi kufomën e njeriut të dashur. Edhe ato kthehen në shtëpi; edhe për ato gjithçka ka marrë fund. E megjithatë, janë gjithë sy e veshë, në një pritje, për të cilën u jep të drejtë dashuria.

Thua shkuan në shtëpinë e asaj që, e vetme pret ende, me bindje se mund të ndodhë gjithçka? Nëna është pritur me krahë hapur në shtëpinë e Gjonit, birit të ri që ia dha Krishti mbi Kryq. E Gjoni bën çmos të gjejë mënyra për të zëvendësuar Birin e pazëvendësueshëm, të vetmin, Birin e Hyjit. Askush nuk merr guxim t’i thotë një fjalë Marisë, e as ajo s’e kërkon. Shpirti i saj nuk është i vetmuar.

Rri në pritje të zbulesës së re, duke kaluar nëpër mend çaste të tjera pritjeje, shprese, që nga çasti i parë, kur e lajmëroi Engjëlli, tek ditët e amësisë së saj të pazakontë, tek hapat e para të Jezusit, fakte që i meditonte e i ruante në fshehtësinë e zemrës së saj, ashtu si ruante në arkë petkat e birit misterioz tё Zotit, që dukej sikur e mohonte, që e priste, pastaj, në majën e kodrës e i besonte misionin e një amësie të re, për Gjonin, për njerëzimin e shëlbuar, për të gjithë ne.

E ne, bandë tekanjoze, e lënë nën kujdesin tënd, duam të rrimë me ty, Nënë, për ta jetuar me ty këtë natë, plot me fe, shpresë e dashuri. Nata jonë shpesh është e ngarkuar me dëshpërim. Edhe ne, si dishepujt, nuk shikojmë asgjë përtej pragut të vdekjes. Krishti e kapërceu këtë prag, e ne nuk e pamë duke u rikthyer. Besojmë se u rikthye plot lavdi, por nganjëherë besimi ynë lodhet. Shikojmë sesi miqtë, vëllezërit, ata që duam, shkojnë edhe ata, kapërcejnë pragun pa kthim dhe e dimë se do të kemi të njëjtin fat. Pritja është plot ankth, dridhemi nga errësira e përtej pragut, nga e panjohura.

Pranoi, o Nënë, lutjet e zemrave të trazuara, e na shoqëro në vetminë e vdekjes sonë, të pritjes së ftohtësisë së varrit. Lutu për ne, Nënë e Hyjit, tani e në orën e mbramë. Na e ndriço errësirën e mendjes me dritën e fesë sate; ngrohe ftohtësinë tonë për të vërtetat qiellore me zjarrin e dashurisë sate; tërhiqe zemrën tonë, të habitur pas fantazmave të jetës që kalon, që të presë plot shpresë të mbinatyrshme ngjalljen e Krishtit Shëlbues.

20 prill 2019, 12:00