Kërko

Konferenca e shtypit pë paraqitjen e Pavijonit të Vatikanit në Expo-në e Kinës Konferenca e shtypit pë paraqitjen e Pavijonit të Vatikanit në Expo-në e Kinës 

Selia e Shenjtë paraqet pavijonin e vet në Expo-në e Kinës

Në Sallën e Shtypit të Vatikanit, u paraqit Pavijoni i Selisë së Shenjtë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Hortikulturës, që do të mbahet nga 28 prilli në Pekin, Kinë.

R.SH. - Vatikan

Për herë të parë, Selia e Shenjtë merr pjesë në një ekspozitë ndërkombëtare në Kinë. Fjala është për Expo-në e Hortikulturës (kopshtarisë), që do të mbahet në Pekin, nga 28 prilli deri më 7 tetor. Vatikani shkon atje me ftesën e qeverisë së Republikës Popullore të Kinës, për të promovuar, ndër të tjera, mesazhin e Papës Françesku në Letrën Enciklike “Laudato Si’”.

Pavijoni

         Pavijoni i Selisë së Shenjtë mbulon një sipërfaqe prej rreth 200 metra katrorë. Në të do të ekspozohen dokumente nga Biblioteka Apostolike e Vatikanit lidhur me herbariumet dhe me vetitë mjekësore të barërave dhe të bimëve. Gjithashtu, do të mund të shihet një riprodhim i pikturës së Peter Wenzel (Karlsbad 1745 - Romë 1829), Adami dhe Eva në Parajsën Tokësore, ruajtur në Muzetë e Vatikanit. Kanavaca e madhe përfaqëson çastin kulmor të karrierës së piktorit, i njohur për aftësinë e tij në riprodhimin e kafshëve të llojeve nga më të larmishme, me natyrshmëri të jashtëzakonshme. Gjithashtu, në pavijon do të ndërtohet një serë e teknologjisë së fundit, që përfaqëson mesazhin universal “U bëftë dritë”. Në ekspozitë, edhe dy vepra të panjohura: një reliev i Sheshit të Shën Pjetrit në bronz me Trëndafilin e Erërave të Lindjes dhe një skulpturë e pemës së ullirit, larë në ar.

Dialogu dhe ambienti

         Kryetari i Këshillit Papnor të Kulturës, kardinali Gianfranco Ravasi, e paraqiti Pavijonin në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë. Prelati kujtoi fillimisht dramën e katedrales së shën Marisë së Parisit, për të nënvizuar më pas vlerën e dialgout kulturor, ku synon Expozita. Sipas tij, me Kinën mund të hapet një dialog jo vetëm në sferën fetare, por edhe në fushën e artit, të kulturës dhe të punës kërkimore-shkencore. Në konferencën për shtyp mori pjesë edhe imzot Tomasz Trafny, zv.komisioner i pavijonit. Selia e Shenjtë është prani simbolike dhe kulturore në këtë Expo, nënvizon ai, në mikrofonin tonë:

         Kjo është ide, që realizohet pas ftesës së qeverisë së Republikës Popullore të Kinës, e cila i kërkoi Selisë së Shenjtë të marrë pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Hortikulturës. Pavijoni ynë ka rëndësi simboliko-kulturore. Kemi zgjedhur disa tema, rreth të cilave kemi përvijuar udhën e ekspozitës. Janë: drita, uji, lulet dhe gurët – gjithçka që, në një farë mënyre, të kujton fuqishëm natyrën. Duam të japim një mesazh në përkim me Enciklikën ‘Laudato si’’ të Papës Françesku, për të treguar se Selia e Shenjtë është veçanërisht e ndjeshme ndaj çështjeve të ambientit.

         Prania e Selisë së Shenjtë në Pekin është edhe një lloj ure kulturore…

Natyrisht, prania jonë do të jetë ngushtësisht kulturore. Ne përvijojmë një udhë rreth temës së kopshtit, që mund të përshkohet nga çdo vizitor: monoliti, i cili do të jetë pavijon i vërtetë, ka të gjitha karakteristikat, që synojnë të krijojnë idenë e kopshtit si vend harmonie. Çdo element do të shoqërohet me një citim nga Enciklika e Papës, gjë që është një sfidë jo e vogël, në një vend ku shumica e popullsisë nuk është e krishterë. Por citimet mund të krijojnë një urë, një element bashkimi, prandaj, mendoj se do të jetë një operacion kulturor i suksesshëm.

17 prill 2019, 13:04